Tre vite pas diplomimit në Shqipëri ose 5500 euro tarifë vjetore, plani i ministrisë për mbajtjen e mjekëve nuk gjen mbështetje

Tre vite pas diplomimit në Shqipëri ose 5500 euro tarifë vjetore, plani i ministrisë për mbajtjen e mjekëve nuk gjen mbështetje

Nxënësit romë dhe egjiptianë vuajnë pasojat e segregimit në shkollat shqiptare
Librat e shkollës, më të shtrenjta. Çmimet, 2-35 për qind më të larta
Qeveria cakton me VKM kredinë studentore 8 vite pas hyrjes në fuqi të ligjit për arsimin e lartë

Në një takim konsultativ pranë Fakultetit të Mjekësisë, ministrja Evis Kushi ka shpalosur planin e Ministrisë së Arsimit për të “bindur” studentët e mjekësisë që të punojnë në Shqipëri pas diplomimit, aty ku Ministria e Shëndetësisë do t’i caktojë.
“Një student i mjekësisë na kushton shumë ne si shtet, aktualisht familjet e tyre vetëm paguajnë 1/13 të buxhetit të harxhuar për t’i shkolluar këta studentë, kurse taksapaguesit shqiptarë pjesën tjetër.” tha zj. Kushi gjatë konsultimit publik. “Ne nuk mund t’i lejojmë ata që të ikin pa i shërbyer atdheut, sepse kjo është dhe një tregues patriotizmi.” vazhdoi ministrja.

Në mbledhjen me studentë të Fakultetit të Mjekësisë së bashku me prof. Arben Gjata, Rektor i UMT, prof. Xheladin Draçini, Dekan i FM, si dhe ministren e shëndetësisë Manastirlliu, ministrja Kushi nënvizoi nevojën e vendosjes së kësaj tarife për të ndalur rrjedhjen e mjekëve jashtë vendit. I intervistuar nga informim.al, studenti i vitit të fundit, njëkohësisht aktivist i shoqërisë civile, Eliot Sulçaj është informuar se takimi ka qenë me dyer të mbyllura dhe se pjesëmarrësit studentë janë përzjedhur paraprakisht. Në grupet e krijuara në formë dixhitale, studentët në masë janë shprehur kundër këtij plani.
“Nuk ka kuptim që studentët të jenë dakord me rritje mbi 10 herë të tarifës ose mbajtjes peng tre vjet në Shqipëri të tyre, aty ku do ketë nevojë Ministria e Shëndetësisë.”
Sipas tij, reagimet janë në shumicë kundër dhe i shkon një logjike të thjeshtë. Si rrallëherë, edhe postimi në rrjetin social facebook i ministres Kushi ka një numër shumë të lartë të reagimeve negative, dhe të reagimeve ndaj komenteve të zakonshme pozitive.

No photo description available.

Eliot Sulçaj, student i vitit të fundit mjekësi

“Është e palogjikshme që një student të dojë rritjen e tarifës përtej mundësive të një familjeje shqiptare,” thekson Sulçaj, i cili ka reaguar në faqen e tij në facebook menjëherë pas këtij takimi.

Në lidhje me këtë ndërhyrje, Eliot Sulçaj ngre pikëpyetje në efektivitetin afatgjatë të saj.
“Së pari, mjekët që mungojnë më tepër në spitalet rajonale janë specializantët, të cilët nuk preken nga kjo ndërhyrje. Për ata mjekë të përgjithshëm që do duhet të rrinë tre vite në vend, nëse nuk iu përmirësohen kushtet e punës, ka shanse që plani të ketë efekt bumerang dhe të rrisë emigrimin e tyre. Mbushja me mllef nga detyrimi për të qendruar diku ku nuk duan, mundet të ketë një efekt të kundërt.”

Në të kundërt, vendosja e kësaj tarife mundet që të ndikojë në uljen e numrit të studentëve që nisin shkollimin në UMT. Ministrja Kushi tha se do ketë një rritje të kuotave të pranimit, por nëse interesi për të nisur një shkollë brenda vendit bie, do mbeten kuota të paplotësuara, që si fillim, sipas Sulçaj, do mbushen me nivel më të dobët të studentëve të pranuar.

“Nëse një student ka në plan të emigrojë, ai nuk ka pse e nis shkollën në Shqipëri sepse kostot me shkollimin për shembull në Gjermani, do përfundojnë në të njëjtën vlerë. Nga ana tjetër, për studentët në vitet e tjera, vendosja e kësaj tarife është një goditje e madhe psikologjike. Duhet të kemi parasysh se paga mesatare aktualisht në Shqipëri është 520 euro dhe kjo do të thotë që gjithë rroga vjetore e një prindi do shkojë vetëm për pagesën e shkollës. Nëse një student është në mes të shkollimit të tij, do jetë shumë e vështirë për të për ta vazhduar shkollën. Familjet e këtyre studentëve kanë bërë një llogari paraprake kur e dërguan të studiojë në atë shkollë dhe goditja do jetë e madhe.”

Një pikë ku ministrja Kushi vuri theksin ishte qëndrimi i saj se të shërbesh si mjek në vendin që të shkolloi është detyrë patriotike. Edhe këtu, Sulçaj ka rezerva.
“Në një vend ku shihet se ka shpërdorime të mëdha të taksave të mbledhura, me skandale të njëpasnjëshme, është shumë e vështirë që të shihet qëndrimi tre vite me detyrim si përmbushje e një detyrimi patriotik ndaj atdheut. Përkundrazi, shtyn gjithnjë e më tepër të rinjtë që të emigrojnë dhe të largohen sa më parë, në mënyrë që të mos mbeten peng dhe të lidhur pas një sistemi që i përdor për interesat e veta.

Të dhëna të marra nga europe-studies.com, tregojnë se universitete që ofrojnë studime për mjekësi në gjuhën angleze në Europë kanë tarifa vjetore të përafërta me atë që planifikohet të vendoset në Shqipëri. Niveli i mësimdhënies dhe vlera e diplomës vihen lehtësisht në diskutim në këtë krahasim, duke marrë parasysh që universitetet në BE janë të gjitha të njohura mes vendeve anëtare. Nëse UMT është akredituar vetëm së brendshmi dhe diploma nuk njihet në asnjë vend tjetër të botës veç Shqipërisë dhe kërkon gjithnjë njohje të saj që përkthehet në kosto shtesë për studentët, është e vështirë që të mundet të kemi një vend për krahasim midis tarifave të këtyre universiteteve dhe UMT-së.

Ndërsa konsultimi publik vazhdon, pritet marrja e një vendimi nga ana e ministrive, ku do vendoset dhe fati dhe i shumë studentëve të fakultetit më të kërkuar në Shqipëri.

COMMENTS

WORDPRESS: 0