Një përgjim është zbardhur nga mediat ditën e djeshme, ku hidhen dyshime të forta ndaj drejtoreshësh së IKMT-së, Dallëndyshe Bici. Në përgjimin e publikuar, një çift në qytetin e Sarandës, dëgjohet të dorëzojë një shumë parash për të hyrë ‘mik’ te drejtoresha, për të shpëtuar investimin e tyre dhe të marrë lejen për shfrytëzimin e plazhit, ose që të mos futet në rrethin e kuq të shembjes. Çifti ngul këmbë se veprimet e paligjshme në dëm të biznesit të tyre janë kryer në kundërshtim me ligjin, dhe inxhinieri ju shpjegon se ‘ata’ kanë ‘paguar’ për t’i dëmtuar dhe që ai thjesht do ‘pyesë nëse bëhet’, përndryshe do ju kthejë atyre paratë. Pavarësisht se nuk janë fakte shteruese, dyshimet se IKMT është kthyer në institucion presioni dhe shantazhi ku avantazhohet më i forti dhe ai që paguan më tepër, po bëhen gjithnjë e më të forta.
Raporti vjetor i Departamentit Amerikan të Shtetit, përmend institucionin e IKMT se ka shkelur disa herë ligjin duke shembur ndërtesa pa procedurë të rregullt. Në zonën e Laprakës ku po kryhen punime për rrugën si dhe në rrugën Myslym Keta, ka pasur kundërshtime të forta ndaj IKMT, e cila ka kryer shembje edhe pse ka pasur proces gjyqësor të hapur, duke i lënë banorët në rrugë. Në rastin e Laprakës, shtyrja e shembjes do vononte procedurat e ndërtimit të rrugës, kurse në rrugën Myslym Keta, situata është më e komplikuar. Shembja nisi në muajin nëntor me pallatin e parë, dhe të hënën e kësaj jave, në 19 dhjetor, për bllokun tjetër, me pretendimin se janë të dëmtuara në nivel DS5 nga tërmeti. Ndërkohë që banorët banojnë aty prej 2019 dhe ka prova të qarta se janë të banueshme.
Akoma nuk ka asnjë reagim të SPAK ose ndonjë institucioni tjetër ndaj këtyre fakteve të rënda në kurriz të një institucioni i cili ka në dorë fatet e pronave të shqiptarëve.
COMMENTS