Të papërfaqësuar në këshilla bashkiakë: Komuniteti Rom dhe Egjiptian si garniturë “diversiteti”

Të papërfaqësuar në këshilla bashkiakë: Komuniteti Rom dhe Egjiptian si garniturë “diversiteti”

Të varfër dhe ilegalë në shtëpiat ku banojnë: komuniteti rom dhe egjiptian në Kavajë pa zgjidhje të qëndrueshme
Komisioneri për mbrojtjen nga diskriminimi gjen në shkelje Bashkinë Vlorë, rasti i një kryefamiljareje egjiptiane që nuk përfitonte ndihmë ekonomike
“Gadjo”, projekti shqiptaro-kosovar teatral shtron pyetjen e vështirë, “A jemi ne një popull racist?”

Mospërfshirja në listat kryesore të pjesëtarëve të komunitetit rom dhe egjiptian, një ogur jo i mirë për zgjedhjet vendore të majit 2023. 

Nga Adela Radovani

Në demokraci, përfaqësimi në strukturat e organizuara vendore të komuniteteve është një nga pikat themelore që siguron se grupet specifike do kenë zërin e tyre në qeverisjen vendore. Për këtë, anëtarët e këshillit bashkiak luajnë rol vendimtar, pasi janë ata që mbajnë kontakt të vazhdueshëm me komunitetet prej të cilave vijnë. Një përzierje kulturash, etnish, klasash sociale mund t’i ndihmojë drejtuesit e qyteteve të kontekstualizojnë çështjet që mund të jenë unike për komunitetin e tyre. Kjo është arsyeja kryesore përse demokracitë perëndimore kanë ligje të veçanta për përfaqësimin e grave dhe vajzave dhe minoriteteve. 

Grupe të caktuara si gratë dhe vajzat aktualisht gëzojnë përfaqësim, të paktën formal, për shkak të ligjit dhe detyrimit të partive për t’i vënë ato në lista sipas kuotave, sigurisht, pa marrë parasysh renditjen e tyre. Grupet e tjera si minoriteti grek, kanë mbështetje të fuqishme nga shteti i tyre amë, dhe janë të përfaqësuar me parti përkatëse dhe arrijnë përfaqësim në nivel qendror. Kjo nuk mund të thuhet për komunitetin rom dhe egjiptian i cili në Shqipëri, gëzon përfaqësimin minimal aktual, dhe me daljen e listave për këshill bashkiak, ngre pikëpyetje të mëtejshme. Si është e mundur që përfaqësimi po arrin nivelin më të ulët ndonjëherë?

Të papërfshirë, ose të lënë në fund: anëtarë të komunitetit rom dhe egjiptian që kanë kontribut të rëndësishëm politik, u lanë jashtë në të gjitha rrethet e vendit

Me vendimmarrje të mbyllur dhe hermetike, dalja e listave për këshillat bashkiakë shkaktoi pakënaqësi të shumta, duke nisur nga përfshirja në to të personave që janë tashmë punonjës të administratës ose dhe zëvëndësministra. Por për Drejtësi Sociale, një organizatë që merret me advokimin e të drejtave të komunitetit rom dhe egjiptian në Shqipëri, problematike është mënyra si pjesëtarë të këtij komuniteti janë lënë jashtë të ashtuquajturës listë kryesore. Ekziston në parim një vijë imagjinare, prej nga renditja, ku emrat që vendosen më tej nuk mund të bëhen anëtarë, pavarësisht nëse komuniteti prej nga vijnë i pëlqen ata dhe ka komunikim të vazhdueshëm në lidhje me problemet që ata kanë si qytetarë. 

“Le të nisim me qytetin e Tiranës, Sead Kazanxhiu renditet i dyzeti në listë, me asnjë shans për të fituar. Po nëse do ishin vetëm një apo dy raste, do mendonim se ishte rastësi. Problemi është që në të gjitha rrethet më të mëdha, shohim të njëjtin problem. Lista e Partisë Socialiste ose nuk i përfshin aspak ose i ka lënë në vendet e fundit, si të ishin garniturë diversiteti. Përfaqësimi i komunitetit rom dhe egjiptian në këto zgjedhje vendore është praktikisht, zero.” shprehet Gentian Sejrani, aktivist i Drejtësi Sociale. 

Në qytetin e Beratit, Mimoza Bujaraj gjendet e fundit në listë, me asnjë shans për të përfaqësuar komunitetin por dhe lagjen prej nga vjen. Sipas saj, një lagje prej 22 mijë banorësh në Berat nuk do ketë më një përfaqësim direkt në këshill, duke shkaktuar një boshllëk midis komunitetit dhe qeverisjes vendore. Lagja nr. 3 në Berat është me problemet më të theksuara ekonomike, dhe si e tillë, kërkon një kontakt më të qëndrueshëm me strukturat vendore. 

Në Korçë, Eva Tare nuk u përfshi në listë, pavarësisht kontributit të saj në ngritjen e zërit për komunitetin rom dhe egjiptian, ndërsa në Elbasan, Raxhi Rakipi, është në listë në një vend të pamundshëm për fitore. Të dy shprehen të habitur dhe të shqetësuar, sidomos pasi informohen se dhe anëtarë të tjerë të komunitetit, janë lënë jashtë listave ose në fund të tyre.
“Është ofenduese, por dhe e paqartë se përse ndodhi kjo mungesë përfaqësimi.” u shpreh zonja Bujaraj.

Ngjashëm është edhe lista në qytetin e Vlorës, ku të tre anëtarët e komunitetit janë në fund të listës, aty për të zbukuruar “pjatën” me kandidatë e për të thënë se listat kanë diversitet, kur në fakt, janë thjesht për të mbushur listën. 

WhatsApp Image 2023 03 17 at 10.14.36 AM

KQZ në bashkëpunim me Ambasadën Britanike në Tiranë kanë vendosur afishime të tilla në gjuhën shqipe dhe romane për të nxitur komunitetin rom dhe egjiptian që të marrë pjesë në zgjedhje. Këto veprime janë në diskordancë me përfaqësimin e këtij minoriteti në listat për kandidatë. 

Cili është rreziku për komunitetin rom dhe egjiptian?

Komuniteti rom dhe egjiptian has në probleme të theksuara në të gjitha ciklet e tyre jetësore. Të diskriminuar që në moshën fillore, ata përballen me segregimin dhe diskriminimin nga anëtarë të maxhorancës. Shpeshherë ata janë komuniteti që më së shumti kanë nevojë të përkrahen nga programet sociale të bashkive por për shkak të mungesës së përfaqësimit në këto institucione, për shkak të diskriminimit dhe mungesës së informacionit për të drejtat e tyre, ata kanë më pak akses për t’i përfituar këto lehtësi.  

“Ne na duhet shumë punë si organizatë, së bashku me kolegë të tjerë, që të ngremë zërin për ndryshimin e legjislacionit duke vendosur kuota përfaqësimi për këto minoritete në nivel Këshillash Bashkiak. Kjo gjë do të ndihmonte anëtarët e këtyre minoriteteve për të përçuar problemet e tyre në vendimmarrjen vendore nëpërmjet përfaqësuesit të tyre, por nga ana tjetër Këshilli Bashkiak do të merrte vendime të drejta pasi përfaqësuesi i tyre do ishte realisht prezent, duke sjellë eksperiencën e tij jetësore në institucion. Kjo do parandalonte edhe kalimin e vendimeve që nuk zbatohen dot në praktikë, ose që në të shkuarën janë zbatuar keq. Është e vështirë që të tejçohen problemet e komunitetit kur ti nuk ke një përfaqësues të tyre direkt në institucion. Një anëtar i maxhorancës, në shumicën prej tyre, nuk arrin dot të konceptualizojë se çfarë do të thotë të jesh rom dhe egjiptian në Shqipëri dhe si mund t’i qasemi problemeve të tyre, që të mund të përmirësojmë kushtet e tyre të jetesës. “ thotë më tej Sejrani. 

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0