nga Adela Radovani
*fotoja në ballinë nga Ataol Kaso, e publikuar në Nepotik 3
‘I keni parë zbukurimet sivjet?’
Një nga zhvillimet e zakonta që ndodhin në çdo kryeqytet të Europës e tutje në fundvit është zbukurimi i qendrave të qyteteve dhe organizimi i panaireve të ndryshme ushqimore dhe artizanale, për të ndezur atmosferën festive. Tirana ka nisur traditën e zbukurimit prej viteve 2000, së fundmi me një stil të ngurtësuar, që nuk pëson fort ndryshime nga viti në vit. Në 2011, kryebashkiaku Lulzim Basha përuron fshatin e Krishtlindjeve në atë që sot njihet si Kalaja e Tiranës, e në vitet më pas, pas ardhjes së Erion Veliajt në krye, këto zbukurime kanë lëvizur herë në Pedonalen e Tiranës e herë te sheshi Nënë Tereza, duke shkaktuar bllokim të trafikut. Me hapjen e sheshit Skënderbej, u përqendruan organizimet aty, nga viti në vit, me struktura gati identike. Është e pamundur që nga fotot të kuptosh se për cilin vit bëhet fjalë. Edhe Pema nuk pëson ndryshime, duke i shtuar elemente padallueshmërie sheshit. Nga një vit në tjetrin, thellohet ndjesia e palëvizshmërisë. Sheshi ashtu si dhe banorët e qytetit, sëmuret në dimër nga i njëjti infeksion, me të njëjtën panoramë klinike, herë më lehtë e herë më rëndshëm.
Pritshmëri të larta
Sheshi Skënderbej është pika kulmore e Tiranës, që përfaqëson në mendjen e gjithësekujt zemrën dhe energjinë e kryeqytetit, duke krijuar dhe imazhin kombëtar për këdo që vjen për të vizituar Shqipërinë. Në gjendjen që njohim sot është inaguruar në vitin 2017, ku në foltoren e rrethuar nga karriget me spektatorë anonimë, u mbajt një ceremoni e gjatë, me disa folës. Rama u shpreh i mallëngjyer për arritjen: sheshi ishte një ‘xhevahir i Rilindjes Urbane’. Shndërrimi i sheshit Skënderbej në hapësirë për këmbësorë parashikonte edhe përdorimin e kësaj hapësire të shtruar me pllaka, të ndërtuara me gurë nga trojet shqiptare, për festa, koncerte, evente dhe organizime të tjera. Pavarësisht thirrjeve të urbanistëve se ishte një vendim i gabuar, mbyllja e punimeve ishte një çlirim për lëvizjen e këmbësorëve. Problematika të menjëhershme dolën gjatë sezonit të parë të verës, ku sheshi i cili ka një sipërfaqe prej 40 mijë m2, goditet nga rrezet e diellit në formë direkte. Nga viti 2017 e deri më sot nuk ka as ndryshim të kësaj situate, pavarësisht rritjes së pemëve anësore dhe përdorimit të shatërvanëve, që e kthen sheshin në zonë të vdekur e të djegur, me këmbësorë që turren të kalojnë anash e shpejt. Gjatë vjeshtës e nisjen e shirave, sipërfaqja bëhet e rrëshkitshme, por në dimër, sheshi shndërrohet në diçka krejt tjetër, që ka tërhequr interesin e fotografëve. Por jo për mirë. A është një atmosferë festive apo një cirk urban?
Estetika është subjektive, marrja e frymës jo
Një banore e Athinës, në një videointervistë shprehet për vox pop-in në televizion se, ‘mezi i pres festat e fundvitit. Dal gati çdo ditë në qendër, kaloj nga panairet se dua të ndiej atmosferën e këndshme. Fëmijët e mi e duan shumë xhiron, kalojmë nga dyqanet e vogla dhe marrim diçka për të ngrënë, si çokollata artizanale, shkrepim foto për kujtim’. Ndërkohë, në video na shfaqen rrugë të gjera, dyqane druri të vendosura në hapësira të tilla që mund të dallosh secilën në veçanti, lojra festive me ngjyra të këndshme, drita dhe një pemë të ngrohtë. Këtë pamje mund ta gjesh në qindra video në youtube në qytete të tjera, ngjashëm edhe atmosfera në Stamboll, Vienë, Romë, Madrid, por dhe në Prishtinë. Qendra e Tiranës i ngjan një katrahure, ku kryesisht vizitorë, të huaj e popullsi familjesh me shumë fëmijë dhe ekonomikisht më të varfër, ecin, qëndrojnë me orë të tëra në kafenetë e mbira, dhe përdorin lojërat elektronike. Ndërkohë, pjesa më e madhe e të njohurve të mi e shmangin sheshin Skënderbej gjatë festave. Atmosfera nuk është festive, mes aromës së tymit të qofteve, kafeneve të shtrira gjerë e gjatë, a thua ti se kafenetë normale u mbyllën, lodrave elektronike me figura të ekzagjeruara grash gjoksmëdha e pa shije, disa dyqaneve artizanale që shesin gurë e kristale kineze e pa cilësi. Pema fshihet midis pazarit, por Tirana aty e kish patur dikur apo jo? Por ja që sheshi tani nuk është pazar, e pazari bëhej veç të dielave. Sheshi duket gjithnjë pis. Ndoshta sepse është. Sigurisht, edhe pamjet e kullave në ndërtim nuk ndihmojnë, por problemi kryesor mbetet mungesa e hapësirës për të ecur lirshëm, pasi çdo gjë është vënë ngjitur. Tapeti i shëmtuar jeshil, i mbushur tashmë prej shirave me baltë dhe pisllëk, mbeti aty që nga hapja e një birrari/qoftoreje për hir të Qatar 2022. Tashmë të ngjitet pas këpuce. Është e vështirë që të shpjegohet situata vetëm me foto; që ta kesh të qartë atë, do duhet të jesh aty e të kalosh, për të ndjerë aromën e rëndë të frymëmarrjes së atyre që sidoqoftë e vizitojnë sheshin, të kokoshkave të ndenjura e sigurisht, të ndotjes akustike. Çdo lodër elektronike emeton muzikën e saj, aspak festive, e kryesisht pop ose house. Në një pikë të caktuar të sheshit mund të zbulosh një miksim të ri të të gjitha këtyre këngëve, e cila të shkakton një marrje mendsh dhe bllokim frymëmarrjeje. Kjo nuk është tamam ajo që prisja nga atmosfera festive. Erion Veliaj thotë shpesh se ata që duan të hedhin baltë, do e bëjnë. ‘Haters gonna hate’ është shprehja në gjuhën angleze. Ndaj dhe më pëlqen që analizën të mos e bazojmë mbi shifrat e vizitorëve, e cila nuk mund të merret si etalon mbi vlerat e një organizimi. Është fakt se një pjesë e madhe e qytetarëve marrin atë që ju serviret, për të mos folur pastaj për turistët që janë të detyruar të pranojnë atë imazh që kryeqyteti ofron, edhe me pahir.
Fshati digjet…
Prej pandemisë, krizave ekonomike të njëpasnjëshme, ka një rënie të përgjithshme të financave të qytetarëve, e cila më pas përkthehet menjëherë edhe në rënie të moralit dhe humorit. Sigurisht, ideja se qeveritë respektive duhet të bëjnë më tepër për të përmirësuar jetën e qytetarëve është e drejtë dhe nuk mund të mbulohen dështimet, korrupsioni dhe keqpërdorimi i fondeve të taksave me drita dhe festa. Nga ana tjetër, Tirana as këtë nuk e realizon dot. Një gënjeshtër të gëzuar midis problemeve të mprehta të qytetarëve të këtij vendi, ku një pjesë e kaloi vitin e ri në terr, sepse nuk paguan dot energjinë elektrike, e një pjesë pa bukë, sepse nuk kanë mundësi të blejnë as ushqim. Fëmijët janë ata që e vuajnë më tepër mungesën e një atmosfere të gëzuar, duke iu hequr atyre të drejtën për të pasur fëmijëri dhe kujtime. Pavarësisht krizave, Shqipëria nuk është e goditur nga lufta, por nga nga një mbingarkesë të pakuptimtë e babëzi për të shfrytëzuar çdo centim pllakë. Është e pamundur të mos mendohet se arsyeja e katrahurës është thjesht mbledhje qiraje nga ana e bashkisë, konsideruar se koncensioni në privat për mirëmbajtjen e tij, është i një vlere shumë të madhe, siç është denoncuar disa herë nga mediat. Lodrat elektronike paraqesin ndjesinë e një kazinoje, me figura vajzash të objektifikuara, ngjyra të forta tërheqëse me konotacione seksuale.
Në një artikull për Citizen’s Channel, ku flitet për problemin e transportit publik dhe trafikut në Tiranë, urbanisti Gentian Kaprata përmend pikërisht sheshin Skënderbej si faktor rëndues. “Sepse Këmbësorja Skënderbej, në vetvete, nuk përligj asnjë përdorim që mund ti tërheqë qytetarët. Konvertimi i këmbësores në një qebaptore gjigande në ditët e ndërrimit të viteve apo në një skenë gjigande me kosto deri në miliona euro sikurse në dy koncertet e fundit, nuk mund ti përligjin kostot publike të profecisë së rreme.”- thotë urbanisti Kaprata.
Sheshi dhe përsheshi i përjetësuar në një aparat me film 35 mm
Mund të mendohet se filmi vdiq njëherë e mirë me nisjen e epokës dixhitale, por së fundmi vihet re një ringjallje e dëshirës së fotografëve për të dokumentuar ngjarje, vende dhe për të krijuar art me aparatet SLR. Pavarësisht kostove gjithnjë në rritje të filmit, të zhvillimit e skanimit të tij, një numër gjithnjë e më në rritje i fotografëve amatorë dhe profesionistë po i kthehet këtij procesi, duke krijuar komunitete të vogla, por me pasion të madh. Në numrin e tretë të projektit Nepotik nga Radioblog Tirana, nën drejtimin e Olsi Hoxhës, gjendet një fotografi e sheshit Skënderbej. Fotja është zgjedhur për të qenë pjesë e këtij projekti në ‘hard-cover’ me 45 fotografë, e që përpiqet të zgjedhë të printojë fotot që do kenë më tepër ndikim për lexuesin. Fotografi Ataol Kaso prezantohet me disa foto nga Tirana, ku pikërisht ajo e sheshit gjatë festave të krijon menjëherë ndjesinë e shkallëzimit dhe zhytjes e që më frymëzoi të mendoja gjatë mbi ndjesitë e krijuara në kaq kohë.
Ataol Kaso ka shumë vite që merret me fotografi, e shprehet se prej kohësh tashmë nuk përdor asgjë tjetër veç aparatit me film. Jo si dëshirë për të qenë ndryshe a për t’ju bashkuar atyre që mendojnë se filmi është në modë, por si një mënyrë që ai ndjen se e shpreh më mirë ndjeshmërinë e tij ndaj subjekteve të fotografuara. Sheshi për të ka qenë burim frymëzimi i kahershëm. Për Ataolin, një orgji e tillë vizuale, e mbushur me simbole dhe godina kitsch, të kapura në film 35mm që në thelb, është një proces kimik i papërsosur, arrijnë të shprehin atë mbigopje mendore dhe dhunën që ushtron kjo mbigopje mbi ty si kalimtar.
Pavarësisht se fotot mund të jenë duke ironizuar a qësendisur këtë kaos, Ataoli ka një qëndrim të shkëputur prej tij, ai thotë se shkon, shkrep fotot dhe largohet pa ndikuar. Këtë natyrë të shkëputur ia kërkon vetë procesi i fotografimit, i cili përpiqet të flasë dhe të tregojë, jo të ndryshojë a të shpërthejë në thirrje për ndryshim. Një ndjesi apatie dhe frike të pushon kur i sheh ato foto për gjatë, ajo ndjesi e pandryshueshmërisë për të cilën fola në fillim. Ajo të pushton tërësisht dhe të bën të heqësh dorë, t’i shmangesh ose t’i dalësh përballë së keqes.
Ose të marrësh ti aparatin në dorë. Në fund të fundit, nga çdo e keqe, mund të dalë një e mirë.
Zbukurimet dhe kioskat u hoqën për vitin 2023 javën e dytë të janarit. Sheshi merr frymë sërish.
COMMENTS