Protesta/’Xhoi u la në mëshirë të fatit sepse është një vajzë nga Kenia!’

Protesta/’Xhoi u la në mëshirë të fatit sepse është një vajzë nga Kenia!’

Shoqëria Civile, protestë sot për vdekjen e Joyt para Prokurorisë
Vdes Joy Aoko, 22 vjeçarja e dhunuar në Tiranë
Përfaqësues të ambasadës keniane takim në komisariatin nr.1/rasti i 22 vjeçares që u dhunua barbarisht

“Çdo jetë ka rëndësi”. Më këtë moto po zhvillohet pasditen e sotme protesta në Tiranë para drejtorisë së policisë, për rastin e dhunimit të 22-vjeçares nga Kenia, e cila ndodhet në gjendje të rëndë spitalin e Traumës.

Aktivistja Xheni Karaj, e cila mori pjesë në protestë, u shpreh se shteti tentoi të fshehë ngjarjen. Ajo kërkoi drejtësi për 22-vjeçaren që po lufton për jetën.

“Vetëm për njerëzit e kamur punon drejtësia? Fshehja e këtij krimi vendos një precedent ndaj të pambrojturve në vendin tonë. Kërkojmë më forcë hetimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve. Institucionet të paguajnë faturat për kurimin e saj jashtë vendit”, u shpreh Karaj.

Ndërsa avokati Idajet Beqiri u shpreh i revoltuar se fshehja e krmit është një krim në vetvete.

“Mora pjesë në këtë protestë si qytetar. E konsideroj një turp të madh për institucionet shqiptare. Ngjarja ka ndodhur më 14 gusht dhe policia nuk njoftoi qytetarët. Policia e shtetit e fshehu krimin, Ka të bëjë me racizëm apo ka arsye të tjera? Fshehja e krimit është krim në vetvete”, tha ai.

Ngjarja e rëndë ndodhi mesnatën e 13 gushtit. Kanë qenë shoqet e 22-vjeçares që e kanë identifikuar atë në gjendje kritike për jetën. Pas denoncimit të disa mediave online dhe avokatit, u bë e mundur nisja reale e hetimeve që zvarriteshin prej gushtit të këtij viti.

Në deklaratën e plotë për mediat, Karaj u shpreh se,

Kur një familje spanjolle me pozitë u kërcënua me dhunë nga një pronar restoranti në Himarë, Kryeministri e quajti barbar dhe shkelës se kodit të mikpritjes, Ministri i Turizmit i asaj kohe, Blendi Klosi, i takoi personalisht dhe me lule në duar për tu kërkuar ndjesë, dhe dhunuesi u përball me drejtësinë.

Nuk ka pak që Kryeministri e shumë shqiptarë u indinjuan nga deklaratat denigruese të qeverisë britanike mbi shqiptarët. Por ndërkohë, në mesin tonë, ka tre muaj që një vajzë e huaj, e dhunuar barbarisht, lufton me vdekjen dhe asnjë institucion i Shqipërisë mikpritëse, Shqipërisë së emigrantëve të diskriminuar, Shqipërisë së revoltuar nga padrejtësitë përtej La Manshit nuk interesohet të raportojë, hetojë, dhe zbardhë krimin. Kryeministri tha se qeveria britanike po i bënte shqiptarët kokë turku për të mbuluar dështimet e veta.

Po Xhoi për kë, për cfarë po behët kokë turku? A mos vallë janë njerëz vetëm të bardhët dhe të kamurit? Vetëm për ata punon shteti?Këto janë pyetje që duhet të marrin përgjigje jo vetëm për të vendosur drejtësi për Xhoin dhe familjarët e saj por për të vendosur policinë dhe organet e drejtësisë përballë përgjegjësisë së tyre ligjore për të mbrojtur jetën e çdo njeriu në këtë vend.

Fshehja e këtij krimi vendos një precedent të rrezikshëm për të ardhmen e krimeve që kryhen ndaj të pambrojturve në vendin tone, tashmë edhe të huajve. Prandaj, kërkojmë me forcë hetimin efektiv dhe vënien para drejtësisë të kujtdo që e ka çuar Xhoin në zgrip të jetës.

Kujtojmë se policia ka zbardhur detaje të reja mbi krimin, vetëm disa ditë më parë, ku mendohet se vajza është goditur në ambientet e shtëpisë me qira dhe më pas është hedhur nga ballkoni. Ende nuk ka informacione mbi të dyshuarit.

COMMENTS

WORDPRESS: 0