Raporti i DASH dhe sfidat ende të mëdha me të cilat përballen komunitetet fetare në Shqipëri

Raporti i DASH dhe sfidat ende të mëdha me të cilat përballen komunitetet fetare në Shqipëri

Starton sot provimi i parë i Gjuhës së Huaj ,34 mijë maturantë i nënshtrohen sot testimit…
Dilema e tregëtarëve – ’Formalizimi’, apo braktisja e Tregut të Shkozës
​Eurodeputetja e pyet për martesat mes të miturve, Hahn zbulon sa para ka marrë Shqipëria për komunitetin Rom e Egjyptian

Nga Dr.Arben Ramkaj

Si për shumë fusha të tjera të jetës, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit mbi
lirinë e fesë, është raporti i vetëm që trajton në mënyrën më të qartë të mundshme
dhe transparente të gjitha problematikat që hasin aktualisht komunitetet fetare në Republikën e Shqipërisë. Të qenit një raport gjithëpërfshirës për gati gjithë vendet e botës, ia shton ndjeshëm peshën. Por nga ana tjetër, dihet se Shtetet e Bashkuara janë pioniere në aspektin e mbrojtjes së lirisë së besimit fetar.

Vetë Shqipëria ka firmosur dhe është palë në disa konventa ndërkombëtare si Pakti Ndërkombëtar mbi të Drejtat Civile dhe Politike (në vitin 1991) apo Paktin Ndërkombëtar mbi të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore (po në vitin 1991). Për më tepër, ajo është një partnere e SHBA-së në aleancën për mbrojtjen e lirisë së besimit. Raporti i publikuar pak ditë më parë, që skanon situatën e vitit të kaluar, merr një rëndësi të veçantë, sepse përmend për herë të parë dhe i kushton një rëndësi të veçantë disa ngjarjeve, që në opinionin publik shqiptar kanë kaluar deri diku në heshtje.

Kështu raporti i DASH, përmend problematikat e përhershme të komuniteteve fetare që kanë të bëjnë me çështjen ende të pazgjidhur të kthimit të pronave të tyre. Ai thekson se ndonëse marrëveshjet e qeverisë me 5 komunitetet fetare, përcaktuan se qeveria do të kthente objektet dhe pronat fetare, ligjet që e pasuan atë ua delegojnë këtë rol gjykatave. Por duke pasur parasysh ngarkesën e sistemit për shkak të reformës në drejtësi të nisur që në vitin 2016, edhe pronat e komuniteteve po përjetojnë të njëjtin kalvar si gjithë pretenduesit e tjerë të pronave. Ligji përcakton se vendimet e gjykatave në çështjet civile, përfshirë ato që kanë të bëjnë me pronën, skadojnë nëse nuk ekzekutohen brenda 10 viteve.

Dhe nëse prona nuk mund të rikthehet për shkak se është e zënë, është në përdorim nga qeveria ose e padisponueshme, komuniteti fetar, me të vërtetuar titullin e pronësisë, mund t’i kërkojë kompensim financiar Agjencisë së Trajtimit të Pronave (ATP).

Në këto kushte, raporti sugjeron një nismë të përbashkët të komuniteteve fetare për çështje që i prekin drejtpërdrejt, siç është kompensimi i drejtë financiare i pronës së komuniteteve fetare në vendin tonë. Ambasada e SHBA-së u ka bërë vazhdimisht thirrje zyrtarëve të qeverisë të përshpejtojnë trajtimin e pretendimeve për pronën, dhe të kthejnë godinat e grupeve fetare dhe pronat e tjera të konfiskuara gjatë epokës së diktaturës komuniste. Në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, është përmendur vetëm liria e pronave. Por fakti është se ajo që ka ndodhur me komunitete fetare në Shqipëri gjatë diktaturës, ka shkuar deri në kufijtë e një gjenocidi kulturor.

Kjo vetëdije, duhet t’i bëjë institucionet shtetërore por edhe vetë opinionin publik më të ndjeshëm ndaj problematikave ende të pazgjidhura nga të cilat vuajnë ende komunitetet fetare në Shqipëri. Siç e përmenda në fillim, raporti ndalet edhe një ngjarje që kaloi në përgjithësi pa shumë vëmendje nga institucionet përgjegjëse me gjithë zhurmën dhe zallamahinë e krijuar ne media. Fjala është për incidentin e ndodhur në korrik 2022, me një punonjës të policisë së shtetit që u denoncua nga imami i njohur i xhamisë Dine Hoxha në Rrugën e Kavajës në Tiranë, Ahmed Kalaja. Oficeri i policisë gjyqësore u denoncua për sjellje agresive, gjuhë ofenduese dhe për presione ndaj besimtarëve individëve që faleshin dhe punonin në xhami për t’u bërë informatorë të policisë.

Në këtë pikë, është me rëndësi për institucionet shtetërore për kujdesin special Që duhet të tregojnë për atë qe është e shenjtë, dhe që garantohet nga neni 3 i Kushtetutës së Republikës në Shqipërisë që thotë shprehimisht:”Pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues, pluralizmi, identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare, bashkëjetesa fetare, si dhe bashkëjetesa dhe mirëkuptimi i shqiptarëve me pakicat janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë”.

Po ashtu, raporti nuk le për përmendur ngjarjen që tronditi mbarë vendin, atë të familjes Josifi në Kombinat, ku vdiq nëna dhe njëra nga vajzat, dhe rrezikoi seriozisht jetën vajza tjetër, u vërejt qartë mungesa e përgatitjes së ekspertëve që trajtojnë çështjet e besimit në Shqipëri për ta trajtuar si duhet, dhe që solli ngatërrimin e kësaj tragjedie me Dëshmitarët e Jehovait. Kjo përmendje është shumë e rëndësishme, sepse edhe minoritetet e besimeve të ndryshme, kanë të drejtën të ushtrojnë lirinë e besimit në territorin e Republikës së Shqipërisë. Një qasje e tillë e gabuar ndaj këtij komuniteti, është vënë re edhe ndaj Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, në rastin e luftëtarëve të huaj që shkuan në Lindje e Mesme për të luftuar të radhët e organizatave terroriste.

Në këtë rast, është fakt që opinionit publik por edhe medias, i mungoi dukshëm drejtpeshimi i fakteve, duke stigmatizuar në mënyrë të padrejtë një komunitet të tërë për ato që janë veprime individuale, të papjekura, të pastudiuara apo të keq-përdorura
të disa individëve që zgjodhën të përfshihen në konfliktin civil sirian. Nga ana tjetër, raporti i DASH përmend dhe një çështje tjetër, që unë gjykoj se është tejet e rëndësishme. Ajo është diskutimi mbi edukimin fetar në shkollat publike dhe
private. Praktikisht kjo e drejtë në Shqipëri mbetet e paqartë.

A është ajo e lidhur vetëm me komunitetet zyrtare fetare të Shqipërisë, apo është një e drejtë kushtetuese për çdo minoritet fetar, apo për çdo grup interesi që ka dëshirë që
në shkollat private të ushtrojë të drejtën e mësimit të fesë?

Vlerësoj se kjo çështje merr një rëndësi edhe më të madhe sot kur ka një shtim të frikshëm të dhunës midis adoleshentëve në shkolla dhe rrugë, por edhe konfliktin e fortë identitar që përjetojnë të rinjtë në raport me shfaqjen e identitetit të tyre kulturor dhe religjioz. Kjo është një temë shumë e rëndësishme që duhet diskutuar, sepse përpara disa kohësh u propozua një projekt pilot nga komuniteti ndërkombëtar, sipas të cilit edukimi fetar të bëhej pjesë e kurrikulave në shkollat publike të vendit. Por më pas ky projekt u tërhoq.

Në këto kushte, vetëm shkollat private (jo publike) mund të përfshijnë në kurrikulat mësimore ndonjë lëndë mbi mësimin e besimit fetar, edhe në këtë rast si një lëndë me zgjedhje dhe jo e detyrueshme. Departamenti Amerikan i Shtetit përmend me shqetësim edhe një projektligj të qeverisë, që synonte të kufizonte universitetet e lidhura me komunitetet fetare nga ofrimi vetëm i programeve arsimore teologjike, duke kufizuar fakultetet arsimore laike. Këshilli Ndërfetar dhe Komiteti Shtetëror për Fenë, theksuan se kufizime të tilla mund të sillnin deri edhe mbylljen e institucioneve arsimore të lidhura me fenë për shkak të rënies së regjistrimit të studentëve dhe humbjes së shkollimit. Ndaj deri në fund të vitit të kaluar, qeveria nuk e zbatoi vendimin.

Po ashtu, raporti nënvizon rëndësinë e madhe që kanë financimet e shtetit për komunitet fetare të cilat sipas DASH nuk janë në nivelin e duhur. Për më tepër nga qeveria nuk është bërë asgjë gjatë dekadës së fundit për të pasur një qasje ndryshe. Ky dokument, është shumë i rëndësishëm pasi skanon në detaje dhe me objektivitet marrëdhëniet e komuniteteve fetare me shtetin dhe shoqërinë, sqaron në detaje problematikat që ekzistojnë ende, dhe vendos pikat mbi “i”, mbi masat që duhet të marrin institucionet shtetërore shqiptare.

Mendoj se ky raport, përbën një shembull të shkëlqyer që duhet të ndiqet edhe nga komunitetet fetare, të cilat duhet të publikojnë çdo vit një raport të ngjashëm mbi marrëdhëniet e komunitetit të tyre me institucionet e shtetit shqiptar, por edhe me shoqërinë në tërësi. Vlerësoj se kjo kulturë e raporteve dhe e nxjerrjes në pah të problematikave, do t’i vendosë komunitetet fetare në një pozitë më të shëndoshë, si dhe do t’u rikthejë atyre dinjitetin e duhur pranë shoqërisë shqiptare, e cila në të kaluarën, dhe për shkak të regjimit brutal komunist, ka qenë pjesë e goditjes së egër që pësuan komunitetet
fetare.4B2A9699 10E4 4671 BFD4 471E176ABC19

COMMENTS

WORDPRESS: 0