Rëndesa e madhe psikologjike , vullneti i munguar për të bërë progres në veprimtari të ndryshme si edhe mungesa e dëshirës për një gjë ndryshe në jetën e tyre, përbën 8.5% të kategorisë të të rinjëve shqiptarë rreth moshës 15-29 vjeç që nuk marrin përsipër një aktivitet ekonomik çfarëdo.
Kjo nuk është një shifër nga situata e pandemisë Covid-19, por si rezultat i problematikave politike të akumuluara ndër vite që për fat të keq lidhet drejt me tregun e punës në Shqipëri.
Por, cilat mund të jenë disa nga arsyet që të rinjtë shqiptarë nuk kanë dëshirë të merren më një punë e të fitojnë të ardhura?
Ekspertë të ndryshëm të fushës tregojnë se ka një mungesë të theksuar të koordinimit mes politikave qeveritare, universitetet nuk janë në nivelin e duhur për të përgatitur studentët, pasi ka mungesa në laboratorë dhe praktika mësimore dhe bizneset kërkojnë aplikantë me eksperiencë në profesion.
Por, edhe nëse do të gjindet një vend pune pagesa e ofruar është shumë e ulët ,saqë nuk mund të mbulosh dot shpenzimet për një person, jo më të ndash një pjesë për kursim në fund të muajit.
Fenomeni i punësimit, apo papunësia e të rinjve në Shqipëri, është një problematikë komplekse dhe ende e pazgjidhur për vazhdimësinë e saj. Statistikat e papunësisë së të rinjve në Shqipëri, janë çdo vit kontradiktore dhe të parealizuara me realitetin, ndërsa shifrat variojnë në mënyra të paqarta nga një studim në tjetrin.
Në të tre Raportet Kombëtare “Rinia në Shqipëri 2018, 2019, 2020”, të përgatitur dhe konsultuar nga ekspertët më të mirë të fushës, shifrat e papunësisë kanë shfaqur gjithmonë debat. Ndërsa INSTAT shënon çdo vit ulje të papunësisë në statistikat e tij, studime kombëtare të organizatave të ndryshme dhe ndërkombëtare mbi punësimin, shfaqin realitet tërësisht tjetër.
Bazuar në shkallën e papunësisë sipas INSTAT, nga viti 2018 në vitin 2019, kjo shkallë ka pësuar rënie në masën 2% për të rinjtë nga mosha 15-29 vjeç, pra nga 23,1 % që ishte gjatë vitit 2018, ka shkuar në 21,5% përgjatë 2019.
Por referuar të dhënave dhe studimit 2019 të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO)6 situata paraqitej krejt e ndryshme përgjatë vitit që shkoi. Pasi përgjatë vitit 2018, papunësia e të rinjve arriti në masën 32.8% duke e renditur Shqipërinë në vendin e parë në Europë për përqindjen më të lartë të të rinjve të papunë, të pa arsimuar dhe pa trajnuar, duke ja kaluar edhe Moldavisë si vendi më i varfër i Europës.
Në Raportin e dytë Kombëtar “Rinia në Shqipëri 2019”, realizuar nga CRCA dhe ANYN, shifrat që ofroi Anketa Kombëtare flisnin për rreth 73% e të rinjve që raportonin Papunësinë si një prej problematikave më kritike për ta, e ndjekur nga varfëria (52%), të ardhurat e ulëta (48%), korrupsioni (43%) dhe mungesa e mbështetjes institucionale për të rinjtë (40%).
Duket se këto disnivele në statistika përsa i përket papunësisë së të rinjve përvijojnë edhe gjatë vitit 2019-2020. Sipas të dhënave të institucionit shtetëror të statistikave INSTAT, shkalla e papunësisë vijon të ulet.
Pasi nga 21,4 % që ishte në fillim vitin 2019, muajt e parë të vitit 2020 tregojnë një shifër në 20,0%, përkatësisht në 19,9 % për djemtë dhe 20,0 % për vajzat. Edhe pse me një diferencë shumë të lehtë, duket se vajzat e moshave nga 15-29 vjeç vuajnë më shumë papunësinë se djemtë.
Fenomeni i papunësisë, për të rinjtë në Shqipëri, duket se është edhe më kompleks, nëse do të analizohen statistikat mbi punësimin me nivel të shkollimit të tyre. Sipas INSTAT, të rinjtë me arsim të lartë, kapin shifrën më të madhe të papunësisë. Duket se në Shqipëri, të rinjtë e shkolluar nuk preferohen si krahu i vërtetë i tregut të punës?!
Moskoordimi midis llojit të studimeve dhe tregut të punës për të rinjtë në Shqipëri, ka hyrë në një rreth vicioz. Pasi të rinjtë e të rejat në Shqipëri, nuk janë të përshtatur në studimet e tyre bazuar në kërkesat për punësim. Kjo është një mangësi e qeverisë dhe politikave të saj, e cila nuk po përgjigjet aspak me sisteme arsimore kërkesave të tregut të punësimit në Shqipëri. Ndërsa kërkesat më të mëdha në punësimin e të rinjve, janë sektorët e call center, bujqësi dhe fason, pjesa më e madhe e të rinjve shkollohen për degë tërësisht të ndryshme nga këto fusha.
Shënim: Shkrimi më lart u bazua në burimet e mëposhtme
Burime:
INSTAT, botimi mund të lexohet i plotë në këtë lidhje: http://www.instat.gov.al/al/temat/tregu-i-pun%C3%ABs-dhe-arsimi/pun%C3%ABsimi-dhepapun%C3%ABsia/
Anketa e Forcave të Punës 2015-2019. Botimi mund të lexohet i plotë në këtë lidhje: https://r.search.yahoo.com/_ylt=A0geK.T7gypfwMAAs.lXNyoA;_ylu=X3oDMTByOHZyb21tBGNvbG8DYmYxBHBvcwMxBHZ0aWQDBHNlYwNzcg– /RV=2/RE=1596650619/RO=10/RU=http%3a%2f%2fmail.instat.gov.al%2fmedia%2f6802%2ft6.xlsx/RK=2/RS=OvMTlXZAwYboeZcufUTDTahHff4- 6
Static Map, Employment in the EU by NUTS Regions, 2018, Milos Popovic. Harta mund të lexohet i plotë në këtë lidhje: http://milosp.info/maps/full/neet.png
COMMENTS