Punësimi është një nga temat më delikate sociale dhe ekonomike në vend, por edhe me kontraste shumë të mëdha kur bëhet fjalë për shifra.
Instituti i Statistikave raportoi se papunësia në Shqipëri u ul sërish në tremujorin e tretë të vitit duke zbritur në 13.6 për qind nga 14.7 për qind që ishte për të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Të dhënat e detajuara tregojnë se rimëkëmbja e tregut të punës pas krizës së viteve 2012-2015 ka ardhur nga punësimet e biznesit privat jashtë fushës së bujqësisë.
Sipas INSTAT, vetëm në 9 muajt e parë të këtij viti, biznesi ka krijuar rreth 60 mijë vende të reja pune, sipas listëpagesave të dorëzuara tek Tatimet për punonjësit që paguajnë kontribute.
Një vend i vogël si Shqipëria ka përballë një shifër shumë të lartë papunësie, ndërsa niveli i pagave është më i ulëti në rajon dhe rrjedhimisht edhe në Evropë. Përpara disa muajsh kryeministri e kishte një zgjidhje për sa i përket fenomenit që punë ka, por s’ka profesionistë. Në këtë rast kur sipërmarrësit ankohen për mungesë kapitali human, a janë punonjësit nga Bangladeshi profesionistët, apo thjesht plotësues të vakumit nga papunësia?
Në sektorin fason, në bujqësi, në hoteleri e shumë sektorë të tjerë ku tregu përballet me mungesa kreu i ekzekutivit e kishte zgjidhjen, pikërisht me mbulimin e nevojave përmes shtetasve nga Bangladeshi. Me arsyetimin se nuk dinë shqip dhe nuk merren me thashetheme, plotësimi i nevojave për puntorë bangladeshas realisht po ndodh në disa sipërmarrje në vend.
Me një popullatë prej 163 milionë banorësh dhe të ardhura vjetore për frymë prej 2227 USD – gati 2.5 herë më të vogla se Shqipëria, Bangladeshi është një vend burim për migracionin e krahut të punës.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës çdo vit 400 mijë punëtorë migrojnë nga Bangladeshi për tu punësuar jashtë vendit në punë të pakualifikuara dhe me rroga të ulëta.
Me një shkallë zyrtare papunësie prej 11.7 %, Shqipëria mbetet një vend ku shumë të rinj emigrojnë në perëndim për të gjetur punë. Deklaratat e kryeministrit për mungesën e krahut të lirë të punës në vend, u kritikuan gjatë asaj kohe nga kreu i opozitës Lulzim Basha.
Por ndërkohë që opozita dhe mazhoranca debatojnë për investitorët dhe punëtorët e huaj, sipërmarrjet e vogla dhe të mesme vendase, në mënyrë të veçantë ato në sektorin e turizmit, akohen se rekrutimi i stafit gjatë sezonit të verës është kthyer në një sfidë për bizneset.
COMMENTS