Shemben dy pallate tek Rruga Ura, banorët: ‘Janë të banueshëm!’

Shemben dy pallate tek Rruga Ura, banorët: ‘Janë të banueshëm!’

Banesat sociale, familjet rome nuk paguajnë dot qeratë
Programi për strehimin social: lehtësohen procedurat, kontratë me bashkinë pa nevojën e noterit
Dokumentacioni që  nevojitet për të aplikuar për “Kredi të Butë”

Dy pallate të shpallura më parë si të banueshëm në Tiranë, u shembën ditën e sotme nga IMT, pavarësisht kundërshtimit të banorëve të njësisë 4. Dokumentacionet që banorët paraqesin tregojnë se pallatet janë të nivelit DS3 të dëmtimit nga tërmeti i vitit 2019, dhe shprehen se shembja po bëhet për t’ju marrë atyre pronën. Bëhen tre vite që ata jetojnë me frikë se do nxirren mos një ditë, tjetrën. Fadromat u paraqitën pranë pallateve mbrëmjen e djeshme.

Disa prej familjeve kanë përfituar bonus qiraje paçka se kanë vazhduar të banojnë prej tre vitesh në pallat. Bashkia i ka kërcënuar se do i ndjekë penalisht dhe duhet patjetër të largohen. Ndër veprime të tjera presioni, banorët thonë se ju kanë ndërprerë furnizimin me ujë dhe energji elektrike.

“Mua shtëpinë ma dha ish Komiteti i Partisë, kam këtu që nga ’91. Na ka prerë dritat dhe ujin. Jetoj së bashku me tim shoq, jemi të dy pensionistë. Ku do shkojmë? Pallati jonë ka dale i banueshem nga ekspertiza, DS3. S’na kanë dhënë asnjë lajmërim zyrtar, vetëm me telefon. Nuk e dimë çfarë të bëjmë, jemi bërë me zemër.” – deklaroi sot një banore, rruga Ura.

Nga ana bashkisë pretendohet se procedurat e ndjekura janë të rregullta. Llogaritja e shtëpive që secila familje përfiton është bërë në bazë të strukturës së çdo familjeje në gjendje civile, dhe kjo ka shkaktuar probleme pasi disa prej tyre janë me trung familjar të ndarë. Më tej, ata që kanë pasur në pronësi më pak metra por janë me më tepër anëtarë, përfitojnë shtëpi më të mëdha. Por duke qenë se një numër familjesh e ka pranuar bonusin e qirasë dhe nuk kanë ndërrmarrë hapa ligjorë për të kundërshtuar akt-ekspertizat e mëvonshme, u bë tepër e vështirë për të kundërshtuar shembjen dhe zgjidhjen e padrejtësive në ndarjen e metrave katrorë.

Banorët deklarojnë se padrejtësia po bëhet për t’ia falur tokën një oligarku që të ndërtojë aty kullat që dëshiron. Ata mendojnë që mund të ketë falsifikim firmash, deri në dyshime se eksperti i cili ka dhënë vendimin e shpalljes së pallateve si të dëmtuara në nivelin DS3 mund të jetë eliminuar nga oligarkët. Megjithatë, këto mbeten në nivel fjalësh që qarkullojnë nën zë. Bashkia ka kërkuar që familjet të zhvendosen në banesa sociale në rrugën 5 Maji, e cila gjithashtu kundërshtohet nga banorët. Ata nuk dëshirojnë të lëvizin prej lagjes ku janë aktualisht.

Kjo situatë rëndon më tej stresin e jetës së përditshme, sidomos për këto familje që kanë përjetuar tmerrin e tërmetit të nëntorit të 2019. Paaftësia e institucioneve për të dhënë një zgjidhje të drejtë dhe të kënaqshme ka shkaktuar ankth dhe mosmarrëveshje në këtë njësi.

COMMENTS

WORDPRESS: 0