Në seancën e fundit për këtë sesion parlamentar, Kuvendi mbylli punimet në orët e para të mëngjesit, pas debateve në sallë dhe në protestën e studentëve të mjekësisë. Të tre ligjet e shumëdebatuara, përfshirë kultivimin e kanabisit mjekësor, u miratuan me shumicë, ku vihet re abstenimi i disa deputetëve të PS.
Ligjet u kaluan në orën pesë të mëngjesit të ditës së sotme. Ligji që i zgjat mandatin Gjinushit, ishte futur në rend dite nga PS me shpejtësi rekord, dhe sipas deputetit Berisha, jashtë rregullores sepse kërkohet të paktën 48 orë që të mund të kalohet një ligj në rend dite. Shpejtësia për ta kaluar ligjin mund të shpjegohet se me ligjin aktual, Skënder Gjinushit nuk i lejohej të vazhdonte në krye të Akademisë së Shkencave. Kujtojmë njëkohësisht se ASH iu vendos nën kontroll ASA, me një VKM jashtë përcaktimeve ligjore të institucioneve të arsimit të lartë. Ish-kryeministri Berisha akuzoi Ramën se po merr pjesë në një aferë me Gjinushin dhe Doshin për të vënë nën kontroll këto institucione për qëllime përfitimi.
Studentët e mjekësisë kanë qëndruar para dyerve të Parlamentit deri në orët e vona, e kërkesës së tyre për t’u përfshirë në debat në kuvend, nuk iu dha asnjë përgjigje. Ligji u miratua pavarësisht protestës së tyre.
COMMENTS