Disa sezone të humbura, depo të tëra të mbushura me stoqet e veshjeve që nuk panë kurrë vitrinat e dyqaneve dhe humbje të jashtëzakonshme financiare janë ato që përjetoi industria e modës që nga nisja e pandemisë në fillim të vitit 2020 e deri më tani.
Globalisht, kjo preku thuajse të gjithë, nga markat ekonomike tek ato luksoze dhe kërkoi që të gjithë të gjejnë mënyrat sesi të mbijetojnë, duke nisur nga forcimi edhe më shumë i kanaleve dixhitale të shitjes te qasja më e mirëmenduar për atë çfarë ka nevojë klienti.
Për industrinë e veshjes nuk ishte më çështje shije dhe mode, por blerjet e veshjeve u kthyen në nevojë, si rezultat i ndryshimeve në stilin e jetesës që solli pandemia, ku një pjesë e mirë e vendeve aplikoi karantinën, zyrat u boshatisën duke i lënë vend punës nga shtëpia, ndersa jeta e natës dhe eventet sociale u zhdukën nga axhendat. Vetvetiu, të gjithë e gjetën veten me dy “uniforma” standarde, veshjet komode të shtëpisë dhe ato sportive edhe për udhëtimet në natyrë, parqe, male sa më larg COVID-19.
Në Shqipëri, mbyllja nuk ishte aq drastike sa në pjesën më të madhe të Europës, me përjashtim të karantinës së vendosur në mars dhe prill. Por kjo nuk pengoi shqiptarët që të ndryshojnë stilin e veshjes apo më saktë, mënyrën sesi shpenzojnë për veshje dhe çfarë blejnë gjatë kësaj kohe bashkëjetese me virusin. Disa nga grupet më të mëdha të tregtimit të veshjeve në vend konfirmojnë se teksa veshjet e mbrëmjes dhe të eventeve kanë pësuar rënie drastike, ato “casual” dhe sportive e ndien tronditjen vetëm në fillim të pandemisë, duke iu kthyer normalitetit gradualisht.
Blerja e veshjeve jashtë vendit është e zakonshme për një pjesë të shqiptarëve në udhëtimet jashtë vendit. Por me vendosjen e kufizimeve dhe mbylljen e kufijve, ky grup u detyrua t’i përmbushë nevojat në dyqanet brenda Shqipërisë.
Në fillim të vitit 2020, në kohën e vendosjes së karantinës dhe pak muaj më pas, operatorët pohuan se kishte stanjacion në treg, kur për shkak të pasigurisë njerëzit kufizuan shpenzimet.
I vetmi segment që në atë kohë do të kishte ecuri disi më normale ishte ai i veshjeve të fëmijëve, të cilët nga sezoni në sezon rriten dhe për rrjedhojë, kanë nevojë veshje të reja. Por gjatë këtij viti, duket se situata ka ndryshuar disi. Janë rritur shpenzimet për veshje që vjen si nevojë e rinovimit të gardërobës dhe në këtë grup bëjnë pjesë edhe ata që veshjet dikur i blinin jashtë kufijve.
Teksa pandemia imponoi fillimisht karantinën dhe mbyllje të kufijve, efektet tek disa segmente ishin të menjëhershme dhe disi më afatgjata sesa në segmente të tjera.
Lidhur me segmentin e veshjeve te fëmijët, rritja ka qenë disi më e ngadaltë, me 7%. Ndikim në këtë aspekt, ka pasur zhvillimi i shkollës online. Gjithsesi me ndryshimin e sezonit dhe për shkak të rritjes së fëmijëve, dinamika e ecurisë së shitjeve parashikohet që të jetë më e lartë.
COMMENTS