Shqipëria, sa pak shpenzime për  shëndetësinë në kohë pandemie

Shqipëria, sa pak shpenzime për shëndetësinë në kohë pandemie

Ky është plani i Evropës për t’i rikthyer njerëzit në punë pas Covid-19
Nipi viktimës/ Vdiq nga Covid-19, pa i bërë tamponin
Vaksinimi ka ulur ndjeshem numrin e viktimave – Silva Bino

Kohët e vështira që po kalojmë, për shkak të  pandemisë, Covid-19, i kanë shtuar  vështirësitë dhe kostot e jetesës.  Janë rritur  shumë,  për çdo familje, shpenzimet për shëndetin, ndërkohë që të ardhurat për të gjitha shtresat janë pakësuar dukshëm.

Interesante është të shohim se sa po shpenzon qeveria, ndërkohë për kujdesin shëndetësor.  Eurostat në një botim të fundit  shpjegon  se sa shpenzojnë shtetet e ndryshme në Europë nga PBB-ja e tyre për fushën e shëndetësisë.

Nëse do t’i referohemi të dhënave të publikuara, vëmë re Shqipëria renditet e fundit në Europë sa u takon shpenzimeve për shëndetësinë, madje me një diferencë shumë të madhe edhe nga vendi i parafundit.

Ndërsa në vitin 2018, Shqipëria akordoi 2.9% të PBB-së si fonde për shëndetësinë dhe nga ana tjetër të dhënat tregojnë se Shqipëria shpenzon një të katërtën e mesatares europiane për këtë sektor.

Nisur nga të dhënat e Eurostat, vendet e BE-së vitin e kaluar grumbulluan mesatarisht 41.1% të ardhura të PBB-së, ndërsa Shqipëria grumbulloi të ardhura vetëm 27.4% të PBB-së së saj dhe këto statistika tregojnë se Shqipëria hyn në grupin e vendeve europiane si Kosova dhe Rumania që e kanë të ulët rendimentin fiskal, për shkak të dobësive në grumbullimin e të ardhurave dhe nivelit të lartë të informalitetit.

Dhe jo vetëm kaq, por në vitin 2019 Shqipëria i përkeqësoi rezultatet akoma më shumë , pasi të ardhurat në raport me PBB shënuan rënie me 0.2 pikë përqindje.

Kështu, si rezultat i shifrave të dobëta fiskale, Shqipëria ofron mbështetjen më të ulët buxhetore në raport me PBB për të gjithë sektorët, duke përfshirë edhe ata prioritarë si arsimi, shëndetësia, mbrojtja sociale apo siguria publike.

Mesatarisht në Bashkimin Europian , shpenzimet e kujdesit shëndetësor arritën në 9.9% të PBB-së në 2018 dhe  pjesët më të mëdha u regjistruan në Gjermani (11.5% të PBB) dhe Francë (11.3%), ndjekur nga Suedia (10.9%) .

Në të kundërt, pjesa më e ulët e shpenzimeve të kujdesit shëndetësor u regjistruan në Luksemburg (5.3% të PBB), Rumani (5.6%) dhe Shqipëri me 2.9% .

Në rajon, shpenzimet më të larta për sektorin e shëndetësisë i ka Bosnja, e cila akordoi vitin e kaluar 8.8% të PBB-së. Bosnja ka shpenzime më të larta të PBB për të gjithë sektorët në raport me shtetet e tjera të rajonit, pasi mbledh më shumë të ardhura në raport me PBB-në e saj, me rreth 43%.

COMMENTS

WORDPRESS: 0