Banka Botërore thotë se rritja e çmimeve në Shqipëri do të përkeqësojë jetesën e familjeve shqiptare. Banka Botërore raporton se në këtë situatë ekonomike do të ketë rritje të ndjeshme të inflacionit, si dhe do të krijohen probleme dhe shqetësime në tregjet financiare.
Rritja e çmimeve dhe kostot e transportit do të përkeqësojnë jetesën e të varfërve shqiptarë. Është ky vlerësimi që vjen nga Banka Botërore në raportin e fundit të saj për Ballkanin Perëndimor.
Banka Botërore thekson se tensionet e qëndrueshme gjeopolitike mund të rrisin më tej inflacionin, si dhe do të krijojnë probleme në zinxhirët e furnizimit dhe shqetësime në tregjet financiare.
Sipas Bankës Botërore, të gjitha këto mund të zbehin më tej perspektivat e rritjes së Shqipërisë.
Ndonëse qeveria planifikon të mbajë nën kontroll shpenzimet përmes konsolidimit fiskal, kostot më të larta të ofrimit të shërbimeve publike po krijojnë presione ekstra duke ngadalësuar rritjen ekonomike.
Gjithashtu në raport theksohet se goditjet e vazhdueshme nga ana e ofertës kanë krijuar efekte të raundit të dytë, duke rritur çmimet e të gjithë artikujve në shportën e konsumit.
Ndikim negativ fiskal raportohet të kenë patur dhe masat për çmimet e rregulluara të energjisë për biznesin dhe konsumatorët si dhe çmimet përkohësisht të kontrolluara të karburanteve për transport dhe të artikujve kryesorë ushqimorë kanë rishpërndarë barrën e efeketeve të rritjes së çmimeve globale dhe kanë penguar një transmetim të plotë të saj në inflacionin e brendshëm.
Ngjashëm me Shqipërinë, dhe ekonomitë e tjera të Ballkanit Perëndimor janë në ndikim të tensioneve globale, të cilat po krijojnë probleme të konsiderueshme për rajonin.
Ndërkaq, pasojat e luftës në Ukrainë janë në rritje të vazhdueshme të çmimeve të energjisë dhe për pasojë sjell ngadalësim të rritjes ekonomike botërore.
Rrjedhimisht ngadalëson ndjeshëm dhe ritmet e rritjes ekonomike të Shqipërisë.
Marrë nga Ora News
COMMENTS