Pjesë e shkëputur nga shkrimi i Shpëtim Nazarko publikuar tek Konica.al
Të vijnë në mend shpejt nga këto punët e qendrës, kur dëgjon se kanë vendosur se në Elbasan do të ndërtojnë bashkinë e re në formë kulle…
Po Elbasani është qendër dhe fare afër, ku Samiu i Madh mendonte se do të ishte kryeqyteti i Shqipërisë. Sulltan Mehmeti e përforcoi me kala pas humbjes në Krujë me Skënderbeun, për të furnizuar ushtrinë duke e pasur parasysh dhe që ishte qendër e vendit. E ndoshta e përjetësoi njëherë e mirë si vend tregtar.
Thua rron mirë dhe vërtet e kanë idenë se është qendër dhe duhet shfrytëzuar? Kam frikë se jo, dhe në këtë pikë duket se jemi dhe më prapa se Hoxha, që me gjithë çmendurinë e tij në ndërtimin e ekonomisë, e kishte më të qartë se ç’do të thoshte qendër e vendit. Kishte ndërtuar aty Metalurgjinë, Fabrikën e çimentos dhe mbante rezervat e shtetit. Duhej të ruante për gjithë këto mallra, konceptin e qendrës, pra brarazlargësinë e transportit nga të gjitha pikat e vendit. Mbarimi i Luftës së Ftohtë, ashtu si dhe minierave të Sarbrykenit, i dha fund edhe metalurgjisë, edhe çimentos, edhe rezervave të shtetit si koncepte. Po çfarë ngeli?
Ky qytet tipik tregtar, që nga kohët e largëta dhe nga rrethet më të vogla të Shqipërisë në kohën e metalurgjisë e çimentos, u fry me një forcë punëtore të ardhur nga gjithë vendi, ndoshta në masën 30 a 40 mijë njerëz. Sa u bënë këta dyzet vjet në këtë rreth të vogël, që duke pasur natyrë tregtare, kishte pak tokë pronë për vete pale për të ardhurit. Ndoshta u shumuan në rrëmpallën e tranzicionit në 100 mijë të tjerë?
Dhe natyrisht që vjen pyetja fatale. Si rrojnë këta njerëz e çfarë resursesh kanë?
Nuk e di a ku vajtur mendja atyre që e kanë qeverisur Shqipërinë këto tridhjetë vjet pas 1990-tës, por për vete nuk e kam të vështirë të marr përgjigje.
Elbasani i tanishëm nuk ka asnjë arsye të mos i ngjajë Palermos. Duam apo nuk duam, të tëra ato që thashë më lart kanë atë pasojën e qartë. Kjo shtesë e pafundme dhe jo natyrale e Elbasanit do të përpiqej të mbijetonte me çdo mënyrë. Dhe natyrisht të vjen të qeshësh e të qash kur mendon, se kjo punë mund të rregullohet me një rend të fortë, etj, etj. Asnjë qeveri nuk do ta arrijë këtë. Po ç’të bëjmë? Nuk e di…
Gjithnjë kur flas për Korridorin e tetë, them thjesht se Shqipëria duhet të lidhë “Rripin e pantallonave”. Dhe “Tokëza” e këtij rripi është Elbasani…
Përfytyroj në atë romantizimin tim budalla, që rrugët e ardhura nga portet Durrës e Vlorë kryqëzohen si dikur afër Elbasanit për të ringjallur Egnatian. Përfytyroj akoma më keq. Aty në rrethrrotullimin e Rrogozhinës rri përmendoirja e Konstandinit të Madh të Ilirisë, që tregon me dorë botën që krijoi Konstandinopojën e madhe.
Është e kotë që ëndërroj. Korridorin e tetë nuk do ta bëjnë kurrë. Pas Elbasanit do të mbeten prapë ca qytete që mund të ishin xhevahirët që rrethonin atë, Librazhdi e Prrenjasi. Po e kam kot. Ata do të mbeten e ndoshta do të lihen si qytetet më të shëmtuar të Europës a globit, për t’u treguar të tjerëve mjerimin tonë mendor.
Korridorin nuk e bëjmë dot. A ndoshta nuk na lënë të tjerët. Po qendrën e Shqipërisë, qendrën e saj duhet ta bëjmë. Me shumë shkolla si Sarbrykeni që i shndërroi nga më të mirat e Europës, a me çfarë tu dojë zemra. Po nuk e bëmë nuk na mbetet të shohim çdo ditë sesi kryeqendra gjeografike e Shqipërisë do të mbajë era Palermo. Sot dhe nesër. E kjo duam apo nuk duam ne.
COMMENTS