Skandali ne Spitalin Onkologjik dhe Status-quoja.

Skandali ne Spitalin Onkologjik dhe Status-quoja.

La Repubblica/ Orët në komisariat të dy të rinjve që protestuan kundër Ramës dhe Melonit
Në qiell të hapur dhe 7 muaj pa marrë bonusin e qirave, banorët e ish komunales në protestë: Veliaj mbaj premtimet
Ndalohen aktivistët që protestonin kundër Ramës dhe Melonit

Nga Edison Lika

Skandali në spitalin onkologjik u shoqërua nga një protestë para Ministrisë së Shëndetësisë, qindra shkrime në rrjetet sociale dhe dhjetëra emisione në televizion. Ky skandal i madh që duhet të kishte mjaftuar që të gjithë të zbrisnin në rrugë dhe të protestonin në sheshe, siç ndodh në momentin kur mllefi dhe indinjata popullore marrin kuptim politik.
Në fakt ka dy ditë që skandali është zhvendosur në hapësirën virtuale dhe televizion, me panelistë që supozohet se janë delegatë të drejtësisë (mendimit) popullor.
Në mënyrë shumë të shpejtë, duket se në vend të organizimit në rrugë dhe sheshe, po kemi një ndarje të opinionit në dy teza kryesore që po e udhëheqin diskutimin rreth ngjarjes. Teza e parë na vendos para faktit që “Ky është një model korruptiv në të cilin këta mjekë janë xhelatë dhe viktimat e sistemit”, ndërsa teza e dytë na thotë që: “Këta mjekë janë kriminelë dhe duhet të mbajnë përgjegjësi krejtësisht individuale për krimin monstruoz.” Pala e parë e akuzon të dytën se duke u marrë me mjekët e skandalit e redukton problemin në problemin e disa individëve perversë në një sistem normal, ndërsa e dyta e akuzon të parën se përmes ngritjes së problemit në nivel sistemor, e relativizon përgjegjësinë përgjegjësinë penale të këtyre mjekëve në veçanti dhe individit në përgjithësi. Në fakt, këmbëngulja në secilën prej këtyre argumenteve e pashoqëruar me aksion politik vetëm sa e shpërqendron opinionin nga ajo që duhet të bëhet në këtë rast, protesta të mëdha.
Gjithsesi, të dy tezat mund të merren si gjysmë të vërteta komplementare që duhen bërë të njohura sa më shumë të jetë e mundur pa rënë kurthin e krijimit të një hierarkie faji.
Në një analizë të thjeshtë, banale, mund të bëhet edhe një kategorizim i grupeve shoqërore që përqafojnë njërën apo tjetrën tezë. Sigurisht, në të dy tezat ka grupime që nuk domosdoshmërisht kanë të njetin qëllim. Interesat e tyre janë krejt të ndryshme, por shpesh e kanë të njëjtin qëndrim.
Tezën e parë, se ky është një problem sistemor, e mbështesin nga opozita zyrtare deri te gazetarë gjysmë-serioz të studiove televizive. Këta arrijnë të lexojnë shumë mirë situatën kur vjen puna për një system të kalbur që fillon nga niveli më i lartë i pushtetit dhe vjen deri në nivelet e ulëta por shpesh nuk arrijnë të njohin se edhe në një sistem krejtësisht të korruptuar, ka rezistencë në forma të ndryshme,duke përfshirë edhe systemin mjekësor. Secili prej nesh njeh disa prej tyre, madje në heshtje ia thonë njëri-tjetrit se ka akoma njerëz të mire dhe se shpresa nuk ka vdekur. Këta opozitarë dhe gazetarë gjysmë-seriozë do të ishin më të besueshëm nëse do të kishin vetëm pak besim edhe te vetja se janë të drejtë dhe të pakorruptuar, e për rrjedhojë ta kafshonin pak gjuhën në këtë qasje thellësisht relativizuese.
Në kategorinë që qendron fort se ky është një problem thellësisht sistemor, përfshihen edhe një grup mjekësh. Ata me pak shaka mund të quhen mjekët antisistem. Duke lexuar veten në mesazhet e mjekëve të tjerë të kapur në përgjime, ata filluan të na tregojnë me një shpejtësi të llahtarshme problemet e sistemit shëndetësor: mungesën e ilaçeve, shtretërve, aparaturave, etj. Megjithatë, ata nuk shpjegojnë pse nuk krijuan një grup të strukturuar(sindikatë) për ngritjen e problematikave spitalore, por vrapuan të hapnin klinika private, përmes të cilave të rrjepnin çtë mundnin se fundja është faji i sistemit.
Sa i përket kategorisë së dytë, mund të vërehen dy kategori krejtësisht të kundërta me njëra-tjetrën: njeriu mesatar i mllefosur në këtë vend dhe qeveria. Arsyeja pse gjendet qytetari mesatar është krejt normale. Atij i duhet të përballet me problemet në përditshmëri dhe pengesat e përditshme kanë fytyra dhe emra. Mllefi i tij ndalon te uniforma; fundja, ajo e ka dëmtuar përherë. Mund të jetë polici, gjykatësi, mjeku, apo thjeshtë roja, por në të gjitha rastet është individ me të cilin ka përplasje të drejtpërdrejtë. Mllefi që të jetë efikas ka nevojë për kordinata të qarta. Në rast se do të kishte protesta, nuk do të ishte rastësi nëse këta do të ishin më aktivët.
Në kategori, siç thamë, është edhe qeveria. Qeveria gjatë këtyre viteve ka tentuar ta izolojë fajin. Izolimi i fajit bëhet i domosdoshëm, sepse ata duan të ruajnë tërësinë, për rrjedhojë veten. Por pyetja që shtrohet në këtë mes është a duhet të ruajmë tërësinë, a ka mbetur më gjë për tu ruajtur?!
Këtë mbase do e vërtetonim në shesh. Ku i dihet njerëzit mbase mund të mjaftoheshin me një vendim të drejtë për mjekët kriminelë dhe të ktheheshin përsëri në shtëpite e tyre, por mbase mund të mos mjaftoheshin as me Ministren e Shëndetësisë dhe as vetëm me Kryeministrin. Kush e di deri ku shkon mllefi dhe indinjata?!

 

Politika funksionon me gjysmë të vërteta dhe shpesh na shantazhon përmes tyre, herë sepse mund të kemi qëndrim të njëjtë me qeverinë dhe herë me të korruptuar të tjerë, por ajo çka është e rëndësishme është të mos biem në llogore dhe akoma më e rëndësishmja është të mos ngelim në to. Me rëndësi është që mllefi dhe arsyetimi të kthehen në veprim politik dhe jo në statuse apo emisione pasditeje, sepse kjo, më mirë se gjithçka, i shërben status-quos.

COMMENTS

WORDPRESS: 0