Në Listën e kandidatëve për Deputet nga radhët e partisë Demokratike është edhe Anduena Qefalia.
Me një karrierë profesionale prej 20 vitesh ka punuar si drejtuese e departamenteve të financës dhe si administratore në disa kompani dhe organizata të shoqërisë civile.
Në një intervistë për informim.al Anduena thotë se do të mbrojë drejtësinë dhe do të kërkojë qeverisje të pastër e transparente, mbrojtje të interesit publik dhe përparim të Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit europian.
Më tej ajo zotohet se do të bëjë të gjitha përpjekjet që të drejtat dhe liritë e muslimanëve, veçanërisht grave me mbulesë të njihen, të respektohen dhe të përmbushen në mënyrë sa më të plotë.
Intervista e plotë:
Informim.al : Sa i përshtatet përvoja juaj, profesioni që keni në detyrat që kërkoni t’i merrni nga populli?
Unë jam Anduena Qefalia (Allushi) bashkëshorte e Altinit, nënë e tre fëmijëve dhe bijë e familjes tiranase Allushi. Studimet e larta i kam ndjekur në administrim biznesi në Universiteti Ndërkombëtar të Vienës dhe kam një diplomë Master në marrëdhënie ndërkombëtare nga Universiteti i Tiranës.
Gjatë pothuajse 20 viteve të jetës sime profesionale, kam punuar si drejtuese e departamenteve të financës dhe si administratore në disa kompani dhe organizata të shoqërisë civile. Angazhimi im profesional përfshin edhe mësimdhënien në programet universitare. E konsideroj veten qytetare të angazhuar në çështje të ndryshme të aktivizmit civil, si liritë dhe të drejtat njerëzore, veprimtaria humanitare dhe çështje të qytetit të Tiranës.
Si profesioniste, si aktiviste qytetare dhe si grua, besoj se përfaqësoj një profil të logjikshëm për të kërkuar përfaqësimin në Kuvendin e Shqipërisë. Në listën e Partisë Demokratike gjeni shumë personalitete dhe profile njereëzish të paangazhuar në politikë, por që përfaqësojnë zërin e grupeve shoqërore të nënpërfaqësuara gjatë këtyre 30 viteve pluralizëm.
Informim.al : Si lindi ideja për t’i hyrë garës për deputete?
Politika ka qenë përherë një interes i imi. Unë vij nga një familje antikomuniste, me profil qartësisht të djathtë. Si studente e ekonomisë në Vjenë jam mbrujtur me idetë e lirive njerëzore, tregut dhe sipërmarrjes së lirë. Kjo përputhet plotësisht edhe me formimin tim kulturor dhe shpirtëror. Prandaj jam përfshirë vazhdimisht në projektet dhe diskutimet mbi liritë dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht lirinë e fjalës dhe besimit, lirinë e sipërmarrjes dhe shtetin e vogël. Për këto ide dhe pikëpamje jam e gatshme të kontribuoj në debatin politik. Prandaj, e konsideroj një prirje të natyrshme timen drejt sferës publike dhe një zgjedhje logjike për të kandiduar në listën e Partisë Demokratike.
Informim.al: Çfarë mendoni se do të ofroni so deputete në Kuvend?
Në Kuvend do të përfaqësoj zërin e një grupi shoqëror të papërfaqësuar deri më sot, siç janë besimtarët myslimanë dhe jo vetëm, dhe veçanërisht gratë besimtare. Si e tillë, do të bëj të gjitha përpjekjet që të drejtat dhe liritë e tyre të njihen, të respektohen dhe të përmbushen në mënyrë sa më të plotë. Do të mbroj drejtësinë dhe do të kërkoj qeverisje të pastër e transparente, mbrojtje të interesit publik dhe përparim të Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit europian. Nuk jam e sigurt nëse do t’ia dal gjithmonë, por një gjë dua të garantoj miqtë e mi që po më mbështesin sot: nuk do të hesht! Nuk do të jem deputete memece! Profeti Muhamed thotë se ai që hesht kur duhet të flasë është një djall memec. Unë do të bëj çmos të mos hesht përpara padrejtësive.
Informim.al : Nëse do t’i fitoni zgjedhjet, me kë do të qeverisni dhe cilat do të jenë prioritetet kryesore të qeverisë së re?
Unë jam pjesë e listës së Partisë Demokratike dhe do të mbështes plotësisht qeverinë e z. Basha që do të krijohet nga shumica e re pas zgjedhjeve të 25 prillit. Prioritetet e qeverisë së z. Basha janë shpalosur tashmë: mbështetje e gjerë për familjen, ulje e madhe e taksave, rritje ekonomike 5% në vit, shtim të punësimit dhe integrimit të të rinjve në tregun e punës, financim të arsimit për këdo që dëshiron të shkollohet por nuk ia lejojnë kushtet ekonomike, shërim të shërbimit shëndetësor, mbështetje e fortë për bujqësinë shqiptare dhe nxitje e investimeve të huaja direkte. Në fund, rezultati logjik i gjithë këtyre objektivave është anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në BE.
Informim.al: Si një praktikante e fesë islame a i gjeni ju parimet fetare tek forcat politike?
Partia Demokratike është forca politike që riktheu liritë fetare pas diktaturës. Mos harroni se përballë kemi një kundërshtar që akoma nuk ka kërkuar falje për shkatërrimin e xhamive dhe kishave, vrasjen dhe persekutimin e hoxhallarëve dhe priftërinjve dhe ndalimin e fesë me kushtetutë. Vitet e fundit kemi parë një restaurim të figurës së diktatorit dhe të simboleve të diktaturës komuniste nga përfaqësues të qeverisë socialiste. Është shqetësuese që këto ndodhin 30 vite pas rrëzimit të diktaturës dhe rikthimit të lirive fetare. Ndërkohë, është inkurajim për mua që Partia Demokratike e ka mbrojtur vazhdimisht të drejtën e njerëzve për të besuar, shfaqur dhe praktikuar besimin e tyre dhe ka vlerësuar përherë figurën e klerikëve të përndjekur.
Informim.al : Si jeni pritur nga besimtarët e tjerë, a e kërkoni votën e tyre dhe çfarë i premtoni atyre?
Kam marrë shumë mbështetje nga të gjithë miqtë, pavarësisht nga besimi i tyre fetar. Unë besoj se ne shqiptarët jemi bekuar nga aftësia për të vlerësuar virtytin dhe për ta konsideruar si pikë të fortë larushinë tonë fetare. Kërkoj votën e të gjithë qytetarëve që kërkojnë të sjellin ndryshim dhe shpresë. 8 vitet e kësaj qeverie kanë treguar më së paku se prej saj nuk mund të presim asnjë ndryshim dhe asnjë përmirësim.
Informim.al : Pse duhet përkrahur me votën e tyre Anduena?
Është e vështirë të flasësh për veten por besoj tek angazhimi i njerëzve të zakonshëm në jetën publike si një instrument për të mbrojtur interesin e tyre më të mirë. Si deputete, unë do të përfaqësoj zërin e njerëzve të zakonshëm. Për këtë arsye, bashkë me ekipin e vullnetarëve kemi nisur një fushatë për ngritjen e fondeve modeste për shpenzimet e kësaj fushate zgjedhore. Unë nuk dua të financohem nga oligarkë dhe dua që këtë liri që më jep mbështetja e njerëzve të lirë ta ushtroj plotësisht në Parlament nesër.
COMMENTS