Konsumatori shqiptar gjithnjë e më shumë po mashtrohet nga prodhuesit vendas dhe jo vetëm. Një përdorim të gjerë në industrinë ushqimore të vendit tonë po gjen edhe përdorimi në masa të mëdha i qumështit pluhur dhe vajit të palmës.
Etiketimi i produkteve ushqimore dhe percaktimi i shtesave në to është një detyrim ligjor që prodhuesit duhet ta zbatojnë por realiteti është krejt ndryshe.
Nga një vëzhgim i bërë nëpër marketet tona vërejmë se në shumicën e produkteve vaji i palmës mungon në etiketim. Në disa raste shënohet edhe si “vaj vegjetal” pa e përcaktuar llojin e tij.
Disa ditë më parë, AKU tregoi se si një prodhues vendas kishte futur mijëra ton vaj palme dhe nuk e justifikonte përdorimin e tij, edhe pse në kartën teknologjike e kishte të shënuar së kjo yndyrë bimore duhet të përdoret jo më shumë se 20% në produktet e qumështit.
Po të shohim me kujdes pakot me biskota, akulloret që fëmijët e shijojnë aq shumë, çokollatave , patatinave – të gjitha këto përmbajnë vaj palme. Në fakt, pothuajse të gjitha kompanitë e njohura si Nestle, Haribo, Kellogs, Mars, Procter & Gamble, Unilever dhe shumë të tjera e përdorin vajin e palmës në një mënyrë apo në një tjetër në produktet e tyre, duke përfshirë këtu edhe produkte kozmetike dhe të higjienës si buzëkuqë, shampo dhe detergjentë.
Ky përbërës është i njohur për koston e tij relativisht të ulët, përdorimin e përshtatshëm në një sërë industrish dhe qëndrueshmërinë e tij në kohë, duke i zgjatur kështu jetën produkteve të ndryshme ushqimore. Kërkesa për vajin e palmës, në vitin 2050 do të rritet në nivelin e 240 milion tonë.
Vaji i palmës ka nivel të lartë yndyrë të plotë. Yndyra e plotë, apo e ngopur, lidhet me nivelet e larta të kolesterolit të cilat mund të çojnë në sëmundje kardiovaskulare. Pra edhe nëse shmanget nga konsumi i tavolinës, në mënyrë indirekte konsumohet vaj palme në sasi serioze, madje disa herë më tepër se vajra të tjerë bimorë. I fshehur bukur nën etiketa shumëngjyrëshe të ëmblash a të kripurash, vaji i palmës hyn tek rreziqet e kolesterolit dhe sëmundjeve të zemrës.
Sipas Fondit Botëror të Kafshëve të egra, një hapësirë pyjesh ekuatoriale, me madhësinë e 300 fushave futbolli, shpyllëzohet çdo orë për të hapur toka të reja për plantacionet e vajit të palmës. Ose e thënë ndryshe, një hapësirë sa e gjithë Tirana, shkatërrohet plotësisht çdo 19 orë për këtë qëllim. Ndërkohë, plantacione të reja po krijohen dhe ato ekzistuese po zgjerohen në vende si Indonezia, Malajzia dhe vendet e tjera aziatike si dhe në Afrikë dhe Amerikën Latine.
Në tetor, bizneset dhe OJQ-të kryesuese në Konferencën Europiane të Vajit të Palmës, të mbajtur në Milano, arritën një konsensus të fortë në rëndësinë e vajit të çertifikuar e të qëndrueshëm (EPOC2015) si dhe lançuan Platformën Italiane të Vajit të Palmës. Vaj palme i çertifikuar dhe i qëndrueshëm është ai që është kultivuar dhe rritur në plantacion të menaxhuar sipas parimeve dhe kritereve të dala nga Tryeza e Diskutimeve mbi Vajit të Qëndrueshëm të Palmës.
Këto 8 parime janë:
- përkushtim ndaj transparencës,
- përputhshmëria me ligjet e zbatueshme,
- angazhim për qëndrueshmëri afatgjatë ekonomike dhe financiare,
- përdorimi i praktikave më të mira të kultivuesve dhe përpunuesve,
- përgjegjësia mjedisore dhe ruajtja e burimeve natyrore dhe biodiversitetit,
- përgjegjësia ndaj të punësuarve,
- zhvillim shumë i ndërgjegjshëm dhe i kontrolluar i plantacioneve të reja,
- angazhim për përmirësim të vazhdueshëm të fushat kyçe.
Vaji i palmës është plot me yndyrna të ngopura të cilat rrisin edhe më tej nivelin e kolesterolit dhe ndihmojnë në bllokimin e enëve të gjakut. Me kalimin e kohës, përdorimi i vajit të palmës të çon drejt goditjeve në zemër dhe infarkteve.
Gjithashtu ai përmban acid palmitik që është një yndyrë krejt e ngopur. Studiuesit e cilësojnë vajin e palmës si një zgjedhje shumë më e rrezikshme edhe se vetë gjalpi më yndyror.
Përveç ndikimit në shtimin e peshës trupore dhe rritjes së kolesterolit, vaji i palmës është gjithashtu fajtor në rritjen e presionit të gjakut, sidomos nëse konsumohet në formën e nxehtë të tij, pra në përbërje të produkteve të pjekura apo të skuqura.
Organizmit tonë ndoshta do t’i duhen edhe disa vite për të përcaktuar dëmin e vërtetë të shkaktuar prej përdorimit pa kriter të vajit të palmës.
COMMENTS