Sot shënon data 10 Dhjetor, e cila njihet si Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, në kujtim të miratimit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut nga Kombet e Bashkuara.
Në kuadër të kësaj dite, “Drejtësi Sociale” së bashku me z.Ervin Kaçiu, studiues pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore, prezantuan studimin “Qerthulli i mbyllur i varfërisë dhe domosdoshmëria e minimumit jetik”.
Në takim ishin të pranishëm përfaqësues nga instiucioni Avokatit të Popullit, Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Shërbimi Social Shtetëror si dhe organizata të shoqërisë civile.
Përfaqësuesja nga Avokati i Popullit theksoi punën e bërë nga ky institucion për nxitjen e qeverisë për miratimin e minimumit jetik.
Gjithashtu theksoi faktin se minimumi jetik, përtej vlerës monetare dhe metodologjisë së llogaritjes, duhet të kujdeset dhe për aspektin social të miratimit të tij.
Përfaqësuesja nga Shërbimi Social Shtetëror i dha rëndësi shërbimeve që ofron ky institucion dhe rritjes së vlerave të ndihmës ekonomike apo pagesave të papunësisë përgjatë vitit 2022.
Nga ana e përfaqësueses së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, u vu theksi te problematikat sociale që synon të rregullojë miratimi i kësaj vlere nga qeveria.
Studimi i prezantuar nga z. Kaçiu nxorri në pah disa problematika si:
– Krijimin e një cikli varfërie, duke mos luftuar varfërinë operacionale dhe as atë “të ngurtësuar”;
– Thellimin e pasivitetit të përfituesve dhe shtetit për të mos e zgjidhur këtë problem;
– Rritjen e numrit të personave pjesë e shtresës së mesme që mund të bien pre e varfërisë në të ardhmen etj.
Disa nga rekomandimet e dhëna për institucionet ishin:
– Kombinimi i dhënies së vlerave monetare dhe shërbimeve sociale;
– Shtrirja e politikave të punësimit dhe aftësimit në punë me fokus grupet që mund të dalin nga varfëria etj.
Në mbyllje të takimit të gjithë shprehën gatishmërinë për ta vazhduar procesin 3 advokimit për miratimin e minimumit jetik.
Para disa javësh organizata “Drejtësi Sociale” së bashku me organizatat Qendra Treja; Qendra Për Advokim Social; Levizja Rinore Egjyptiane & Rome; Aksion Komunitar; Për Arsim Cilësor; Fuqizim dhe Organizim Komunitar; Mjedisi & Komuniteti; Ushten; Partnere per Femijet, i janë drejtuar me shkresë Kryeministrit për miratimin e minimumit jetik, si një detyrim ligjor.
COMMENTS