Raste të dhunës policore të pajustifikuar/Përse komuniteti rom dhe egjiptian vazhdon të jetë pre e saj

Raste të dhunës policore të pajustifikuar/Përse komuniteti rom dhe egjiptian vazhdon të jetë pre e saj

Babai bën thirrje Policisë së Shtetit/ Ju lutem më gjeni vajzën e mitur.
Elbasan/ Minoriteti rom kërkon investime në rrugë dhe kanalizime.
U hodh nga Urgjenca e spitalit në Elbasan, i riu ishte i infektuar me Covid-19

 

Dhuna e pajustifikuar, jo-proporcionale, apo në tejkalim të kopetencave nga ana e strukturave të policisë së shtetit, apo asaj bashkiake, ndaj përfaqësuesve të komunitetit rom dhe egjiptian, fatkeqësisht nuk është një dukuri që ndeshet rrallë.

Rrahje, burgosje, dhe në një rast flagrant edhe humbje jete. Janë këto disa nga rastet e qasjeve agresive ndaj këtyre pakicave, gjatë viteve të fundit.

Informimi.Al ka bërë një vëzhgim, në disa qytete të vendit, për të sjellë disa nga rastet më të rënda të dhunimeve si dhe për të parë se si janë trajtuar ato nga ana e organeve të drejtësisë, apo organizatave të shoqërisë civile.

Tirana

Hekuran Shaqiri është një rom 33 vjeçar, që banon në zonën periferike Tiranës e njohur si Yzberisht. Në Maj të vitit 2020,  ndërsa po mblidhte mbetje të riciklueshme për të siguruar jetesën,  së bashku me të shoqen shtatzënë, është bërë pre e dhunës së dy policëve të Bashkisë Tiranë. Në sy të së shoqes, ata tentuan që ta fusin me dhunë Hekuranin në makinën  e policisë.

Hekuran Shaqiri

Hekuran Shaqiri

Ngjarja e rëndë është filmuar dhe pamjet e tregojnë qartë gjithë situatën e dhunës, e cila zgjati për disa minuta, deri në momentin kur Hekurani u lutet policëve që ta lenë të lirë, pasi nuk ndihej mirë.

Në lidhje me  këtë ngjarjeje, më 29 maj, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe aktivistët e kryeqytetit organizuan një protestë para Bashkisë Tiranë për të denoncuar dhe dënuar dhunën e ushtruar ndaj 33 vjeçarit.

Pas ngjarjes, Hekuran Shaqiri i shoqëruar nga juristi, Gentian Sejrani, depozitoi një kallëzim penal kundër Policisë Bashkiake Tiranë në komisariatin numër 4.

Megjithatë, pas hetimit të fakteve dhe rrethanave, lidhur me këtë ngjarje, në vendimin e saj Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pavarësisht dhunës së dukshme që u ushtrua ndaj të riut, ka rrëzuar akuzën ndaj dy policëve. Sipas saj – “Asnjë nga punonjësit e Policisë Bashkiake nuk ka ushtruar dhunë ndaj Hekuran Shaqirit.”

Si të mos mjaftonte kjo, në këtë vendim është theksuar se punonjësit e Policisë Bashkiake kanë vepruar “në ushtrim të detyrave funksionale”, pasi “është e ndaluar që të mblidhen sende të riciklueshme në kontienerët e mbeturinave.”

Për arsyet e mësipërme, Prokuroria vendosi – “Mosfillimin e procedimit penal për kallëzimin nr. 6569 në vitin 2020.”

Ky rast i ushtrimit të një dhune joproporcionale nuk është as i pari e as i fundit ndaj romëve dhe egjiptianëve, veçanërisht ndaj atyre që sigurojnë jetesën përmes mbledhjes së mbetjeve të riciklueshme.

Romina Sefa, aktiviste e komunitetit rom dhe egjiptian shprehet për Informim.al se problematika me ricikluesit – ndalimet dhe keqtrajtimet e tyre nga policia –  kanë nisur që në vitin 2016.

Romina Sefa, aktiviste e komunitetit rom dhe egjiptian

Romina Sefa, aktiviste e komunitetit rom dhe egjiptian

Ishte  momenti kur  Bashkia e Tiranës dhe ajo e Veronës firmosën një kontratë të përbashkët për ndarjen e mbetjeve në burim, me qëllim  modernizimin  e ndarjeve të mbetjeve për kryeqytetin.

Sipas saj, kjo marrëveshje preku në mënyrë të drejtëpërdrejtë ricikluesit romë dhe egjiptianë, duke cënuar aktivitetin informal të mbedhjes së mbetjeve të riciklueshme, përmes të cilit  ata siguronin jetesën.

Vit pas viti këto ndalime dhe sekuestrime kanë ardhur duke u ashpërsuar. Shumë riciklues janë çuar në ndjekje penale”. – thotë aktivistja, Sefa.

Ajo shton se, ndërkaq, aktivistët dhe organizatat  partnere kanë bërë përpjekeje të vazhdueshme për ta mediatizuar  situatën dhe për ta dënuar përmes protestave.  Gjithashtu, sipas saj, te Komisioneri për Mrojtjen nga Diskriminimi janë dërguar rastet më  flagrante dhe janë arritur disa fitore të vogla me vendimet e marra në favor të përfaqësuesve të komunitetit. Në lidhje me Hekuran Shaqirin, rasti i tij vazhdon të ndiqet ligjërisht nga qendra “Për Drejtësi Sociale” –  thotë Sefa.

 

Korca

Korça është një tjetër qytet me një komunitet jo të vogël  rom dhe egjiptian. Fatkeqësisht në këtë qytet është shënuar edhe një nga rastet më të rënda të dhunës, që përfundoi në mënyrë fatale – rasti i të ndjerit Enea Ftoi.

27 Vjeçari rom humbi jetën në ambjentet e komisariatit, në qytetin e  Korçës, në vitin 2018, pas arrestimit me akuzën për vjedhje. Sipas prindërve të Eneas, lajmin për vdekjen e të birit ata e morën në sallën e gjyqit. Ata kanë pretenduar gjithmonë se ndaj tij është ushtruar dhunë barbare dhe ka qenë dhuna ajo që e çoi 27 vjeçarin drejt vdekjes. Këtë version e mbështesin edhe njollat e gjakut të gjetura në veshjet dhe këpucët e tij.

Protestat pas vdekjes së Ena Ftoit

Protestat pas vdekjes së Ena Ftoit

 

Por version zyrtar është i ndryshëm nga pretendimi i prindërve. Sipas ekspertizës mjeko-lgjore “Enea ndërroi jetë  për shkaqe natyrore, si pasoje e ishemisë akute të miokardit. Enea Ftoi ishte përdorues i lëndeve narkotike dhe vuante nga problemet në mushkëri.”  Kjo ekspertizë çoi në pushimin e çështjes nga Prokuroria, por nuk ndryshoi kurrësesi bindjen e prindërve të tij. Edhe në lidhje me këtë ngjarje u organizuar protesta nga aktivistët. Pas tragjedisë së të birit familja e Eneas u zhvendos përgjithmonë  në Francë.

Sipas aktivistes nga Korça, Eriola Struga, veç rastit ekstrem të Enea Ftoit ka edhe shumë raste të tjera të ushtrimit të dhunës nga ana e  efektivëve të policisë.  I tillë, sipas saj është edhe rasti i Marjus Bedullës, i cili është dhunuar nga dy punonjës policie përshkak të përplasjes, aksidentalisht të makinës së zv.Drejtorit të Policisë së Korcës, Arben Hasani. Pavarësisht premtimit që Marjusi i bëri për ta ndrequr dëmin e shkaktuar, Hasani ka njoftuar patrullën e policisë dhe situata ka degjenuruar në dhunë. Edhe ky episod ekziston në pamjet e filmuara nga një kalimtar që asistoi në ngjarje.

Berati

Një rast i freskët dhe gjithkaq flagrant është edhe ai i dy të rinjve egjiptianë nga Berati. Ata u dhunuan brutalisht nga forcat policore për “shkelje të orës policore”.

Mbrëmjen e 1 Shkurtit  2021 në orën 22:15 në lagjen “Donika Kastrioti”, pas një kontrolli rutinë të forcave të rendit u identifikuan shtetasit Andrea Fusha 20 Vjec dhe Enea Aliu, 27 vjeç të cilët u gjetën jashtë banesave të tyre në orarin  e ndalimit  të lëvizjes. Ndaj dy të rinjve të kapur pranë banesave të tyre  u ushtrua  dhunë joproporcionale.  Kjo i shkaktoi njërit prej tyre,  Andrea Fushës, plagë të shumta në trup.

Fmiljarët e të rinjëve egjiptianë të dhunuar, Berat

Fmiljarët e të rinjëve egjiptianë të dhunuar, Berat

Disa orë më vonë, në mëngjes herët,  efektivët e  policisë e morën  27 Vjeçarin Enea Aliu për të dhënë një dëshmi në komisariat dhe  ndaj tij  u mor masa “arrest shtëpie”. Ndërkohë për Andrea Fushën masa e marrë ishte – “detyrim paraqitje”.

Dy muaj më vonë, në prill, Prokuroria kërkoi në gjykatë rishikimin e masës së vendosur ndaj Enea Aliut. Kjo e fundit në mënyrë të pabazë e ndryshoi atë në “arrest me burg”.

Në lidhje me këtë ngjarje, Andrea Fusha rrëfen për Informim. Al dhunën e pajustifikuar të ushtruar ndaj tij nga ana e policisë.“Më kanë goditur në kokë dhe më kanë lënë pa ndjenja. Enea më ka shoqëruar deri në spital. Të nesërmen na kërkuan për  të dëshmuar. Pas një ore marrjesh në pyetje në komisariat na kanë çuar në burg poshtë ku kemi ndenjur 3 ditë. Atje nuk na kanë dhunuar më.” – rrëfen i riu.

Ata sillen me ne kështu sepse jemi më të dobët dhe nuk kemi mbështetje. Kanë qenë të padrejtë me ne, sepse e përsëris, që aty ka patur edhe të tjerë në rrugë me ne. Aktualisht çështja ëhstë në gjykatë ende.” – përfundon Aliu.

Edhe për nënën e Eneas, ndaj djalit të saj është bërë një padrejtësi e madhe. Për Informimi.al ajo thotë se tani që Eneja është burgosur, veç padrejtësisë familja është shumë rëndë ekonomikisht, pasi ai ishte i vetmi në familje që punonte.

Komisionerja pranë Avokatit të Popullit, Ermonela Rusi, e kontaktuar nga Informimi.al në lidhjhe me rastin e djemve nga Berati thotë: “Pas ankesës se është ushtruar dhunë nga ana e efektivëve të policisë së shtetit, ndaj dy të rinjve ne rekomanduam  që për këtë çështjë të ketë edhe një prokuror tjetër. Pra një prokuror do të hetojë të rinjë për shkeljen që kanë bërë dhe një prokuror do të hetojë efektivët e policisë nëse e kanë vepruar apo jo në përputhje me ligjin.  Gjithashtu, ne kemi kërkuar që ky hetim të bëhet sa më shpejt dhe pa zvarritje, siç në fakt edhe po ndodh.

Kjo ishte një çështje që pati reagime të menjëhershme të komunitetit dhe organizatave të shoqërisë civile. Këto të fundit dolën   me një  deklaratë të përbashkët në të cilën rendisnin shkeljet e bëra nga policia dhe dënonin dhunën e padrejtë të ushtruar ndaj të rinjve.

Për Gentian Sejranin, avokat i “Drejtësi Socile”, që përfaqëson dy të rinjtë në gjykatë këto raste nuk janë sporadike. i kontaktuar nga Informimi.al ai shprehet: Kemi një dhunë sistematike kundrejt të varfërve, kundrejt minoritetit rom dhe egjiptian. Drejtësia Penale është më e ashpër ndaj kësaj kategorie. Shohim raste që për vepra më të rënda jepen për shembull masat “arrest shtëpie”. Ndërsa ndaj të varfërve të  moinoriteteve jepen masa më të ashpra.” Sipas tij shkaku i acarimit të policisë ndaj Andreas ka ardhur si pasojë e faktit që ai u ka kërkuar që të trajtohen si të barabartë, pasi në atë orar ka patur edhe persona të tjerë jashtë.”

Av. Adriatik Lapaj

Av. Adriatik Lapaj

 

Një tjetër avokat dhe aktivist që është marrë me çështjet e komunitetit rom dhe egjiptian është edhe Adriatik Lapaj. I kontaktuar nga Informimi.al ai thotë se pjesëtarët e këtyre komuniteteve, për shkak të gjendjes ekonomike dhe nivelit të ulët arsimor (i diktuar nga gjendja e tyre) kanë një mardhënie jo të mirë me aspektin formal të shtetit.

Megjithatë, sipas tij “Vihet re se për të njëjtat vepra penale, apo kundravajtje për këta persona vendosen masa më të rrepta, krahasimisht me të tjerët. Ka dhe raste ku dyshohet se ndaj pjesëtarëve të këtyre komuniteteve ushtrohet dhunë brenda ambjenteve të policisë.”

 

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0