Të rinjtë shqiptarë dhe prindërit e tyre: Ja për çfarë i harxhojnë paratë

Të jetuarit me qira, ja si ndikon në shëndetin e njerëzve….
Shqipëria po plaket, gjatë vitit 2018, 14 mijë pensionistë më shumë
Shifrat/ Qytetet në Shqipëri me numrin më të lartë të vdekjeve, shkaqet kryesore

Është interesante të vëresh se për çfarë i shpenzon paratë rinia shqiptare krahasuar me prindërit e tyre.
Në një kohë kur aparenca e jashtme vlerësohet më shumë se “përmbajtja” edhe rinia është e përkushtuar në të, prandaj shpenzimet e tyre shkojnë për veshje dhe restorante.
Ndërsa prindërit e tyre janë më shumë të orientuar që të shpenzojnë për ushqime..

 

 

Sipas INSTAT ajo që bie në sy është se familjet me kryefamiljar deri në 24 vjeç kanë shpenzimet më të ulëta për ushqime dhe pije alkoolike se grup moshat e tjera. Në një familje me kryefamiljar deri në 24 vjeç kjo kategori zë një peshë prej 31% në totalin e shpenzimeve që ka familja. Në ndryshim, të gjitha grup moshat e tjera për ushqime dhe pije jo-alkoolike shpenzojnë mbi 40% në totalin e shpenzimeve mujore për ushqime.

Për çfarë shpenzojnë më shumë të rinjtë
Krahasuar me grup-moshat e tjera familjet me kryefamiljar deri në 24-vjeç shpenzojnë më shumë për banesë, veshje dhe këpucë, restorante dhe hotele, argëtim dhe kulturë dhe arsim.

Referuar të dhënave të INSTAT në lidhje me shpenzimet për banesë, familjet me kryefamiljarë deri në 24 vjeç kanë peshën më të lartë. Mesatarisht në vitin 2016, shpenzimet për banesë kanë zënë rreth 24.8% të të gjithë shpenzimeve të familjes së re. Edhe për grup moshën 25-34 vjeç shpenzimet janë të larta, ku sipas të dhënave kjo kategori shpenzimi zë 14% të totalit të shpenzimeve dhe për grup moshën 35-44 vjeç. Për grup moshat 45-54 dhe 55-64 shpenzimet për banesë janë më të ulëta, me përkatësisht 8.7 dhe 9.7 % të totalit.

Kategoria e dytë ku familjet e reja “nuk e mbajnë dorën” në të shpenzuar janë veshjet dhe këpucët. 5.9% e shpenzimeve shkojnë për tu veshur dhe për tu mbathur, ndërsa mesatarja e të gjitha kategorive është 4.7%. Grup mosha e dytë që shpenzon më shumë për veshje dhe për këpucë është 45-54 vjeç, ku rreth 5.4% e shpenzimeve shkojnë për këtë kategori.

Edhe në kategorinë e arsimit, kryefamiljarët deri në 24 vjeç, kanë shpenzimet më të larta. Në totalin e shpenzimeve të tyre, ato për arsim zënë rreth 10.5%. Shpenzimet për këtë kategori janë të larta edhe për familjet më grup moshë 45-54 vjeç, të cilat zënë rreth 8.2% të totalit. Më të ulëta janë për kategoritë e tjera, ku shpenzimi për arsim nuk është më shumë se 3% e totalit.

Argëtimi dhe kultura janë gjithashtu një tjetër kategori ku familjet me kryefamiljar deri në 24 vjeç, kanë një peshë më të lartë se grup moshat e tjera, me 3.9%.

Shpenzojnë pak për ushqime, por hanë më së shumti jashtë
Kanë shpenzimet më të ulëta për ushqime dhe pije alkoolike, por më të larta për restorante dhe hotele. Në krahasim më të gjithë grup moshat e tjera, familjet me kryefamiljar deri në 24 vjeç shpenzojnë më shumë për restorant dhe hotele. Rreth 6.4% e shpenzimeve shkojnë për këtë kategori, ndërkohë që mesatarja për të gjitha grup moshat ishte 4.4%.

Anketa e Buxhetit të Familjeve
Të dhënat për shpenzimet e familjeve grumbullohen në mënyrë të përvitshme nga INSTAT nëpërmjet Anketës së Buxhetit të Familjeve me njësitë ekonomike familjare. Grupet kryesore të konsumit janë përcaktuar sipas Klasifikimit të Konsumit Individual sipas Qëllimit (COICOP), 2012.

Shpenzimet janë grupuar në 12 kategori kryesore: Ushqim dhe pije jo-alkoolike; Banesa; Arsim; Të tjera mallra dhe shërbime; Transport; Restorante dhe hotele; Veshje dhe këpucë; Mobilim, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje të zakonshme të banesës; Komunikim; Pije alkoolike, duhan; Shëndet; Argëtim dhe kulturë.

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0