Serbia kthehet partner kryesor tregtar i Kosovës në rajon, importet rriten me 850 milionë euro

Serbia kthehet partner kryesor tregtar i Kosovës në rajon, importet rriten me 850 milionë euro

Elbasan: Nis rikonstruksioni i 24 banesave të komunitetit Rom /Egjiptian
Prostitucion i vajzave shqiptare, grup kriminal e plagosje – Arrestohet 55 vjeçari në kërkim ndërkombëtar
E moshuara/ Kemi aplikuar tek e-albania por nuk ka përgjigje

Serbia është shndërruar në partnerin kryesor tregtar në Kosovë. Gjatë periudhës janar-tetor 2022, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021, janë importuar 850 milionë euro më shumë mallra nga jashtë. Për shkak se eksportet për këtë periudhë janë rritur vetëm me 154 milionë euro, deficiti tregtar është thelluar dhe ka arritur në minus 3.9 miliardë euro.

Ish-kryeministri i Kosovës, tani deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës Avdullah Hoti ka thënë se Serbia është shndërruar në partnerin kryesor tregtar të vendit tonë.

Hoti me anë të një shkrimi është shprehur se importet e mallrave janë rritur për 850 milionë euro.

“Importet rriten me 850 milionë euro dhe Serbia kthehet si partner kryesor tregtar i Kosovës në rajon. Gjatë periudhës janar-tetor 2022, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021, janë importuar 850 milionë euro më shumë mallra nga jashtë. Për shkak se eksportet për këtë periudhë janë rritur vetëm me 154 milionë euro, deficiti tregtar është thelluar dhe ka arritur në minus 3.9 miliardë euro”, ka shkruar Hoti.

Sipas ish-kryeministrit të Kosovës, thellimi i deficitit tregtar e vë në dyshim rritjen ekonomike të vendit.

“Thellimi i deficitit tregtar e vë në dyshim rritjen ekonomike, të prodhimit vendor dhe të punësimit në Kosovë, siç po propagandohet nëpër konferenca ndërkombëtare”.

Hoti ka thënë se tregtia e lirë ka ekzistuar edhe në vitet kur këta që sot qeverisin i rrotullonin kamionët me mallra nga Serbia.

“Nëse e analizojmë tregtinë me vendet e Ballkanit Perëndimor, shohim se importet me të gjitha këto vende janë ulur pa përjashtim, përveç me Serbinë. Dikush mund të thotë se tregtia është e lirë dhe ajo i përcakton importet dhe eksportet. Dakord jam me këtë. Por tregtia e lirë ka ekzistuar edhe në vitet kur këta që sot qeverisin i rrotullonin kamionët me mallra nga Serbia”.

Kurse, Agjencia e Statistikave në raportin e fundit ka treguar se importi i mallrave me Serbinë ka vazhduar të rritet derisa më Shqipërinë ka shënuar rënie.

Veç në muajin tetor të këtij viti Kosova ka blerë mallra nga Serbia në vlerë mbi 34 milionë euro. Kurse, në të njëjtën kohë në vendin tonë nga Shqipëria kanë hyrë mallra në vlerë të 21 milionë eurove, që i bie, mbi 10 milionë me pak se sa nga Serbia.

“Me Shqipërinë në tetorin e vitit 2021, importi me mallra ishte 26 milionë e 968 euro. Me Shqipërinë në tetorin e vitit 2022, importi me mallra ishte 21 milionë e 651 euro.. Me Serbinë në tetorin e vitit 2021, importi me mallra ishte 31 milionë e 186 euro. Me Serbinë në tetorin e vitit 2022, importi me mallra ishte 34 milionë 090 euro”.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave kanë treguar po ashtu se edhe në përqindje, Serbia e kalon Shqipërinë me import.

“Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin tetor 2022, arritën në 83.2 milionë euro, ose 17.0% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-7.9%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (7.0%), Shqipëria (4.4%), dhe Maqedonia e Veriut (4.0%)”.

Në 5 vitet e fundit, Kosova ka importuar më së shumti mallra nga Serbia në vitin 2017. Në vitin 2017 vlera e importit të mallrave nga Serbia ishte 449 milionë e 305 mijë euro, në vitin 2018 ishte 386 milionë e 475 mijë euro, më 2019 ishte vetëm 4 milionë e 443 mijë euro. 2019-ta ishte viti kur ish-kryeministri Ramush Haradinaj kishte vendosur taksë 100% për produktet që vinin nga Serbia.

Në vitin kur u shfaq pandemia, 2020, vlera e importit nga Serbia ishte 173 milionë e 428 mijë euro. Kurse në vitin 2021, vlera është rritur përsëri dhe ka arritur në 305 milionë e 398 mijë euro.

Monitor

COMMENTS

WORDPRESS: 0