“Thuaja emrin”, “Mos e vrit nënën time”, “Dhuna në familje është krim”, ishin disa nga thirrjet e aktivisteve, grave, vajzave dhe qytetarëve që i’u bashkuan marshimit #përgruan në qytetin e Elbasanit.
Vetëm një javë më parë, të premten e kaluar u vra Liljana Buzo nga bashkëshorti i saj ish polic, përpara dyerve të Gjykatës së Rrethit Elbasan.
58 vjeçari, Koço Buzo qëlloi me disa plumba bashkëshorten, e cila humbi jetën dhe plagosi edhe 3 persona te tjerë. Në vendngjarje ishin edhe 2 djemtë e çiftit të cilët pavarësisht përpjekjeve nuk arritën ta ndalonin atë.
Kjo ngjarje e rëndë tronditi opinionin publik dhe organizatat në mbrojtje të të drejtave të njeriut, të grave dhe aktivistë të shoqërisë civile organizuan një marshim ditën e sotme nga sheshi i qytetit drejt Gjykatës së Rrethit .
Qëllimi i këtij marshimi ishte ndërgjegjësimi dhe sensibilizimi i qytetarëve që të reagojnë në rastet e dhunës ndaj grave dhe të ndalohet vrasja e tyre.
Me pankarta në duar dhe thirrje për të mbrojtur gratë dhe vajzat ata shprehen se beteja e tyre do të vazhdojë.
“Ne nuk jemi numër.Kemi një jetë për të jetuar dhe ne duhet ta jetojmë atë denjësisht. Askush nuk ka të drejt të na i cënojë atë , të na e dhunojë dhe të na i marrë atë.”
Në Shqipëri vetëm në 5 muaj janë vrarë nga bashkëshortët e tyre 6-të gra.
Pavarësisht nëse keto gra të dhunuara e kanë denoncuar ose jo dhunën ndaj tyre nuk arritën të mbijetonin.
Kthetrave të dhunës të çfarëdolloj forme nuk arriti ti mbijetonte as Liljana Buzo, as Irvana Hykaj Demiraj, as Dorina Alla, as Thëllëza Shirja, as Kristina Bardhi e as Zhaneta Metani.
Vrasjen e Liljanës në dyert e Gjykatës aktivistet ja faturojnë shtetit, i cili ka dështuar për të garantuar të drejtën themelore të njeriut, atë të jetës.
“Vrasja e Liljana Buzos nuk ishte thjehst ‘një tjetër vrasje’, asnjë krim nuk mund të jetë vetëm ‘një tjetër’ i radhës, në qerthullin e dhunës që grave u’a shkatërrojnë dhe marin jetën. Por vrasja e Liljanës ashtu sikurse ajo e Fildeze Hafizit në 2017 janë mbase edhe simboli më ulëritës i dështimit kryekëput të shtetit, në garantimin e mbrojtjes së jetës së grave. Këto dy vrasje jo vetëm tregojnë intensitetin fatal të dhunës patriarkale, por edhe faktin tronditës që shteti i pari nuk ka fuqi të na mbrojë.”
Aktivistët gjithashtu simbolikisht ndezën qirinj dhe vendosën lule në vendin ku u vra Luljeta, dukë ngritur zërin se janë institucionet që dështojnë, pavarësisht faktit që ligjet janë të mira, zbatimi I tyre uk u siguron jetën vajzave e grave të dhunuara e të kërcënuara.
Një ndër personat e pranishëm në vendngjarje në momentin ku ndodhi sulmi tregon për informim.al se z. Buzo nuk mund të reflektonte. “Pasi ka qëlluar me plumba në drejtim të gruas ka arritur të shpëtojë dhe ta sulmojë edhe me thikë dhe kjo që them mund të vërtetohet edhe nga ekspertiza. Për neutralizimin e autorit ka ndërhyrë një efektiv policie por duke qenë se agresori nuk ndalonte së gjuajturi polici eshtë shtrirë në tokë. Për ta parandaluar janë përpjekur dy djemtë e tij të cilët e mbanin për krahësh pa arritur ta ndalonin të gjuante. Dhe njëri mga djemtë tashmë ndodhet në gjendje të renduar psikologjike për shkak të shokut që ka përjetuar.”- shprehte qytetari nga Elbasani.
COMMENTS