Një nga plagët sociale në Shqipëri mbetet dukuria e azilit ekonomik, një dukuri e cila ka implikime si në rrafsh personal të individëve që e tentojnë si mundësi për të emigruar, si në rrafsh politik të shtetit shqiptar. Azilkërkuesit shqiptarë, ndryshe nga pjesa tjetër që e kërkojnë për shkak të situatave të emergjencës në vendet e origjinës, e kërkojnë për shkaqe ekonomike dhe në një masë të madhe rikthehen nga vendet e BE pa arritur të emigrojnë. Këto familje të varfra kanë pësuar dëme të mëdha ekonomike të mëtejshme, për të paguar kostot e transportit dhe më pas të jetës në kampet e BE-së. Për vendet e BE-së, azilkërkuesit përbëjnë problem, pasi duhet të ofrojnë për ta një mbështetje qoftë edhe bazike dhe t’i kthejnë në vendet e origjinës. Marrë parasysh që Shqipëria nuk është vend në krizë lufte ose fatkeqësie tjetër natyrore, BE kërkon vazhdimisht nga vendet e shengenit dhe Shqipëria që të frenohet dukuria e kërkimit të azilit nëpërmjet edukimit dhe përmirësimit të kushteve të jetesës së shtresave më vulnerabël që përbëjnë pjesën më të madhe të kërkesave për azil.
Nga informacionet e marra nga NGO-të që merren me problematikat e minoriteteve, të kthyerit nga azili janë shpesh pa banesë, pa punë dhe familje me shumë fëmijë. Organizatat e ndryshme jofitimprurëse kanë raste të shpeshta familjesh, të cilat kthehen dhe janë pa mundësi strehimi. Në rastet kur kanë një banesë, mund të kenë prerje të energjisë elektrike, pamundësi për t’u punësuar, për të shkolluar fëmijët dhe për të dalë nga cikli i varfërisë ekstreme.
Raporti i BE për Shqipërinë i dalë në 12 tetor të këtij viti, përshkruan një përkeqësim të të dhënave të numrit të azilkërkuesve. Në krahasim me raportin e 2021, ku u nënvizua ulja e numrit të kërkuesve për shkak të pandemisë me 66%, në krahasim me 33% uljen globale, në raportin e 2022 ka një rritje të numrit. Në raportin e 2021, theksohet nevoja për të realizuar fushata edukuese për qytetarët që të mos bëjnë kërkesa të pabaza për azil, për të forcuar kontrollet në kufi. Në raportin e 2022, shifrat e azilkërkuesve janë dyfishuar, paçka se mbeten sa gjysma e numrit të para-pandemisë. Shkak supozohet të jetë situata e rënduar ekonomike, pasi pjesa më e madhe e azilkërkuesëve citojnë mungesën e punësimit si arsye të largimit nga vendi. Raporti i 2022 thekson se ka një mungesë totale të angazhimit të shtetit shqiptar për të mbështetur shtresën e minoritetit rom dhe egjiptian, mungesë të një regjistri të personave që janë kthyer nga azili për të marrë masa për mbrojtjen e tyre ndaj diskriminimit, për t’u dhënë atyre një shkas për të qëndruar në Shqipëri, e jo për të kërkuar azil në një vend të BE-së.
Duke krahasuar dy raportet, paçka se viti 2021 është vit më i mirë në shifra me para-pandeminë, në thelb shihet se varfëria dhe mungesa e shpresës janë rritur, që rezulton më pas në rritjen e numrit të azilkërkuesëve. Marrë parasysh sakrificën e një familjeje për të kërkuar azil, duhet të jetë një situatë aq e rëndë, sa e justifikon faktin që përqindja e të pranuarve është në vlera një shifrore në përqindje, në krahasim me të kthyerit. Sërish, ata mendojnë se ia vlen përpjekja, që tregon se janë në kufij të mbijetesës.
COMMENTS