Me një vendim të Këshillit të Ministrave, qeveria përcaktoi si Universiteti Mjekësor i Tiranës do përllogarisë tarifat për ata studentë të mjekësisë që nuk do pranojnë të nënshkruajnë kontratën e punësimit pas mbarimit të studimeve. Vendimi Nr. 527, datë 7.9.2023 thotë se studentët duhet të paguajnë gjithë shpenzimet për personel përfshirë kontribute, sigurim shëndetësor madje dhe shpërblimet ose ndihmat financiare që përballohen nga fondi shtesë. Veç këtyre, studentët duhet të paguajnë tashmë edhe për bursat e atyre që do studiojnë pa pagesë.
Në shpenzime indirekte do llogariten “Shpenzime kapitale për ndërtime dhe rehabilitime të godinave” e padëgjuar në institucione publike. Vazhdon absurdi ku në listë përfshihet edhe energjia elektrike dhe uji, kur dihet se janë shpenzime kryesisht të stafit, sigurimi i jetës i studentëve në shoqëritë e sigurimit në një kohë kur të jesh student mjekësie nuk ka asnjë rrezikshmëri objektive, si edhe baza e laboratorëve dhe pastrimit. Në këtë pikë, nuk mund të flasim më për arsim publik por për një insitutucion që vepron në tregun e lirë si private, e në këtë rast, në asnjë formë nuk mundet që të përfitojë nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. Fakti qëndron se UMT-së i jepet çdo vit zë në buxhetin e shtetit.
Në këtë pikë të vendimit, përfshihen edhe pritje-përcjelljet e delegacioneve dhe pedagogëve të huaj, një shpenzim i cili nuk ka pse rëndon një student.
Kujtojmë se arsyet e vendosjes së kontratës nga një në pesë vjeçare për studentët e mjekësisë vjen për shkak të largimit të studentëve menjëherë pas mbarimit të studimeve dhe në bazë të të dhënave, do penalizojë më tutje familjet e tyre. Studentët kanë protestuar ligjin, kanë dërguar peticione dhe kërkesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët. Fatkeqësisht, edhe me këtë vendim të përcaktimit të kostove të studimit, shohim një mungesë transparence dhe logjikë të mangët e cila nuk do ketë efektet e duhura për mbajtjen në vend të mjekëve, por më tej, largimin e tyre me çdo kusht, qoftë edhe duke paguar shifra të mëdha.
COMMENTS