Mbledhja e mbeturinave të riciklueshme është një ndër aktivitetet e pakta, që u sigurojnë jetesën përfaqësuesve të komunitetit rom dhe egjiptian, kudo ku ata ndodhen. Në fakt fjala e duhur do të ishte “mbijetesën”. Pavarësisht punës së rëndë dhe në kushte ekstremisht të vështira, të ardhurat e siguruara mjaftojnë vetëm për të mbajtur frymën gjallë.
“Kolektorët e mbetjeve” – siç njihen rëndom, janë burra, gra, po me raste edhe fëmijë, që e ushtrojnë këtë veprimtari rregullisht. Vetëm në Tiranë dhe rrethina nisin kalvarin e përditshëm të mbledhjes së mbetjeve rreth 1000 romë dhe egjiptianë, sipas Organizatës “Drejtësi Sociale”.
Arsyet se përse kjo veprimtari është kaq e përhapur janë të ndryshme. Sigurisht punësimi për këtë komunitet është një sfidë e madhe, që vështirësohet nga mungesa e politikave të mirëfillta shtetërore dhe sigurisht edhe diskriminimit që vazhdon të jetë i dukshëm.
Edhe nëse një rom, apo egjiptian punësohet bëhet fjalë gjithmonë për punë ekstremisht të rënda dhe të rrezkishme e mbi të gjitha të keqpaguara. Në këto kushte mbledhja e materialeve të riciklueshme, përveç shitjes së veshjeve të përdorura, mbetetn dy burimet kryesore të të ardhurave për ta. Por si të mos mjaftonin të gjitha vështirësitë, prej kohësh kolektorëve të Tiranës u duhet të përballen edhe me policinë bashkiake, gjobat, sekuestrimet dhe shpesh edhe dhunën e ushtruar ndaj tyre në shkelje të çdo ligji.

Franko Ibrahimi, grumbullues mbetjesh të riciklueshme
Franko Ibrahimi 20 vjeç, banor i zonës së Kombinatit tregon për Informim.al se përmes mbledhjes së materialeve të riciklueshme ushqen 3 fëmijët e tij. Shpesh është përballur edhe me përfaqësues të Policisë Bashkiake.
“Dola bashkë me nusen , më ndali policia dhe më pyeti ku po shkon. I tregova që do shes bidonat. Më morën karrocën, kanoçet dhe atë ditë më lanë 3 fëmijët pa ushqim. I kërkova të mos m’i merrte dhe i thashë që nuk do dal më këtej. Njëri prej tyre më quajti “gabel.”- thotë Franko për Informim.al.
Historia e përplasjeve të kolektorëve me “bashkiakët” ka nisur në vitin 2018. Këshilli Bashkiak i Tiranës, me anë të vendimit Nr. 156, datë 21.12.2018, e konsideroi grumbullimin individual të mbetjeve “kundravajtje në fushën e mjedisit”. Si masë administrative për kundravajtësit u parashikuan gjoba, deri në 20 mijë lekë, ku cilësohet:
- Kryerja e selektimit manual, kërkimit apo marrje të mbetjeve të dorëzuara në kontejnerë, etj. nga persona të paautorizuar.
- Hedhja, mbledhja dhe grumbullimi i materialeve, hekurishte, apo çdo lloj mbetjeje dhe/ose të ricklueshme, në territore/hapësira publike, apo dhe ambiente private që nuk janë miratuar nga Bashkia e Tiranës për këtë qëllim.
Veç kësaj, jo të pakta kanë qenë edhe rastet e sekuestrimit të karrocave, apo mjeteve të tjera të kolektorëve. Në Tiranë, ndryshe nga sa ndodh në qytete të tjetra, situata është vërtetë e vështirë.
Hysni Zerellari, 56 vjeç , nga zona e ‘Bregut të Lumit’, rrëfen se djemve të tij i është sekuestruar disa herë karroca dhe mjete të tjera të punës dhe veç kësaj i janë vënë edhe gjoba shumë të larta.
“Nuk kemi çfarë të bëjmë. Duhet të ushqehemi. Nuk kemi asnjë të ardhur tjetër, asistencë jo, pension jo e jo. Dalim mbledhim, vjen bashkia na i merr, me biçikletë, me karrocë me të gjitha. Ata i shesin për vete e na vënë edhe gjoba. Shkojmë që t’i marim, të paguajmë gjobën, nuk i gjejmë.” – rrëfen Zenellari.
Nga të dhënat që Informim.al siguroi nëpërmjet një kërkese për të drejtë informimi, zbuloi se gjatë vitit 2019-2020 Policia Bashkiake kishte vendosur 93 masa administrative me vlerë 280.000 lekë ndaj personave të cilët mbledhin mbetje të riciklueshme në territorin e Bashkisë Tiranë.
Ajo që është vërtetë shqetësuese është kalimi, jo i rrallë, i kopetencave, nga ana e Policisë Bashkiake, përmes ushtrimit të dhunës ndaj individëve romë dhe egjiptianë.

Agron Curra, riciklues
Agron Curra, 59 vjeç, prej vitesh ushqen familjen me të ardhurat nga shitja e mbetjeve të riciklueshme, mbetje të cilat i merr në familje, apo biznese të ndryshme dhe që nuk janë pronë e bashkisë.
“Isha te martaniteti i ri dhe më ndali Policia Bashkiake. Unë kisha marrë disa hekura dhe mbetje të tjera, të cilat mi kishte dhuruar një pronar. Më ndali policia dhe më sekuestroi karrocën me gjithë mallin. Ja shpjegova që m’i ka dhënë dikush, nuk janë pronë e Bashkisë, por nuk më dëgjuan dhe nuk më dhanë as gjobë as dukument. Aty ka qenë një moment ku unë kam tentuar të vras veten.”- tregon Agroni për informim.al.
Ja çfarë mendojnë aktivistët në lidhje me këtë ushtrim dhune të padrejtë dhe të përsëritur:
“Pasi ne si organizatë konstatuam se ka diskriminim ju drejtuam Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, nga i cili morëm një vendim pozitiv, pra që “ka patur diskriminim të tërthortë.” Nuk është detyrë e Policisë Bashkiake bllokimi i mbetjeve të riciklueshme, përdorimi i dhunës, ndaj ricikluesve romë dhe egjiptianë.” – thotë Z. Gentian Seriani, avokat dhe drejtor i Organizatës “Drejtësi Sociale”
Për rastin e Z. Agron Curra Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi vendosi se:
- Nuk ekziston një procedurë standarte ligjore për konstatimin, bllokimin dhe shoqërimin e mjeteve dhe mbetjeve të riciklueshme, me anë të së cilës Policia Bashkiake të veprojë.
- Nga ana e Bashkisë Tiranë nuk janë nuk janë mare hapa për hartimin e procedurës standarte, kështu që është policia Bashkiake që vendos në rast bllokimi. Mungesa e këtyre procedurave i vendos anëtarët e komunitetit në situate të pafavorshme
“Ne si Organizatë kemi vendosur që të bëjmë një lloj ndërgjegjësimi nga ana ligjore për këto raste të papreçedenta. Në rastin e Agron Currës pasi morëm vendimin pozititv nga KMD-ja, kemi ngritur një padi nda Bashkisë Tiranë, për dëmshpërblim.”- shpjegon Z. Sejrani.

Vendimi i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Informim.al

Padia e ngritur nga ana e Z. agron Curra, ndaj Policisë Bashkiake për Dëmshpërblim, Informim.al
Romët dhe dhe egjiptianët vazhdojnë të jenë ndër grupet më të anashkaluara dhe të papërfillura nga politikat sociale dhe ekonomike të të githa qeverive, këto 30 vite. Kjo e ka rënduar gjendjen e tyre, duke i mbajtur ata në kushte të vështira jetese dhe fare pak, ose aspak të integruar në shoqëri.
Projekti “Derë më Derë” në vitin 2019 “Programi Tranzitor për Ricikluesit Rom dhe Egjiptian”, një iniciativë e BE, UNDP, Bashkisë Tiranë dhe Eco Tirana, siguroi një formë të butë tranzicioni për të paktën 50 romë dhe egjiptianë në aktivitetin e rregulluar të mbledhjes së mbetjeve urbane. Por kjo ishte shumë pak. Për ricikluesit punësimi mbetet një sfidë shumë e madhe. Sipas tyre arsyeja përse e bëjnë këtë punë është pamundësia për t’u punësuar formalisht diku tjetër.
“Për rracën tonë nuk ka qeveri, dhe kjo është e faktueshme, sepse kur je pa para detyrohesh të dalësh në kosha për të ushqyer fëmijët. Duam edhe në një punë, që të punojmë sit ë gjithë të tjerët dhe të mos shkojmë nëpër kosha mbeturinash. Këtë ne e bëjmë nga e keqja, jo nga e mira.”- tregon më tej Hysniu.
Ata përballen me shumë vështirësi, kur nisen të kërkojnë një vend pune dhe kjo I ka stepur. Sa i takon banimit, në më të shumtën e rasteve, romët dhe egjiptianët izolohen në banesa, që ndodhen në periferi të zonave urbane, shpesh larg qendrave shëndetësore dhe qendrave ekonomike. Në shumë raste, gjendja e tyre i përjashton nga përfitimet e sigurimeve shoqërore (diskriminimi institucional). Si pasojë, shumë romë, sot, janë të ngërthyer në një rreth vicioz varfërie dhe përjashtimi social. Një situatë e tillë e dëshpëruar e një pjese të shoqërisë, sigurisht që nuk është as në të mirë të pjesës tjetër të saj.
Të gjithë anëtarët e komunitetit rom dhe egjiptian përballen me shumë vështirësi në lidhje me punësimin. Për këtë arsye nevojiten programe të posaçme shtetërore për punësimin.
“Duhen programe punësimi transicioni në mënyrë që anëtarë të pakicës rome dhe egjiptiane të përshtaten gradualisht me punën. Ata duhen ndihmuar të përshtaten me orarin dhe me mënyrën e pagesës.Diskriminimi nuk është një fantazi. Ai ekziston edhe pse shpesh në formë të fshehur. Nëse nuk do të kishte diskriminim, atëhere nuk do të ekzistonte as institucioni i pavarur për Mbrojtjen nga Diskriminimi” – shton më tej aktivisti Gentian Sejrani.
Në Tiranë, sipas organizatës ‘Drejtësi Sociale’, kryejnë aktivitetin e ricikluesit pothuajse 1000 persona. Bashkia Tiranë është më agresive me ricikluesit, krahasuar me bashkitë e qyteteve të tjera. Në Berat dhe në Korçë, sipas aktivistëve, anëtarët e komunitetit e vazhdojnë të qetë mbledhjen e mbetjeve të riciklueshme. Mes tyre dhe pushtetit vendor nuk ka konflikte.
”Ne vemë re interesa të pastër ekonomikë në sjelljen e Bashkisë Tiranë. Bëhet fjalë për shuma të mëdha që sigurohen nga vetë mbledhja e mbetjeve të riciklueshme. Sipas një studimi që kemi bërë si organizatë, shohim se në Tiranë këmi 1000 individë që mbajnë familjen me të ardhurat që nxjerrin nga riciklimi. Të ardhurat e tyre ditore janë mesatarisht rreth 15 USD në ditë. Nëse do bëjmë një përllogaritje të thjeshtë fitimi i një dite është 15 000 USD, ose për një muaj 450 000 USD. Kjo shifër është një humbje e madhe për kompaninë kontraktuese me Bashkinë e Tiranës. Ne nuk kemi si ta vërtetojmë, por është be thjeshtë për t’u perceptuar, që janë pikërisht këto interesa që e kanë shtuar gresivitetin nga ana e Policisë Bashkiake.” – thotë, Zoti Serjani.
Sipas aktivistit beratas, Griseld Zemoni ka edhe shembuj pozitivë. Në qytetin e tij Bashkia i ka dhënë tenderin e pastrimit firmës ‘Infinit Construction’, e cila ka punësuar afersisht 60 punëtorë, të cilët merren me pastrimin e qytetit. Gjithashtu edhe në qytetin e Korçës, sipas aktivistëve, një numër i konsideruar familjesh mbijetojnë me anë të riciklimit të mbetjeve urbane. Por në asnjë rast, në dijeninë e tyre, nuk janë ndaluar nga policia bashkiake, nuk janë gjobitur, apo proçeduar penalisht.
Realizimi i kwtij artikulli u mbështet nga projekti “Media for All”
COMMENTS