Skandali me mbledhjen e të dhënave  personale për qëllime elektorale/ Reagojnë Organizatat e Shoqërisë Civile

Skandali me mbledhjen e të dhënave personale për qëllime elektorale/ Reagojnë Organizatat e Shoqërisë Civile

Shkodër/ Invalidët pa mbështetje…
A e meritojnë çerdhen dhe kopshtin fëmijët romë? Bashkia mendon se jo
Plagosja nënë e bir në Durrës/ Në pranga autori Ergys Juba

Organizatat nënshkruese të kësaj deklaratë shprehin shqetësimin e tyre mbi mbledhjen, përpunimin, administrimin dhe përhapjen e paligjshme të të dhënave personale dhe sensitive të afro 1 milion qytetarëve votues të Tiranës, me qëllim projektimin e rezultatit elektoral në zgjedhjet e 25 Prillit nga Partia Socialiste e Shqipërisë.

Në bazë të nenit 2 të ligjit nr. 9887, datë 10.3.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, përpunimi i ligjshëm i të dhënave personale bëhet duke respektuar dhe garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe në veçanti, të drejtën e ruajtjes së jetës private, ndërkohë që në nenin 3 përkufizohet si “e dhënë personale” çdo informacion për një person fizik që e bën atë të identifikuar apo të identifikueshëm mes elementeve si numrat e identitetit ose faktorë të tjerë të veçantë fizikë, psikologjikë, ekonomikë, socialë, kulturorë etj. I njëjti nen përkufizon se çdo informacion për personin fizik, që lidhet me origjinën e tij racore ose etnike, mendimet politike, anëtarësimin në sindikata, besimin fetar apo filozofik, dënimin penal, si dhe të dhëna për shëndetin dhe jetën seksuale përbën të dhënë personale sensitive, çka përligj mbrojtje juridike të shtuar për këtë kategori të dhënash.

Është e qartë se në rastin konkret, Partia Socialiste e Shqipërisë ka ndërmarrë në mënyrë faktike rolin e subjektit kontrollues të të dhënave, që vetëm apo në bashkëpunim me të tjerë, mban, përpunon, administron, arkivon dhe për këtë shkak kontrollon të dhëna personale.

Neni 6 i ligjit nr.9887, datë 10.3.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” përcakton kriteret e përpunimit të ligjshëm të të dhënave personale, me element qëndror pëlqimin e shprehur të subjektit të të dhënave, përpunimin vetëm për një qëllim të ligjshëm e specifik, informacionin e plotë lidhur me të dhënat që administrohen për çdo subjekt dhe të drejtën për të kërkuar në çdo kohë korrigjim dhe fshirje të kësaj kategorie informacioni.

Edhe nëse Partia Socialiste e Shqipërisë e lidh rastin e fundit me nenin 10 të këtij ligji, lidhur me përpunimin për kërkime shkencore dhe statistikore, parashikohet se në rastet kur përdorimi i të dhënave bëhet në një formë, që lejon identifikimin e subjektit të të dhënave, të dhënat duhet të kodohen menjëherë, në mënyrë që subjektet të mos jenë më të identifikueshme. Të dhënat personale të koduara përdoren vetëm nga persona, të cilët janë të detyruar të ruajnë konfidencialitetin. Është mjaft e qartë dhe lehtësisht e verifikueshme, se databaza në fjalë nuk përmbush asnjë kriter të ngjashëm sigurie.
Në gjuhën e ligjit ky rast përbën haptazi mbledhje, përpunim dhe përhapje të paligjshme të të dhënave personale dhe sensitive të afro 1 milion qytetarëve shqiptarë, pa pëlqimin e tyre dhe për më tepër pa marrë asnjë masë organizative apo teknike të përshtatshme për të mbrojtur të dhënat personale nga veprime të paligjshme apo humbje aksidentale, për të mbrojtur aksesin ose përhapjen nga persona të paautorizuar si dhe nga çdo formë tjetër e paligjshme përpunimi, siç parashikohet nga neni 27 i të njëjtit ligj.

Ruajtja e të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë si numri personal i identifikimit, ditëlindja dhe vendlindja, banesa dhe numri celular përbëjnë shkelje të rëndë të privatësisë së qytetarëve dheadministrimi i tyre për qëllimë elektorale krijon një precedent të dëmshëm përdorimi të këtyre informacioneve për përfitim personal.

Nga ana tjetër, jemi të shqëtësuar për linçimin që po u bëhet medias dhe gazetarëve, të cilët në emër të interesit publik kanë bërë të ditur fakte mbi rastin në fjalë.
Kërkojmë dhe inkurajojmë autoritetet përgjegjëse për mbrojtjen e të dhënave personale të hetojnë rrjedhjen e të dhënave nga databaza e Partisë Socialiste dhe të sigurojnë këto të dhëna nga ekspozimi i mëtejshëm.

Njëkohësisht shprehim mbështetjen tonë për organet ligjzbatuese, për kryerjen e një hetimi korrekt, të drejtë dhe të paanshëm me qëllim mbrojtjen e të drejtave themelore të qytetarëve, njëkohësisht dhe të medias, gazetarëve apo bilbilfryrësve që kanë bërë publik rastin në fjalë.

 

Organizatat nënshkruese:

Aleanca Kundër Diskriminimit LGBT

Civil Rights Defenders

Community Reporters Albania

Drejtësi Sociale

Këshilli Shqiptar i Medias

Lëvizja Rinore Egjiptiane ProLGBT

Fondacioni “Së Bashku”

Instituti i Studimeve Politike

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim

ProLGBT

Rrjeti i Profesionistëve të rinj

Qëndresa Qytetare

COMMENTS

WORDPRESS: 0