Sistem i pasistemuar

Kriza e vërtetë e Shqipërisë
Tre problemet kryesore gjatë zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut
112 vjeçarja apel: Pensioni prej 56 mijë lekë të vjetra s’më mjafton…

S’ka moment që nuk themi-“ e ka fajin sistemi” !! Ky konstatim na bënë më pak përgjegjës, duket sikur ia hedhim paq, dhe ne thjeshtë jemi produkt i këtij sistemi dhe jo sistemi. Por nuk është ashtu.

Ky sistem, kjo politik, kjo qeverisje nuk ka zbritur nga qielli, është puna e 27 vitesh pluralizëm, amnezia jonë kombëtare e ka çuar në piedestal dhe tashmë po i korrim të vjelat e saj, që i kanë hyrë krimbat e tokës.

Por çfarë e bënë sistemin, e bëjmë të gjithë ne, me  reagimet dhe mosreagimet tona, e bëjmë ne me votë, me fjalë, me vepra e kundërvepra, me dobësitë e mishit dhe të shpirtit, me pasuri e me varfëri të shpirtit e të mendjes, me shkollimin e analfabetizmin, me idelalizmin, qendrimet e ikjet, me vuajtjet e sakrificat, me egon e super egon, vetëdijen kolektive e individuale.

Sistemi në këtë rast quajeni si të doni, ndaq demokraci, dhimokraci, demokraturë, timokraci apo oligarki…

Megjithëse mund të them që duket sikur i kemi pak nga të gjitha këto, të mishiruara e të ngjeshura fortë pas njëra-tjetres.

Por ky realitet  është ajo çfarë ne jemi, çfarë ne kemi ushqyer dhe rritur, një “krijesë” 27 vjeçare që ende jeton me familje, si ai fëmija i kequshqyer, i rritur keqas, pa përkujdesje, me frikra, me mosbesim, me ndrojtje, i paqendrueshëm, i paaftë të maturohet, të veprojë vetë, të jetë i pavarur, të vendos, të marrë në dorë fatet e veta, sa herë është përpjekur ka gabuar dhe nuk ka mësuar asgjë nga gabimet, gabim pas gabimi që na kanë kushtuar shtrenjtë.

Dhe jeta ka vazhduar normalisht, ne indiferentë ndaj sistemit e ai ndaj nesh.

Ne gjejmë vetëm fajtorë dhe nuk e fillojmë nga vetja ndryshimin, nuk e fillojmë nga vetja gjykimin, nuk e mendojmë vetën si gatuesit e sistemit, përbërsit e tij dhe këtu genjejmë veten.

Shpesh kam dëgjuar profesorë universitetesh që ankojnë dhe shajnë sistemin për faktin që studentët janë nën nivelin e duhur, por harrojnë të shtojnë që kanë mbi 30 vite pune nepër universitete.

Në shtet a privat, në zyra a në kafe zgjidhen hallet e disave, e prishet terezia e disa tjerëve, ende s’po dime të vendosim një ekuilibër që dëmi te mos jetë me i madh se nderi.

Të gjithë themi njëzëri  se kështu funksionojnë gjërat/ sistemi, majde edhe të huajt na e kanë marrë dorën.

Të pangopurit e pushtetit politik kanë 27 vite deputet dhe ankohen për qeverisjen kur janë në opozitë por me të marrë pushtetin harrojnë lehjet opozitare e bëjnë dhe më keq se kundërshtari.

Ankojmë, ofshajmë por nuk luajmë asnjë gisht për të ndryshuar gjërat, s’bëjmë asnjë  përpjekje. Aty ku shohim grumbuj plehrash ne hedhim plehra e nuk pyesim për pasojat e këtyre plehrave, harrojmë që gjithçka kthehet mbrapsht.

Vrapojmë pas turmave që ecin pa e ditur se për ku sepse kemi frikë të përballemi të vetëm.

Duhet të ndryshojmë qendrimin indiferent e bashkë me të mendësinë dhe inferioritetin që nuk jemi në gjendje të ndryshojmë gjërat, historia na ka mësuar që ndryshimet e mëdha vijnë gradualisht dhe përshkallzohen më pas.

Nëse nuk duam, respektojmë, vlerësojmë veten askush nuk ka për ta bërë atë, nëse nuk e dimë sesa i rendësishme është reagimi kur diçka nuk na pelqen dhe na duket e padrejtë, atëherë duhet të punojmë me veten, me dobësit tona, me ndergjegjen tonë.

Forca e arsyes gjendet brenda nesh, po ashtu kundershtimi i së keqes dhe miratimi i saj flejnë në trupin e njeriut. Prandaj boll ia hodhëm fajin “sistemit” le ta ndryshojmë atë, por fillimisht të ndryshojmë veten.

NGA: LEONORA LAÇI

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0