Mjafton të hedhësh një sy nëpër rrugët e Tiranës që të kuptosh se për disa fëmijëria nuk ekziston. Të mitur, por edhe fëmijë të moshes 4, apo 5 vjeçare ka kohë që enden të braktisur dhe veçanërisht në pikat e semaforëve e kalojnë ditën duke lypur. Janë fëmijë pa fëmijëri, të cilët që kur erdhën në jetë shfrytëzohen për efekt përfitimi.
Një pjesë e tyre thjesht kërkojnë para, ndërsa një pjesë tjetër kërkon para kundrejt ndonjë shërbimi të vogël. Pjesa më e madhe i përket komunitetit rom. Vijnë nga familje me kushte ekstremisht të varfëra, nga prindër të cilët shpesh i shohin fëmijët si mënyra e vetme për të për të përfituar të ardhura, duke qenë edhe ata pa njw rrugëzgjidhje.
Sa është numri i këtyre fëmijëve në kryeqytet? Ku dhe si jetojnë ata? A kujdeset njeri kur janë sëmurë, apo edhe kur zhduken një ditë të bukur?
Erion Veliaj, dy vite më parë i konsideroi fëmijët e rrugës si prioritet që kërkonte zgjidhje. Deri më sot ky vazhdon të jetë një problem i pazgjidhur.
Në fillim të muajit nëntor, Bashkia Tiranë shpalli tenderin për dixhitalizimin e procesit të indentifikimit dhe raportimit të fëmijëve të shfrytëzuar ekonomikisht dhe në situatë rruge, me një vlerë/ fond limit 5 800 003,00 lekë.
Kompania fituese ka detyrim që me këtë fond të krijojë një sistem identifikimi, përmes sigururimit të 10 pajisjeve – tableta dhe të trajnojë për një jave përdoruesit e tyre.
Fondi do të shërbejë dhe për mirëmbatjen e sistemit për 2 vjet.
E ndërkohë që do të bëhet identifikimi i kësaj kategorie fëmijësh a ka Bashkia e Tiranës një plan për atë që do të ndodhë më pas me ta? Sa është kapaciteti i qendrave sociale të Bashkisë së Tiranës për të mbatur këta fëmijë? Sa është numri i vendeve të punës që mund t’i ofrohet prindërve të fëmijëve të rrugës?
inFormim.al, bazuar në Ligjin nr.199/2014 “Për të drejtën e informimit” i ka dërguar Bashkisë Tiranë kërkesën për marrjen e këtyre informacioneve.
COMMENTS