Në këto ditë të nxehta korriku mbetet problematike situata me zjarret ne vend, ku janë riaktivizuar edhe vatrat e shuara më parë. Zjarri që në shumicën e rasteve shkaktohet nga vetë dora e njeriut, barinjtë apo banorët, ka bërë që shumë sipërfaqe të mëdha pyjore dhe ullishte të shkrumbohen. Deri më tani për këtë stinë, situata më alarmante ka qenë në Malin e Tomorrit, ku rreth 300 ha tokë u përfshinë nga flakët.
Një zjarr ka rënë edhe në Parkut Kombëtar të Llogarasë, ndërsa vatrat vijojnë të jenë aktive. Në zonë është e vështirë ndërhyrja e zjarrfikëses për shkak të terrenit, ndërsa mësohet se zjarri është shkaktuar nga disa barinj të zonës.
Aktualisht, janë neutralizuar nga forcat zjarrfikëse vatrat në Kurbin, ku nisi një zjarr masiv në fshatin Katund i Ri, duke djegur një sipërfaqe me barishte. Zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë disa hektarë ullishte edhe në fshatin Zhej të Kurbinit, ku edhe pse ndërhyne zjarrfikëset, e kanë të pamundur vënien nën kontroll të flakëve. Në ndihmë të tyre kanë mbërritur gjatë ditës së sotme forcat e ushtrisë të cilat bënë të mundur shuarjen e zjarrit. Për këtë dëm mjedisor, policia ka proceduar penalisht një 45-vjeçar për akuzën shkatërrim prone nga pakujdesia.
Alarmante mbetet situate edhe në fshatin Gjorgoz të Fierit ku flakët ende nuk janë neutralizuar, por po përparojnë duke djegur sipërfaqe të mëdha me pyje. Prej më shumë se 24 orësh vijon që të digjet një pyll me pisha, ndërsa zjarri që ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme malore, është i vështirë që të shuhet nga forcat zjarrfikëse. Terreni i vështirë pengon zjarrfikësit të neutralizojnë flakët, ndërsa ata janë ndihmuar nga banorët e zonës me mjete rrethanore.
Një tjetër zjarr është aktivizuar në vendin e quajtur mbi Liqenin e Mursisë në Konispol. Nga zjarri, për të cilin ende nuk dihet shkaku, janë djegur rreth 5 ha me shkurre dhe rreth 300 rrënjë ullinj. Dyshohet se dikush, që ka dashur të hapë vendin e vet nga shkurret, mund të ketë shkaktuar edhe zjarrin.
Ministria e Mbrojtjes në kuadër të situatës së krijuar nga zjarret në vendin tonë ka bërë thirrje për gatishmëri. Për shkak të temperaturave të të nxehtit afrikan që në mesin e javës kanë shënuar deri në 41 gradë ministria ka kërkuar nga strukturat e gjendjes civile që të jenë në gatishmëri, me prezencë të shtuar në zonat ku ka rrezik më të lartë.
Sipas ministrisë të gjitha kapacitetet dhe strukturat e emergjencave civile kanë punuar për normalizimin e vatravë të zjarrit dhe janë në gatishmëri për përballimin e çdo situate emergjente të mundshme.
COMMENTS