Autoriteti i Mediave Audiovizive reagon ndaj përdorimit të gjuhës diskriminuese ndaj minoritetit egjiptian nga Radio Televizioni Shqiptar.
Në emisionin e datës 19.12.2021 në emisionin “Zëri i Popullit” përdoret shprehja “pushkë jevgu”, sipas AMA-s ky është rast konkret që nuk respekton kërkesat e Kodit të Transmetimit nga RTSH.
Organizata “Drejtësi Sociale” i dërgoi një ankesë AMA ku shpjegohej se kjo shprehje është diskriminuese, aq më tepër e përdorur në një Televizion Kombëtar, i cili ka detyrimin ta promovojë këtë minoritet dhe jo të lejojë gjuhën fyese ndaj tij.
“Autoriteti e shqyrtoi përmbajtjen e transmetuar në emisionin “Zëri i Popullit”, nga ku rezultoi se aty është përdorur dhe një shprehje, hapur diskriminuese për komunitetin egjiptian, (19:44), krejt e papërshtatshme për përmbajtjet që trasnmeton një OSHMA, aq më tepër kur bëhet në një televizion publik kombëtar.”- shkruhet në përgjigjen e kthyer nga AMA, ndaj organizatës Drejtësi Sociale, pas ankesës së dërguar prej kësaj të fundit.
Gjithashtu në kthim përgjigjen e nisur me email AMA thekson se për mosrespektimin e kërkesave të Kodit të Transmetimit, konkretisht pikat 1.1 dhe 1.12 në seksionin 1, AMA i ka dërguar një shkresë zyrtare RTSH-së, ku i tërhoqi vëmendjen dhe duke i kërkuar ndërprerjen e praktikave të tilla
Ndërkohë kujtojmë se fjalia e plotë në të cilën përdoret gjuhë fyese ndaj një minoriteti është si më poshtë: “Avash me këtë pra avash, po si mer flakë direkt me si pushka e jevgut, po dëgjo, dëgjo një gjë thashë mor burrë….” .
COMMENTS