Përdorimi dhe varësia ndaj drogës ka marrë përmasa shqetësuese mes komunitetit Rom dhe Egjiptian në Shqipëri, të cilët përballen veç problemeve ekonomike edhe me kriminalitet të shtuar dhe dhunë në familje.
Përdorimi prej 20 vitesh i marijuanës e ka zhytur Arben Mukën në varfëri dhe e ka përplasur disa herë me dyert e burgut. Dyzet e dy vjeçari nga Tirana, i cili jeton me prindërit e bashkëshortes në qytetin e Fierit, thotë se mbledh dhe shet kanoçe për të siguruar paratë e drogës.
“Dua ta lë, por e kam të pamundur. Pa bukë mund të rri, po jo pa drogë,” thotë ai në dëshpërim.
Muka është përpjekur në të shkuarën të marrë ndihmë në një qendër të specializuar, por nuk ia ka dalë. Ai i tha Informim.al se ka provuar me raste edhe drogëra të tjera, e madje ka vazhduar të pijë marijuanë edhe brenda në burg.
“Jetojmë në kushte shumë të vështira, mua askush nuk më punëson,” tha 42-vjeçari, ndërsa tregonte historinë e tij me drogën.
Megjithatë, pasojat më të rënda i vuan familja dhe veçanërisht bashkëshortja, e cila ka rënë shpesh pre e dhunës.
Arben Muka është vetëm një prej viktimave të varësisë nga droga –një fenomen shqetësues ky që ka pësuar rritje mes anëtarëve të komunitetit rom dhe egjiptian në Shqipëri.
Të dhënat e siguruara nga Informim.al përmes 60 pyetësorëve të mbledhur në 5 qytete të Shqipërisë tregojnë se numri më i madh i përdoruesve gjendet në Tiranë dhe në Vlorë, ndërsa Shkodra është qyteti që e vuan më pak këtë fenomen.
Sipas të anketuarve, droga më e përhapura është marijuana, e cila gjendet lehtësisht në lagjet e dominuara nga komunitetet rome dhe egjiptiane dhe përdoret kryesisht nga të rinjtë e moshës 14-25 vjeç.
Të pranishme janë edhe cocaina dhe më pak heroina, të cilat përdoren nga moshat më të rritura.

Ndarja e të anketuarve në femra dhe meshkuj dhe lloji I drogës që përdoret më shpesh
Të anketuarit pranuan gjithashtu se fenomeni i drogës është i lidhur ngushtësisht me vjedhjen ose me prostitucionin. Meshkujt janë ata që e konsumojnë më tepër, ndërsa gratë janë më të pakta në numër, edhe pse vihet re një tendencë rritjeje.
Të dhënat e mbledhura nga Informim.al konfirmohen edhe nga qendra Aksion Plus, e cila trajton prej gati dy dekadash përdoruesit e drogës me metadon në Shqipëri.

Besnik Hoxha, Psikolog/Qendra Aksion Plus
Psikologu i qendrës, Besnik Hoxha tha se nga 230-250 persona që trajtohen në Tiranë, rreth 30 janë gra dhe mbi 40% i përkasin komunitetit rom dhe atij egjiptian. Ndërsa në nëntë qendrat, pra nga totali i personave që marin shërbim në këtë qendër për çdo qytet nga komuniteti rom dhe egjiptian janë rreth 25%.
“Disa i kemi në gjendje rruge, ndërsa disa jetojnë në familje relativisht me probleme sociale,” tha Hoxha për Informim.al.
“Një veçanti nga ky komunitet është fakti që është ulur mosha e përdoruesve të drogërave.Rasti në moshën më të ulët ka qenë ai i një djali 16 vjeç,” shtoi Hoxha, ndërsa sqaroi se përveç trajtimit të heroinës, qendra po mundohet të hapet edhe ndaj trajtimit të varësisë nga kanabisi.
Pasojat e drogës
Të dhënat e siguruara nga Informim.al tregojnë se në qytetin e Tiranës, numri më i madh i përdoruesve vijnë nga zonat ku ka përqendrim të lartë të komunitetit rom të tilla si Selita, Shkoza, Stacioni i Trenit, Lana Bregasi apo zona e ish-tregut Elektrik në lagjen Ali Demi.

Pasojat që ka shkaktuar droga te përdoruesit e saj, të dhënnat e mbledhura në %
Fenomeni në rritje dhe neglizhenca e autoriteteve shtetërore ka shqetësuar aktivistët e komunitetit rom dhe atij egjiptian në Shqipëri, të cilët theksojnë se përdorimi i drogës po sjell rritje të kriminalitetit, të shfrytëzimit të prostitucionit apo të dhunës në familje.
N. M. aktiviste e komunitetit rom dhe egjiptian në Selitë të Tiranës tha se përdorimi i drogës është shumë i përhapur tek të rinjtë, si te djemtë ashtu edhe te vajzat.
“Vajzat që përdorin drogë dhe kanë krijuar varësi bëjnë gjithçka për të siguruar të holla dhe kryesisht përdoren seksualisht,” tha ajo.
Për aktivisten, masivizimimi i fenomenit tek të rinjtë e ka përkeqësuar edhe më tepër gjendjen e rënduar të komunitetit rom dhe egjiptian në Tiranë.
Ajo shtoi se një pjesë e shohin drogën edhe si mjet për të dalë nga varfëria, por përpjekjet për ta shpërndarë atë kanë sjellë probleme ligjore.
“Janë të shumta rastet kur të rinjtë përfundojnë në burg, madje një pjesë janë përsëritës. Policia kryen shpesh kontrolle në lagje dhe zakonisht në përfundim të aksionit kemi edhe të arrestuar. Ata qëndrojnë disa muaj në burg e më pas dalin për ta vazhduar aty ku e lanë,” pohon ajo.
Një tjetër fenomen shqetësues, sipas aktivistes, është edhe dhuna brenda familjes.
“Gratë janë në gjendje më të vështirë në fakt, sepse janë ato që i vuajnë pasojat që shkakton droga, sai takon të ardhurave, ashtu edhe sa i takon qetësisë familjare, rritjes së fëmijëve. Shpesh janë ato preja e dhunës dhe e keqtrajtimeve,” shtoi ajo.

Aktivisti Fatmir Zyberi
Fatmir Zyberi, aktivist me banim në Yzberisht të Tiranës tha se anëtarët e komunitetit e kanë zëvendësuar alkoolin e dikurshëm me drogën. Ai shpjegoi se ata përdorin fillimisht marijuanë, por kalojnë më pas gradualisht tek heroina.
“Informacionet që marrin janë të gabuara, sepse fillohet me marijuanën dhe njerëzit kanë përshtypjen se marijuana nuk është e rëndë dhe ka veti shëruese, madje prindërit nuk e kuptojnë që fëmija po fillon të konsumojë drogë…,” tha Zyberi.
“Kur kjo mësohet nga prindërit, ata s’kanë ç’të bëjnë më, sepse është shumë vonë dhe fëmija ka krijuar varësi,” shtoi ai.
E njëjta situatë paraqitet edhe në qytetin e Vlorës, ku sipas aktivistit Azem Haliti, situata është përkeqësuar gjatë periudhës së COVID-19.
“Adoleshentët e konsumojnë marijuanën në masë dhe në shumë raste, kthehen nga konsumatorë në shpërndarës. Mund të rrinë pa ushqim, po jo pa drogë dhe për ta gjetur atë përdorin çdo mjet,”tha Haliti.
“Mungesa e shpresës të çon te droga”
Fatmira, 35 vjeç, përdoruese e metadonit prej 17 vitesh thotë se ndjehet vazhdimisht e diskriminuar.
“Jam parë shtrembër gjithë jetës. Fillimisht për shkak të pamjes që kam si djalë, e më pas si egjitpiane. Njëherë kur shkova në spital në gjendje të rëndë, nuk më preku njeri me dorë e desh vdiqa,” tha ajo.
Gruaja 35-vjeçare thotë se është rritur rrugëve dhe e ka pasur jetën malore. Drogën e ka filluar për herë të parë pas vdekjes së nënës së saj, ndërsa metadonin nga viti 2004.
“Që pas herës së parë nuk e kam ndarë më. Sa bëja një lekë, blija drogë. Nuk ndalem dot dhe kam pirë nga të gjitha llojet e drogës,” shtoi Fatmira.
Aksion Plus, e cila merret njëherazi me parandalimin, edukimin dhe ndihmën psikologjike operon me 9 qendra në qytete të ndryshme të vendit, por nevojat duket se janë shumë herë më të mëdha.

Te dhënat e qendrës AksionPlus në %, në lidhje me përfituesit e shërbimeve në këtë qendër
Psikologu Besnik Hoxha i tha Informim.al se çdo përdoruesi i duhen të paktën 1 mijë lekë në ditë për të siguruar metadonin –para të cilat gjenden në çfarëdolloj mënyre. Ai shtoi se mes përdoruesve, anëtarët e komunitetit rom dhe atij egjiptian e vuajnë më shumë fenomenin, i cili shton edhe diskriminimin ndaj tyre.
“Janë persona që kanë nevojë shumë për kujdes shëndetësor mbi të gjitha. Ata nuk janë të rrezikshëm, por përballen me diskriminim e dhunë. Është shumë e rëndësishme për anëtarët e komunitetit rom që të futen këtu dhe tw pwrfitpjnw nga shwrbimet qw ofron qendran e të trajtohen si gjithë të tjerët,” tha Hoxha.

Av Edvis Gorishti
Një pjesë jo e vogël e përdoruesve shndërrohen më pas në shpërndarës të lëndëve narkotike dhe përfundojnë pas hekurave të burgut.
Avokati Edvis Gorishti ka përfaqësuar deri tani ligjërisht 8 raste të tilla nga komuniteti dhe shpreh shqetësimin se tendenca është në rritje.
“Kostot janë të shumta. Për individin është përballja me ligjin, por kemi edhe kosto familjare, financiare dhe sociale. Zakonisht është një komunitet që ka pak shpresë dhe perspektivë, sidomos tek të rinjtë,” tha Gorishti, ndërsa shtoi “E gjitha kjo të çon drejt drogës”.
Ndërsa Dr. Andrin Tahiri, shef i Shërbimit të Toksologjisë Klinike dhe Addiktologjisë tregon që të dhënat që disponon QSUT nuk janë të ndara sipas përkatësisë raciale apo komunitetin etnik të pacientëve që paraqiten, për shkak të Konventës të të Drejtave të Njeriut, Neni 8 dhe 14.

Dr. Andrin Tahiri, shef i Shërbimit të Toksologjisë Klinike dhe Addiktologjisë
Ai gjithashtu tregon se numri i personave që kanë kërkuar asistencë mjekësore ne lidhje me përdorimin e drograve përgjatë vitit 2019 ka qënë rreth 850 persona dhe gjatë vitit 2020 ky numër ka rënë në 331 pacientë dhe nuk disponojnë të dhëna përpara vitit 2019.
Sipas informacioneve të mara nga QSUT grupmoshat që kërkojnë shërbime mjekësore për drogërat e lehta janë 15-20 vjeç, ndërsa për ato të forta janë 20-40 vjeç,
“Numri më i madh i pacientëve që paraqiten për trajtim, janë raste të përsëritura, për shkak se vetë adiksioni është një sëmundje kronike, e cila kërkon trajtim multidisiplinorë afatgjatë”-thekson dr. Tahiri.
Gjithashtu nuk mungojnë as rastet fatale si pasojë e overdozave nga droga, por këto janë të rralla. Në vitin 2019 ka pasur 4- vdekje , ndersa në vitin 2020 ka patur 3 vdekje.
Artikulli i botuar në kuadër të projektit “Media for All” / Autore : Blerta Lata
COMMENTS