Ndërron jetë 60-vjeçaria nga fshati Çinar, e identifikuar si Shpresa Cani në ambientet e Bashkisë së Lushnjes, e cila gjendej aty pasi prej muajsh nuk përfitonte ndihmën ekonomike. Ditën e sotme ajo kishte shkuar pranë bashkisë për të mësuar arsyen e refuzimit të përfitimit të ndihmës ekonomike. Për këtë gjë, ka kontaktuar drejtepërdrejtë me kryetaren e Bashkisë, Eriselda Sefa. Por sapo ka mbaruar takimin është ndjerë keq dhe është rrëzuar në tokë. Ambulanca e spitalit të Lushnjes mbërri në ambientet e bashkisë vetëm për të konstatuar vdekjen e saj.
Një numër i konsiderueshëm i familjeve të varfëra përjashtohen pa asnjë arsye të qartë nga përfitimi ndihmës ekonomike. E vetmja arsye sipas administratorëve social është se, familjet nuk marrin pikët e duhura për të përfituar ndihmën ekonomike.
Sistemi pikëzimit ka qenë një problem i madh në periudhën e pilotimit të kësaj skeme të re të përfitimit të ndihmës ekonomike, por edhe pse ky problem iu bë me dije ligjvënësve sërish sistemit nuk iu bë asnjë ndryshim edhe kur skema u shtri në të gjithë vendin. Ndaj, sot shohim familje që përjashtohen pa arsye nga ndihma ekonomike si rasti zonjë Cani.
Për Informim.al, aktivisti Gentian Sejrani u shpreh se, ‘referuar buxhetit të shtetit pë vitin 2023 të miratuar nga parlamenti, rreth 3000 familje nuk do të jenë më përfitues të ndihmës ekonomike. Aktualisht, numri i familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike është 67,000 dhe sipas buxhetit për vitin 2023 numri i familjeve që do të trajtohen me ndihmë ekonomike do të jetë 64,000’.
Sipas Sejranit, sistemi pikëzimit programohet sipas buxhetit që përcaktohet. Pra, nuk mund të themi se e ka problemin sistemi por e ka buxheti i përcaktuar.
Në këtë situatë, ajo që i mbetet familjeve të varfra si zgjidhje, është largimi nga vendi për të kërkuar azil në vendet e BE-së, shton më tej Sejrani.
COMMENTS