Vrasja tek Ura e Dajlanit: aktivistët apelojnë për drejtësi

Vrasja tek Ura e Dajlanit: aktivistët apelojnë për drejtësi

Vrasja e Madrit Ulqinakut në Elbasan/ Familjarët kërkojnë trupin e tij
Arrestohet autori i krimit trefish, dënuar në 2007 për vrasjen e gruas së parë në Kukës
“17-vjeçari tentoi të mbronte të atin”/ Babai i kishte dalë djalit para kur mbaroi shkollën, u vranë në hyrje të një lokali.

Dita e djeshme mblodhi spontanisht në Durrës në Urën e Dajlanit, aty ku natën e 2 gushtit, u vra Luljeta Preza, 32 vjeçarja e komunitetit rom dhe egjiptian, prej dy personave tashmë të arrestuar nga policia. Ngjarja e rëndë tronditi opinionin publik për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike ku gjendej e reja, të jetuarit në rrugë dhe shfrytëzimi i saj për prostitucion nga persona të tjerë, që sipas raportimeve, e keqtrajtonin.

Disa aktivistë dolën dje me mbishkrime dhe pankarta si dhe ndezën qirinj në përkujtim të gruas. Në fund, ata mbajtën dhe fjalën e mëposhtme:

Luftë femicidit!
Në këtë vend, dy ditë më parë, u gjet trupi i pajetë i Luljeta Prezës. Gjithçka dimë rreth saj është që ajo kishte një jetë të mjerë, që u ndërpre dhunshëm nga dy burra, të cilët e shfrytëzuan deri në frymën e fundit. Katër ditë më parë u vra Luiza Ferati, e cila pavarësisht se kishte siguruar një urdhër mbrojtjeje, sërish mbeti viktimë e femicidit; ajo u vra nga bashkëshorti me të cilin ishte në proces divorci.

Prej vitesh kemi ngritur zërin kundër femicidit, këmbanë që bie thuajse çdo dhjetë ditë në Shqipëri. Vetëm gjatë këtij viti është vrarë: Zengjine Sinani, Hasime Dafku, Mevlute Hysa, Etleva Kurti, Zenepe Uruçi, Migena Sinani, Anila Ruçi, Danjela Neza, Xhesika Malaj, Alma Qevani, Zeniat Muhollari, Arjana Gllafçe dhe Marjola Myrtollari.

Numri rritet kur përfshijmë gratë nga Kosova apo Maqedonia e Veriut; shtohen emrat dhe histori thuajse të ngjashme; gra që nuk janë më mes nesh si pasojë e dhunës së ushtruar nga burrat e familjes së tyre, burrat me të cilët ato ndanin përditshmërinë e tyre.

Mes nesh nuk është më Hyrije Broqi – Hyseni, Jetmira Beka, Kimete Bekteshi. Në listat e gjata të femicidit, disa prej tyre nuk u dihet as emri, por veçse fundi i tyre tragjik.

Është shokuese për ne, që pas kaq shumë kohësh, vrasja e qëllimshme e grave nuk adresohet nga institucionet shqiptare. Kërkojmë prej pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ ta kthejnë femicidin në një debat politik dhe të ndërhyjnë në çdo instancë të mundshme që t’i jepet fund dhunës ndaj vajzave dhe grave të këtij vendi. Kur nuk e garantojmë të drejtën e jetës, çdo ligjërim mbi të drejtat e tjera na fsheh faktin që grave po u merret jeta çdo ditë.

Nuk mund të normalizohet femicidi, e as dhuna! Sot përsërisim njëzëri kërkesat e artikuluara këtë 8-mars, që fatalisht po bien gjithnjë e më shumë në vesh të shurdhët:

Ne kërkojmë prej strukturave shtetërore:
-Drejtësi për gratë e vrara – Rishikim të drejtësisë penale për viktimat e dhunës. T’i japim fund njëherë e mirë kulturës së mosndëshkimit të krimeve me bazë gjinore.

– Femicidi të trajtohet si urgjencë kombëtare: Funksionim të shtetit të së drejtës dhe dënim maksimal për dhunuesit dhe vrasësit e grave.

-Kërkojmë forcimin e shërbimeve mbështetëse për të mbijetuarat e dhunës: Më shumë strehimore shtetërore, linja telefonike falas për raportim, shërbime këshillimi dhe ligjore falas.

-Kërkojmë që shteti të promovojë barazinë gjinore dhe edukimin feminist në lëndë të posaçme të kurrikulave shkollore për të parandaluar dhunën dhe ndërgjegjësuar fëmijët, për të zhbërë stereotipet dhe dhunën gjinore.

Për të gjitha gratë e vrara: na mungoni jashtëzakonisht shumë! Nuk ka qetësi për ne, derisa të ketë drejtësi për çdo grua që sot nuk jeton më. Jeta e çdo gruaje ka vlerë absolute!

 

Për infomim.al, juristja Gjyljana Bakalli, u shpreh se ishte një organizim që erdhi spontanisht, pa organizata për të drejtat e gruas ose struktura të tjera të ngjashme.

“U ndjeva e trishtuar dhe e tmerruar per fatin e trishte te nje gruaje pjese e komunitetit rom qe gjendej e pastrehe dhe e detyruar te bente ate zgjedhje te veshtire per te mbijetuar.

Ndjeva qe duhej reaguar per kete fenomen te dhimbshem e qe nuk po njeh ndalim per grate e pambrojtura si ne rastin e Maliqit qe zonja u tha se kishte urdher mbrojtjeje e me shume dhe per rastin e Luljeta Prezes qe u largua nga jeta ne ate forme te dhunshme. Duhet reaguar jo vetem permes protestave, aksioneve publike, por duhen marre veprime konkrete nga instutucionet per te garantuar jeten e qytetareve shqiptare.” tha Bakalli.

Për informim.al, ajo tregon se nuk ishte në dijeni nëse ka pasur ditën e djeshme të pranishëm familjarë. Sidoqoftë, ajo nënvizoi mungesën e një reagimi të fortë qytetar.

“Shoqeria civile kishte interes per te reaguar dhe organizimi qe i shpejte per te reaguar. Njerezit e thjeshte na shihnin teksa mbanim pankarta apo flisnim perpara mediave, por pati pak reagime.”

COMMENTS

WORDPRESS: 0