Vazhdon dilema midis stereotipit se nuk e duan punën dhe faktit që nuk punësohen edhe kur regjistrohen të papunë.
Puna është një nga komponentët më të rëndësishëm të jetës së njeriut. Prej saj përftojmë të mirat materiale, jetën sociale dhe dinjitetin. Gjetja e një pune të përshtatshme është sot një sfidë për këdo. Por për komunitetin rom dhe egjiptian është një sfidë e shumëfishtë dhe, mbi të gjitha, drita në fund të tunelit duket të jetë ende shumë larg. Faktorët që ndikojnë në problematikën e punësimit të komunitetit rom dhe egjiptian janë të shumtë. Nëse do të përmendim dy më kryesorët ato janë – diskriminimi (ai i hapur dhe i fshehtë) dhe mungesa e programeve të mirëfillta integruese nga ana e qeverisë.
Programet dhe planet ekzistuese
Dokumentet ekzistuese, që tentojnë të ofrojnë një lloj zgjidhjeje të problematikës, me synim punësimin dhe integrimin e romëve dhe egjiptianëve janë – Plani Kombëtar i Veprimit për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve si dhe Rekomandimet e Dialogut të Katërt të Bashkimit Europian për integrimin e romëve dhe egjiptianëve. Sipas tyre, punëmarrësit duhet të parashikojnë që 5% e të punësuarve të tyre të jenë nga ky komunitet.
Po sa zbatohet një rekomandim i tillë?

Ervis Cota, aktivist dhe drejtues i “Lëvizjes Rinore Egjyptiane e Rome”
“Politikat e punësimit, teorikisht, duken të mira. Problemet dalin kur vijmë në zbatimin e tyre. Bizneset nuk kanë ndonjë detyrim në zgjedhjen e punëmarrësve. Ata janë të lirë dhe për hir të së vërtetës nuk është se preferojnë pjesëtarët e komunitetit rom dhe egjiptian.
Nga ana tjetër Zyrat e Punës, thjesht u ofrojnë listën e punëkërkuesve, por edhe përfaqësuesit e këtyre zyrave shpesh shfaqin një diskriminim të fshehtë ndaj romëve dhe egjiptianëve. Me raste edhe të hapur. Mendoj që mungon qasja positive e institucioneve dhe bizneseve ndaj këtyre kategorive.”, thotë Ervis Çota drejtues i Lëvizjes Rome dhe Egjiptiane.
Zbatimi i programeve të punësimit:
Rita Vasa, specialiste e programeve të nxitjes së punësimit në Zyrën Rajonale Shkodër, e pyetur nga Informim.al, thotë: “Në Shkodër po zbatohen 3 programe të nxitjes së punësimit – VKM NR.17 për punësimin, formimin në punë dhe praktikat profesionale, VKM nr.608, për personat që dolën të papunë për shkak të Covid-19 dhe VKM nr. 348 për vetëpunësimin. Në këto programe si punëkërkues të papunë ishin gati 400 persona dhe 40 subjekte. Ndërsa nga komuniteti rom vetëm 1 person.”
E pyetur se cili është shkaku i pjesëmarrjes dhe punësimit të ulët nga anëtarët e minoritetit rom dhe egjiptian, ajo shprehet se arsyeja kryesore është mungesa e dëshirës nga ana e përfaqësuesve të komunitetit. “Është një grup shumë i vështirë. Pavarësisht përpjekjeve tona është e vështirë që t’i punësojmë, por mund të them që kemi arritur rezultat 10-20% , se s’mund të themi 100%”.
Ndër të tjera, Znj Vasa shpjegon se, përmes zyrave të punës, me ndërhyrjen e tyre, janë punësuar 16 antëtarë të komunitetit rom nga 69 punëkërkues të papunë dhe 16 anëtarë të komunitetit egjiptian nga 95 të regjistruar të papunë, por jo nga programet e nxitjes së punësimit.
“Në fakt dy kompani këpucësh, përkatësisht subjekti KEA dhe KINA 12, kanë kërkuar dhe ja kanë dalë të punësojnë përfaqësues të komunitetit. Por kjo situatë nuk zgjat shumë sepse të punësuarit nuk tregojnë qëndrueshmëri. Dalin, hyjnë dhe ridalin sërisht”, thotë specialistja e Zyrës Rajonale.
Ja edhe disa të dhëna të tjera në disa bashki të vendit nga Zyrat Rajonale të Punësimit, pra jo nga programet e nxitjes së punësimit.
- Punëkërkues të Papunë të punësuar
- Punëkërkues të Papunë të regjistruar
Në të gjitha rastet shohim se përqindja e punësimit për komunitetin rom është më e ulët, krahasuar me komunitetin egjiptian. Kjo edhe në rastet kur individë të këtij komuniteti janë punëkërkues të papunë.
Sipas të dhënave të Agjensisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive për periudhën Nëntor2019-Nëntor2020 përqindja e punëkërkuesve të papunë të punësuar në total është 23%, ndërsa specifikisht për komunitetin rom kjo përqindje është pothuajse 4 herë më e ulët pra vetëm 6.7 % ndërsa nga komuniteti rom janë punësuar 11% e punëkërkuesve të papunë.
Të dhënt tregojnë se përqindja e punësimit te ky grupim nuk varet aq shumë nga mungesa e aplikimit nga ana e tyre por nga programet dhe ofertat që Zyrat Rajonale të e Punësimit ofrojnë.
“Eshtë fakt që nga komuniteti rom janë të paktë, për të mos thënë që nuk ekzistojnë, personat që kërkjnë punë. Të gjithë ata që kanë përfituar janë egjiptianë. Kemi të bëjmë me çështje kulture, në fakt. Shpesh anëtarët e këtyre komuniteteve duan që të punojnë pak dhe të paguhen menjëherë. Nuk e konceptojnë as ditën e punës 8-orëshe dhe as marrjen e pagës 1 herë në muaj.” thotë Altin Buhali, përgjegjës i programeve aktive dhe pasive të tregut të punës, DRB, AKPA.
I pyetur nga Informim.al mbi bashkëpunimin e bizneset në lidhje me punësimin e personave nga komuniteti rom dhe egjiptian, ai shprehet se: “bizneset janë të udhëzuar të përfshijnë edhe punonjës nga komunitetet. Ne u kemi bërë sygjerime,por shpesh ata që janë punësuar e kanë lënë punën brenda një kohe të shkurtër. Në krahasim me romët, egjiptianët janë më ndryshe, por edhe ata kanë problematika, nuk e kanë aq qejf punën. Sidomos në fasoneri që duhet të jesh i fokusuar 8 orë në punë.”
Ndërsa përsa i përket informimit që ato kanë për vendet e mundshme të lira të punës, Z. Buhali theksoi se anëtarët e komunitetit janë të mirë-informuar, “Çdo muaj regjistrohen si të papunë për shkak të ndihmës ekonomike, ata vetëm paraqiten për të marë ndihmën ekonomike dhe i refuzojnë mundësitë për t’u punësuar, në fund të fundit ato penalizojnë veten, vetëm me ndihmën ekonomike, pasi ajo është e pamjaftueshme” u shpreh Z. Altin Buhali, përgjegjës i programeve aktive dhe pasive të tregut të punës, DRB, AKPA.
Ndërkaq, për aktivistin Çota situata paraqitet ndryshe. Sipas tij bizneset nuk kanë ndonjë detyrim të veçantë për të zgjedhur punonjës nga komunitete të caktuara. Ai thotë se zyrat e punës nuk kanë qasje positive ndaj romëve dhe egjiptianëve, Veçanërisht dhe mbi të gjitha nuk kanë një rol ndërmjetësues mes punëkërkuesit dhe punëmarrësit. Kjo është diçka që ata duhet ta bëjnë, pasi në fund të fundit është buxheti i shtetit që subvencionon pagën e të punësuarve. Ligji për programet e nxitjes së punësimit parashikon kategoritë kryesore, që duhet të përfitojnë përmes këtyre programeve. Një ndër to është edhe minoriteti rom dhe ai egjiptian”. thotë Ervis Çota drejtues i Lëvizjes Rome dhe Egjiptiane
Ndryshe nga përfaqësuesit e zyrave rajonale të punësimit shprehet edhe Dorina, 35 vjeçarja nënë e 3 fëmijëve. Ajo ka aplikuar për të përfituar nga programet e nxitjes së punësimit, por nuk ka mundur që të punësohet. Dorina Tafa jeton në kushte të vështira, në shtëpi me qera dhe e mban frymën gjallë vetëm me 6 mijë lekëshin që e përfiton nga asistenca sociale.
“Kam aplikuar në zyrat e punësimit për të përfituar nga programet. Më kanë ndihmuar vajzat aty, na kanë pritur shumë mirë, por nuk më kanë dhënë punë. Thjesht më kanë thënë se do të më njoftonin, kur të kishin oferta punësimi. Ka mbi një vit që pres, por askush nuk më ka telefonuar. Unë nuk do të refuzoja asnjë lloj pune, por nuk më është dhënë asnjëherë mundësia”, thotë për Informim.al Dorina.
Në mungesë të një pune të rregullt, ajo dhe bashkëshorti mbledhin hekurishte dhe kanaçe. Ata, pavarësisht vështirësive duan që t’i shkollojnë fëmijët e tyre, në mënyrë që historia të mos përsëritet më. Dorina tregon se as bashkëshorti i saj nuk ka pasur më shumë fat në zyrat e punës dhe të dy janë në pritje.

Avokati Gentian Sejrani, aktivist, Drejtues i organizatës “Drejtësi Sociale”
Sipas organizatës “Drejtësi Sociale” si dhe aktivistëve romë dhe egjiptianë, problematikat e mospunësimit të anëtarëve të komunitetit janë të shumta. Aktivisti dhe avokati, Gentjan Sejrani shprehet për Informim.al se: “Për të shmangur diskriminimin e fshehur, kryesisht nga ana e punëdhënësve, por ndoshta edhe e zyrave të punësimt, mund të ishte me dobi vendosja e kuotave, ose krijimi i një programi specific, që do të merrej vetëm me çështjen e punësimit të këtij komuniteti.” Sipas tij, i rëndësishëm është edhe krijimi i kushteve të përshatshme për këto kategori vunerabel, në formën e programeve “transit”, që fillimisht do të merren me përshtatjen e tyre dhe do t’i përgadisnin individët për tregun e punës.
*Artikulli i botuar në kuadër të projektit “Media for All”
COMMENTS