2021 është viti ku të gjithë po presim një dritë shpresë për më mirë, pas një sfide që ende po e kalojmë me vështirësi të mëdha, por që në ditët e para të tij ky vit na sjell një rritje të çmimeve, sidomos të cigareve, miellit dhe vajit në pikat e pakicës në vend.
Kështu, çmimet e paketave të cigareve u shtrenjtuan me 10 lekë si rrjedhojë e rritjes së akcizës nga 1 janari me 5 lekë, ndërsa çmimi mesatar për paketë shkoi në 260 lekë ose 4 % më shumë se më 2020.
Tregtarët e pakicës raportuan se çmimi i vajit vegjetal për gatim është rritur me 20 lekë për litër ose 12.5%. Një kilogram kushton aktualisht 180 nga 160 lekë që ishte më parë. Çmimi i miellit u rrit me 6 % ose 300 lekë për kuintal. Tani 100 kilogram miell kushtojnë 5,300 lekë nga 5,000 lekë dhe më pak që ishin përgjatë 2020.

Foto ilustruese
Por, cila është arsyeja e rritjes së këtyre çmimeve që në fillim të vitit?
Importuesit treguan se pandemia solli një problematikë të shumëfishtë në sektorët e prodhimit kudo në Evropë. Rusia, një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të grurit kufizoi eksportet për të krijuar rezerva të brendshme nga frika e pandemisë. Ky veprim rriti çmimet e grurit në tregjet ndërkombëtare. Rusia dhe Serbia janë furnizuesit kryesor të grurit në vendin tonë.
Nga ana tjetër, grosistët e vajit dhe grurit u përballen me çmime më të larta qe në furnizimet e vitit 2020, por ato transferuan një pjesë të rritjes së çmimit për vitin e ri financiar 2021. Ndërsa për cigaret rritja e çmimeve buron nga masat që qeveria mori që vitin 2017, duke miratuar një kalendar për rritjen e akcizës vit pas vit deri më 2021. Sipas këtij kalendari akciza në vitin 2021 arriti në 6500 lekë për 1000 copë cigare nga 6250 lekë që ishte vitin e kaluar. Rritja e akcizës për cigaret është një nga politikat e përdorura për frenimin dhe uljen e konsumit të cigareve nga popullata si produkt me efekte negative në shëndet duke rritur çmimin e shitjes së tyre.
Mirëpo në rastin e Shqipërisë rritja e akcizës shoqërohet me rritje të kontrabandës, siç edhe ka ndodhur që kur kjo politike e taksave me rritje ka nisur të aplikohet. Ministria e Financave ka sqaruar se me qëllim përafrimin e mëtejshëm me Direktivën e BE 2011/64, e cila përcakton nivelin minimal të akcizës për cigaret të paktën 90 euro për 1000 cigare, riskedulimi i rritjes siguron një politikë të qëndrueshme taksimi sipas standardeve të BE-së.
Ndërsa artikujt e mallrave të tjera të shportës ushqimore po shiten më të njëjtat çmime si më 2021. Oferta më e lartë me prodhime vendi i ka mbajtur çmimet stabël për këtë sezon, teksa kërkesa ka pësuar rënie.
Përshtatur nga Informi.Al / Burimi: Monitor.Al
COMMENTS