Familjet e pastreha në kryeqytetin e Shqipërisë janë të shumta, të cilat sidomos në ditët e ftohta të dimrit e vuajnë akoma edhe më shumë situatën e vështirë në të cilën ndodhen.
Por, së fundmi 30 familje të pastreha do të përfitojnë nga ky muaj dhe për një vit rresht bonuse qiraje mujore që variojnë nga 8-25 mijë lekë për të siguruar strehimin etyre dhe të familjarëve.
Ky përfitim bëhet fjalë për:
*nëna kryefamiljare me fëmijë në ngarkim,
*familje të prekura nga investime publike,
*me anëtarë me aftësi të kufizuar,
*të tjerë që trajtohen me pension invaliditeti
*apo që kanë mbushur moshën e pleqërisë dhe ndodhen në vështirësi ekonomike.
Nga 42 aplikues, vetëm 40 prej tyre përmbushin kushtet për ta përfituar. Nga kontingjenti i fundit, vetëm tridhjetë prej tyre kanë dorëzuar dokumentacion të rregullt për të përfituar vlerën mujore. Efektet financiare të këtij vendimi do të përballohen nga zëri i strehimit në buxhetin e Bashkisë. Lëshime janë bërë për aplikuesit që nuk kanë dorëzuar numrin e llogarisë të qiradhënësit, dhe që nuk mund ta përfitojnë vlerën mujore pa këtë dokument, ndonëse rezultojnë fitues.
“Efektet financiare për 30 individë/ familje, të cilat kanë rezultuar me dokumentacion të plotë, do të përballohen nga fondi për ‘Bonuset e Strehimit’, të parashikuar në buxhetin e Bashkisë së Tiranës, në shumën në 553705 (pesëqind e pesëdhjetë e tre e shtatqind e pesë ) lekë.
Për të gjithë përfituesit, të cilët nuk kanë sjellë numër llogarie në emër të qiradhënësit, sipas përcaktimeve të ligjit 22/2018 ‘Për strehimin social’, nuk do t’i lëvrohet pagesa e qirasë deri në depozitimin e këtij dokumenti nga ana e tyre: Dallendyshe Hasa, Misiko Xheli, Fatmir Leka, Helson File, Kudret Caushi, Bekim Duro, Agron Pelushi, Irena Babasuli”, thuhet në projektvendimin e nisur për miratim në Këshill.
Përshtatur nga Informim.Al/ Burimi: Panorama.al
COMMENTS