Sigurimet vullnetare, në pakicë dhe në rënie të mëtejshme

Sigurimet vullnetare, në pakicë dhe në rënie të mëtejshme

Rrahën njëri-tjetrin, burrë e grua vihen nën hetim në Devoll
Moti merr kthesën e madhe/ Meteorologia tregon kur pritet të nisin reshjet e dëborës, ja surprizat në ditët në vijim
Rritet numri i te infektuarve, por nuk ndryshojne masat anti-covid

Pesha e sigurimeve vullnetare në tregun e sigurimeve është në rënie të mëtejshme gjatë këtij viti.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), për 10-mujorin 2022 sigurimet vullnetare sollën 32.65% të primeve të shkruara bruto në sigurimin e Jo-Jetës, nga 34% që kishte qenë pesha e tyre për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Volumi i përgjithshëm i primeve të shkruara bruto për sigurimet vullnetare në 10 muaj ishte 5.16 miliardë lekë ose rreth 44 milionë euro. Deri tani gjatë këtij viti, shqiptarët kanë shpenzuar vetëm 15 euro për frymë për t’u siguruar vullnetarisht.

Ndër produktet e sigurimit vullnetar, më i rëndësishmi ngelet sigurimi ndaj zjarrit dhe forcave të natyrës, me pothuajse 30% të volumit total të sigurimeve vullnetare.

Nga tetë kompani të licencuara për ofrimin e sigurimeve të Jo-Jetës, vetëm dy prej tyre kanë një peshë të primeve nga sigurimet vullnetare më të lartë se mesatarja e tregut.

Në rastin e Albsig, sigurimet vullnetare sjellin 50.8% të primeve, ndërsa për Sigal Uniqa Group Austria 47.8% të tyre. Të gjitha kompanitë e tjera e kanë peshën e sigurimeve vullnetare kundrejt totalit të primeve në intervalin mes 13% dhe 26%.

Shifrat e mësipërme i takojnë vetëm atyre sigurimeve që janë ligjërisht të detyrueshme. Në fakt, edhe një pjesë e mirë e sigurimeve që janë ligjërisht vullnetare, në fakt kryhen në mënyrë të detyrueshme, për shkak të detyrimeve të vendosura në marrëdhëniet kontraktore nga palë të treta, si bankat apo institucionet financiare, etj.

Ndër këto produkte, më tipiket janë sigurimet e pronës, sigurimet KASKO të automjeteve apo policat e sigurimit të aksidenteve në udhëtim.

Shifrat tregojnë se tregu nuk po bën asnjë përparim në drejtim të rritjes së peshës së sigurimeve vullnetare, që paraqiten gjithnjë e më në pakicë në strukturën e primeve të tregut. As hyrja në treg e investitorëve të huaj rreth 15 vjet më parë nuk solli një transformim të shpresuar cilësor të tregut.

Drejtuesit e kompanive të sigurimit mendojnë se në dështimin e krijimit të një kulture të sigurimeve në Shqipëri ka edhe një përgjegjësi të madhe nga ana e shtetit. Sipas tyre, mbulimi apo kompensimi i dëmeve nga shteti në rastet e fatkeqësive natyrore, si tërmetet apo përmbytjet, bën që qytetarët të mos ndërgjegjësohen rreth rëndësisë së sigurimit për të qenë të mbrojtur financiarisht ndaj dëmeve të mundshme në pronë apo në shëndet.

Në këto kushte, sigurimin kërkojnë prej vitesh krijimin e një skeme kombëtare për sigurimin nga katastrofat. Shumica e siguruesve janë të mendimit se një skemë e tillë duhet të jetë e detyrueshme.

Megjithatë, disa prej tyre mendojnë se pjesëmarrja në këtë skemë mund jetë edhe vullnetare, por me kusht që të përcillet qartë mesazhi se, në rast të fatkeqësive natyrore, dëmi nuk do të paguhet nga shteti dhe qytetarët duhet ta marrin vetë përsipër rrezikun financiar./E.Shehu

Monitor

COMMENTS

WORDPRESS: 0