Zgjedhjet e përgjithshme apo ato lokale janë mundësia që çdo qytetar ka për të marrë pjesë në procesin demokratik dhe për të ndryshuar realitetin ku jeton. Ky vullnet legjitim duket se nuk ushtrohet siç duhet nga pjesëtarët e komunitetit Rom dhe Egjiptian.
Për të krijuar një panoramë të përfshirjes së komuniteteve rome dhe egjiptiane në procesin më të rëndësishëm politik të vendit, Informim.al publikoi pyetësorin “Pjesëmarrja e komunitetit Rom dhe Egjiptian në zgjedhjet e 25 prillit, 2021” përmes platformës së Angazhimit të Qytetarëve në Raportim, ECR.
Pyetësorit iu përgjigjën 98 anëtarë të komunitetit në qytetet e Shkodrës, Tiranës, Elbasanit, Beratit dhe Korçës.
Pjesa më e madhe e të anketuarve deklarojnë se se politikanët e të gjithë spektrit politik u qasen me premtime gjatë periudhës parazgjedhore, por ata zhduken me përfundimin e votimeve dhe premtimet ‘i merr era’.
Sipas përgjigjeve të mbledhura nga Informim.al, kjo pritet të sjellë një rënie të pjesmarrjes në votime; pasi 88% e të anketuarve kanë deklaruar se kanë marrë pjesë në votimet e vitit 2017 në raport me 73% që pohojnë se do t’u drejtohen kutive të votimit më 25 prill.
Varfëria dhe ekonomia
“Gjatë gjithë jetës sime kam jetuar në varfëri. I kam provuar të gjitha sistemet, partitë politike dhe politikanët. Kam votuar deri në zgjedhjet e 2017, por nuk do ta bëj më. Askush nuk më ka ndihmuar. Nuk më kanë dhënë, kurrë, atë që meritoj. As pension, as asistencë. Mbijetoj duke mbledhur kanaçe,”tha një qytetare nga Tirana në pyetësorin e Informim.al.
Varfëria është një hall i përbashkët i anëtarëve të komunitetit Rom dhe Egjiptian dhe 52 nga 98 personat e anketuar e kanë renditur atë si problemin kryesor me të cilin përballen.
Në rastin e familjeve rome dhe egjiptiane, niveli i varfërisë është shumë i lartë dhe me kalimin e viteve është thelluar hendeku në raport me popullsinë në shumicë.
“Problemi më i madh për ne ështe varfëria. Po nuk pate lekë, nuk ke se çfarë bën,”thotë një tjetër qytetar nga Korça.
Papunësi e lartë
Niveli i varfërisë për këtë komunitet shpjegon edhe vështirësitë e tyre me punësimin. Faktorët që ndikojnë në problematikën e punësimit të komunitetit Rom dhe Egjiptian janë të shumtë. Nëse do të përmendim dy më kryesorët ato janë – diskriminimi (i drejtprdrejtë dhe i tërthortë) dhe mungesa e programeve të mirëfillta integruese nga ana e qeverisë.
Nga 98 personat e anketuar, 27 prej tyre e rendisin punësimin si një ndër problematikat që ata hasin më shpesh në përditshmërinë e tyre dhe kjo në harkun kohor të 30 viteve.
“Unë që nga viti 2016 jam i papunë dhe shteti asnjëherë, as mua, as gruas sime nuk na ka ofruar punë. Nuk duam lëmoshë apo mëshirë , duam punë, dinjitet, të na dëgjohet fjala,” shprehet një qytetar egjiptian nga Elbasani.
Edhe në ato pak raste kur një pjesë e tyre punësohet, ajo është “në të zezë”. Ata gjithnjë, përpiqen të sigurojnë mbijetesën nga ndihma sociale, apo grumbullimi i mbetjeve të riciklueshme. Kjo e fundit në disa bashki konsiderohet “aktivitet i paligjshëm” dhe “kundravajtje në fushën e mjedisit,” sipas Vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës me nr.156 datë 21.12.2018.
Strehimi
Kushtet e strehimit të anëtarëve të komunitetit Rom dhe në një masë më të vogël të komunitetit egjiptian, konsiderohen prej tyre si “të rënda” apo “të vështira”. Mjediset ku ata banojnë janë kryesisht të vjetra, në formë barakash, apo lagjesh “geto”. Nuk ka një hapësirë të mjaftueshme për familjet e mëdha; nuk ka komoditet; ka mungesë të ujit të pijshëm, apo kushteve më minimale higjieno-sanitare; mungojnë shërbimet kryesore komunale, ndër të cilat më problematikja është mungesa e rrugëve të shtruara.
Nga të dhënat e mbledhura në terren, anëtarët e minoritetit Rom dhe Egjiptian kanë gjithashtu probleme me legalizimin e banesave.
26 të anektuar i cilësojnë këto probleme si kryesore, ndërsa 28.8% e të anketuarve shprehen se strehimi dhe zvarritja e procesit të legalizimit është një problem që nuk gjen zgjidhje dhe nuk do të gjejë zgjidhje ndonjëherë. Shkelja e afateve ligjore dhe mostrajtimi i praktikës së legalizimit si dhe nevoja për t’i legalizuar objektet e tyre të banimit, i shtyn këto komunitete në qasjen për të votuar subjektet politike që do t’i pajisin me legalizim dhe certifikata pronësie.
“Do të votojmë për atë që na legalizon shtëpinë,” tha një qytetar rom nga Tirana.
Arsimi
Arsimimi është një tjetër problem i madh për komunitetit rom dhe egjiptian. Pamundësia për të pasur aksesin e duhur në sistemin arsimor sjell një sërë problematikash zinxhir. Shumë nxënës romë/egjiptianë, për shkak të varfërisë, nuk i kanë kushtet e përshtatshme në shtëpitë e tyre për përgatitjen e detyrave shkollore. Gjithashtu, niveli arsimor i prindërve të tyre ndikon, pasi ata nuk janë në gjendje për t’i asistuar në këtë proces. Për më tepër, një pjesë e madhe e fëmijëve romë janë të detyruar të braktisin shkollën dhe të punojnë në moshë të mitur për të ndihmuar familjet.
11 nga 98 persona të intervistuar e rendisin edhe arsimin si një ndër problematikat më të mprehta. Periudha e pandemisë, më shtimin e pamundësive financiare, e thelloi hendekun mes fëmijëve të këtij komuniteti dhe sistemit arsimor.
Lexo në informim.al “Pandemia e COVID-19 thellon hendekun në arsim për fëmijët romë dhe egjiptianë”
Shëndetësia
Në Shqipëri, gjendja shëndetësore e romëve dhe egjiptianëve është më e keqe se ajo e popullsisë në shumicë. Kjo pasqyrohet edhe në vdekshmërinë e lartë dhe jetëgjatësinë e ulët të komunitetit. Shkaqet e gjendjes jo të mirë shëndetësore lidhen me varfërinë, kushtet e vështira të jetesës dhe mungesën e infrastrukturës bazë, mundësinë e kufizuar në shërbimet shëndetësore, nivelin e ulët arsimor dhe disa forma të diskriminimit.
Fëmijët romë dhe egjiptianë janë një nga grupet më të rrezikuara përsa i përket shëndetit, çka duket edhe në nivelet më të larta të vdekshmërisë foshnjore. Kjo shpjegohet kryesisht me kequshqyerjen, kushtet e vështira të jetesës dhe mungesën e kujdesit shëndetësor prenatal dhe preventiv, nivelin e ulët arsimor, martesat dhe lindjet e hershme.
Shëndeti i grave shtatzëna dhe i nënave të reja është një shqetësim tjetër i madh, sipas një studimi të UNDP për vlerësimin e nevojave të komuniteteve rome dhe egjiptiane në Shqipëri.
Të dhënat e mara nga 98 të anketuarit në 5 qarqet, tregojnë se 25 prej tyre e cilësojnë pamundësinë e një kujdesi shëndetësor dinjitoz si problem shumë të madh.
Korrupsioni
Komuniteti rom dhe egjiptian e ka përjetuar dhe pësuar fenomenin e korrupsionit dhe të pabarazisë gjatë 30 viteve të fundit. Për shkak të nivelit të ulët arsimor atyre shpeshherë ju mohohen shërbime, të cilat duhet tu ishin garantuar me ligj. Gjithashtu, ata kanë humbur besimin të përfaqësuesit politikë dhe pesonat e zgjedhur si liderë komuniteti. Sipas tyre të gjithë punonjë për xhepat e tyre. Nëse do të ishte ndryshe, ata nuk do të ishin në të njëjtin nivel varfërie në 30 vite tranzicion. 16 persona nga 98 të anketuar kanë përmendur korrupsionin si një ndër problematikat me të cilat ndeshen në përditshmëri.
Pavarësht gjendjes ekonomike, problemet shëndetësore, të arsimit, papunësisë, korrupsionit, pjesa më e madhe e komunitetit Rom dhe Egjiptian thonë se do ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës të dielën.
Të dhënat e mbledhura tregojnë se pjesëmarrja e komunitetit Rom dhe Egjiptian në zgjedhje do të jetë e lartë, por e krahasuar më zgjedhjet e vitit 2017 ka pësuar rënie.
Tabela me të dhënat në %, për 5 qytete në zgjedhjet 2017

Fig. 1.Pjesëmarrja e komunitetit rom dhe egjiptian në Zgjedhjet e 2017
Si do të jetë pjesëmarrja e komunitetit egjiptian në zgjedhjet 2021

Tabela me të dhënat në %, për 5 qytete për zgjedhjet 2021

Fig.1.1.Si pritet pjesëmarrja e minoritetit rom dhe egjiptian në zgjedhjet 2021
Në vitin 2017 kanë votuar 88.36% e personave të intervistuar nga informim.al, ndërsa për vitin 2021 shprehen se do të votojnë 70.30% e tyre pra 18% më pak.
Arsyet që i kanë mbajtur dhe mbajnë larg kutisë së votimit pjesëtarët e komunitetit rom dhe egjiptian, janë pakënaqësitë me situatën dhe mosbesimi për zgjidhjen e tyre – strehimi, ekonomia, papunësia, shëndetësia, arsimi, korrupsioni.
“Ne jemi takuar shumë rrallë me zyrtarë publikë, ose me përfaqësues të institucioneve. Për shembull kemi takuar personin përgjegjës për ndihmën ekonomike, strehimin. Ata nuk na kanë dhënë zgjidhje. Nuk jemi përfshirë në angazhime të tjera, as ato politike. Për ne nuk ka shpresë,edhe sikur të votojmë. Askush nuk bën gjë për ne. Cilado parti politike të vijë në pushtet, për ne nuk ka asnjë ndryshim. asgjë të mire nuk do të bëjnë për ne. Ne nuk kemi më besim tek partitë e as te kandidatët,”- shprehet një qytetare rome nga Korça.
Për aktivisten rome nga Korça, Eriola Struga komunikimet e saj me anëtarëve të minoritetit rom dhe egjiptian tregojnë se pjesëmarrja në zgjedhje është në rënie. Arsyeja është se ata janë të lodhur nga premtimet boshe e të pambajtur gjatë gjithë këtyre viteve. Nga ana tjetër, pavarësisht pakënaqësive, ajo mendon se pjesa më e madhe do të shkojnë të votojnë edhe në 25 prill .
“Nga komunikimi në komunitet shoh që theksohen shpresat dhe dëshirat e tyre: Pasja e një përfaqësuesi nga rradhët e tyre që t’I përfaqësojë në parlament, apo në këshillat e qarqeve. Këta persona do t’u jepnin besim në një të ardhme ndryshe dhe në një zgjidhje të problemeve të tyre të mëdha.
Në Shkodër shihet një rënie e numrit të votuesve nga anëtarët e minoritetit rom dhe egjiptian, nëse do të krahasojmë zgjedhjet e vitit 2017, ku nuk kanë votuar 7.20% e popullsisë. Rreth 21.50% e të anketuarve përgjigjen se nuk do të votojnë të dielën.
Një qytetar nga Shkodra tha për Informim.al: “Ne nuk i kemi parë problemet tona të adresuara në programin e ndonjë kandidati, apo partie politike. Unë nuk do të votoj se nuk kam besim. Unë di që për ne ka dallim racial, ne jemi të paarsimuar, jetojmë në kushte të vështira, me shtëpi të pabanueshme dhe asgjë nuk është bërë për ne.”
Ndërsa në Elbasan shohim që, edhe në rastet kur një anëtar i minoritetit rom është përfshirë politikisht, në dobi të komunitetit të tij duke i përfaqësuar në Këshillin Bashkiak Elbasan, ai po mendon të tërhiqet nga angazhimi politik.
“Unë ende jam pjesë e Këshillit Bashkiak Elbasan, i përfshirë nga ftesa që më është bërë nga Partia Demokratike. Ata më përfshinë duke menduar se prania ime do të kishte ndikim te komuniteti im. Unë e pranova pozicionin për t’i ardhur në ndihmë komunitetit. Falë adresimit të problematikave kemi arritur disa rezultate, por unë nuk do vazhdoj më, përtej këtij mandati. Jam i zhgënjyer nga gjërat që ndodhin aty,” tha Raxhi Rakipi.
Në Tiranë, përveç zhgënjimit ndër vite nga partitë politike, mungesa e dokumentave të identifikimit ua pamundëson pjesëmarrjen në zgjedhje.
“Unë nuk do të votoj, sepse as unë as familja nuk kemi karta identiteti. Por edhe sikur t’i kishim nuk do të votonim, sepse askush nuk na ka ndihmuar. Kam votuar më parë që të kisha një punë, shtëpi, shërbim shëndetësor, por gjithë jetën asgjë nga këto nuk kam patur,” shprehet një tregtar i rrobave të dorës së dytë në tregun e Selitës.
Ndërsa aktivisti Fation Kaca shprehet për informim.al se në programet e partive politike nuk gjenden askund problematikat e komunitetit rom. “ Partitë politike kanë bindjen se romët dhe egjiptianët e shesin votën, ndaj dhe nuk shohim fushatë në zona që i përkasin minoritetit. Pra, nëse e analizojmë nuk kemi ankesa kundër qeverisë, por nuk shohim as takime të zhvilluara prej opozitës. Mbase, për faktin se i llogarisin votat e tyre si minorancë, ose se tashmë secila i ka të siguruara votat e parashikuara prej tyre.”- përfundon Z. Kaca.
Të pyetur nëse i kanë parë të adresuara problemet e tyre në platformën e ndonjë kandidati, apo në programin e një partie politike, 62 përgjigjen JO, 21% përgjigjen PO dhe 17% e të anketuarve thonë “Nuk e di”.

Fig.2. Adresimi i problemeve të minoriteteve në platformën e kandidatëve ose partive politike ne zgjedhjet 2021
Ndërsa në lidhje me përfaqësimin e tyre nga kandidatë, programe apo partie politike për zgjedhjet e 25 Prillit, pjesa më e madhe shprehet se nuk ndihen të përfaqësuar.

Fig. 2.1.Përfaqësimi i anëtarëve të minoritetit rom dhe egjiptian nga kandidatë apo parti politike ne zgjedhjet 2021
Ndiqni videon në YouTube këtu
COMMENTS