“Vajzën e kemi martuar me djalin e tyre, meqë ishin dakord çifti”, thotë burri, i cili nuk mund të jetë më tepër se dyzet vjeç. E takoj në rastin e familjes Roko, të cilët endeshin sa nga një familjar te tjetri, e herë në rrugë. Lagjja ku më së shumti jetojnë romët në zonën e Shkozës, është një hapësirë e gjerë, me shtëpi të ulëta njëkatëshe, të ndërtuara me fonde të Bashkisë Tiranë.
Eleni është gjashtëmbëdhjetë vjeçe, nuk shkon në shkollë prej mbarimit të nëntëvjeçares dhe është e martuar me djalin e madh të familjes Roko, shtatëmbëdhjetë vjeç. Martesa e tyre është ende informale për shkak të moshës së mitur. Ajo është vajza e një familjeje rome që banon në shtëpitë sociale pranë ish-Uzinës Autotraktori në Tiranë. Eleni duket si një adoleshente tipike, që buzëqesh rrallë, dhe nuk dëshiron të tregojë shumë mbi jetën e saj si nuse. I shoqi, Rafaeli, shtatëmbëdhjetë, po ashtu nuk e vazhdon shkollën dhe merret me grumbullimin e mbetjeve të riciklueshme e çfarëdo soj pune tjetër që del përpara. Deri para pak kohësh, familja e Rafaelit ishte e pastrehë dhe tani banojnë me bonus qiraje pranë po asaj lagjeje, në një shtëpi të vogël private.
Eleni ka ndrojtje të madhe të flasë për lidhjen e saj me të shoqin dhe kur janë bashkë duken si dy të dashur që kanë turp të kapen për dore. Realiteti i martesës së tyre krijon një kontrast midis dy adoleshentëve, të cilët qartësisht jetojnë në një kohë dhe vend ku moshatarët e tyre jo romë kanë lidhje romantike krejt fillestare. Shkolla nëntëvjeçare që kanë frekuentuar të dy dhe kontakti me pjesën tjetër të shoqërisë edhe nëpërmjet rrjeteve sociale, iu ka krijuar një lloj përplasjeje kulturore, midis asaj që rëndom shohin në familjet e tyre dhe atë që moshatarët e tyre jetojnë. Ata duken fëmijë, sepse janë ende fëmijë. Seksi është tabu, e cila nuk përforcohet aq nga familjet e tyre sesa nga vetë limitimi i moshës. Ndërkohë, ata dëgjojnë hera herës të flitet për shtatzani.
Vjehrra e Elenit ka pesë fëmijë, më i vogli është dy muajsh dhe është e papunë. E vetmja punë që ajo njeh është lypja, ndërkohë vjehrri ka nisur punë pranë Bashkisë, në ndërrmarrjen e pastrimit. Eleni vishet me rroba të gjera dhe ul sytë e shtrëngon barkun sa herë diskutohet për fëmijë.
‘Është me barrë kjo,’ thotë vjehrra. ‘Ia kam thënë, s’kemi kushte ne. Të shkojë te mama vet kur të lindi.’
Një studim i Bankës Botërore i vitit 2011 tregon se romët dhe egjiptianët regjistronin martesa në mosha mesatare 15.5 vjeç për gratë dhe 18.2 për burrat, ndërkohë që po nga ky studim, 31% e të gjitha vajzave rome të moshës 13-17 vjeç ishin të martuara(1). Në praktikë, martesa në këtë moshë konsiderohet si martesë e fëmijëve, pasi ligjërisht ata njihen si të tillë. Diskriminimi dhe mungesa e integrimit të romëve dhe egjiptianëve shkakton këtë disbalancë midis tyre dhe pjesës tjetër të popullatës, ritmet e martesave dhe lindjes së të cilëve vazhdimisht shtyhen. Sigurisht që edhe për ta, ka ndryshime të theksuara, sidoqoftë, duke ulur prevalencën e martesave informale të moshave 11 vjeç. Arsimi i detyruar nëntëvjeçar ka pasur një ndikim pozitiv, paçka se në lagjen e romëve është normale të shohësh fëmijë që nuk shkojnë fare në shkollë që prej moshave shumë të vogla. Një fjali që dëgjohet shpesh është, ‘meqë nuk po bën asgjë tjetër, le të martohet’.
Martesa është një rrugëzgjidhje për një familje me shumë fëmijë, një gojë më pak për të ushqyer e për të veshur dhe një shtrat i sajuar më pak në muret e shtëpisë. Familjet rome që kanë disa djem, kanë disa kurora brenda së njëjtës shtëpi. Disa çifte flenë në të njëjtën dhomë. Privatësia dhe jeta personale nuk ekziston.
Problemi i varfërisë është shumëfish më i rëndë për romët dhe egjiptianët në Tiranë për shkak të vetë kushteve të banimit që ekzistojnë aktualisht në këtë qytet. Të gjitha shtresat preken pak a shumë, veç të pasurve, ku studentë, familje të reja, të divorcuar e të moshuar vuajnë për një banesë dinjitoze, ku të mund të kenë kushte bazike për ujë, ngrohje dhe qetësi. Edhe familjet e shtresave të mesme vuajnë për hapësira për fëmijët e tyre, me dukurinë e të fjeturit në sallon ose kuzhinë. Kriza e apartamenteve në Tiranë i prek sigurisht direkt edhe familjet rome dhe egjiptiane, që akoma më pak se pjesa tjetër, duke pasur dhe akses të limituar në vendet më të mira të punës dhe mundësitë për kredi, janë në vështirësi të madhe, duke i rrezikuar ata herë pas here me daljen në rrugë. Jeta e rrugës është e vështirë për një familje të madhe, duke shkaktuar humbje të vendeve të punës në ato raste kur janë të punësuar, dhe largimin e fëmijëve nga shkolla. Cikli përsëritet, varfëria, braktisja e shkollës, martesa e hershme, shëndeti i dobët dhe vdekshmëria në moshë të re, i përndjekin këto familje përgjatë jetës.
.
- H. De Soto, S. Beddies and. Gedeshi, Roma and Egyptians in Albania: From social exclusion to Social Inclusion, the World Bank, 2005
- Fotoja nga Matteo Bastianelli për insideover.com
COMMENTS