Protesta e paralajmëruar e 5 tetorit e pedagogëve vijon, ‘Nuk tërhiqemi nga Peticioni’

Protesta e paralajmëruar e 5 tetorit e pedagogëve vijon, ‘Nuk tërhiqemi nga Peticioni’

“I Zoti e jep, Tellalli të diskriminon”!
Ksamil/ Punonjësia e zgjidh me vetgjyqësi problemin me pronarin
“Një popull jo gjithmonë mund ta vrasësh me armë ose me pushtim, pasi mund ta vrasësh edhe me ushqim”.

Protesta e sotme e zhvilluar në orën 11, organizuar nga Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë u përkrah nga një numër i madh pedagogësh dhe studentësh, me interesim të madh nga mediat e shkruara dhe audiovizive. Për më tepër se një orë, protestuesit e mbledhur treguan mbështetjen e tyre ndaj kërkesave të paraqitura nga përfaqësues të pedagogëve të të gjitha universiteteve të vendit drejtuar Ministrisë së Arsimit, qeverisë dhe kryeministrit në lidhje me buxhetin për arsimin. Peticioni i tyre ka shtatë pika ku kërkesa themelore mbetet përafrimi i pagave të pedagogëve me ato të shtetit të Kosovës. Gjatë fjalës së mbajtur nga pedagogët, disa herë shprehën shqetësimet e tyre në lidhje me varfërinë e kërkimit shkencor. Vetëm 300 mijë euro kanë shkuar vitin e shkuar për kërkim shkencor të të gjitha universiteteve të vendit, një shifër kjo 10 herë më e ulët sesa çdo vend tjetër i rajonit. Minimalisht kërkohet që buxheti i arsimit të jetë sa 0.3% e GDP-së së vendit, një vlerë sërish më e ulët se në rajon por ‘minimaliste, konsideruar krizën globale’. Si përfaqësuese dhe asistente e aspektit juridik të peticionit, pedagogia dhe juristja Enkeleda Olldashi u shpreh e shqetësuar për largimin e kolegëve të saj jashtë vendit. ‘Shpresoj që ata një ditë të kthehen,’ u shpreh ajo, duke siguruar më pas përkushtimin e tyre ndaj mësimdhënies, pavarësisht rezultatit të arritur. ‘Ne do e kryejmë detyrën tonë sidoqoftë, me po aq përkushtim,’ e përfundoi fjalën e saj zj. Olldashi.

Në fjalën e tij në podiumin e vendosur në oborrin e UPT, pedagogu i Fakultetit të Mjekësisë Ardit Alimehmeti tha se veç pagave të pedagogëve, duhet rishikuar edhe ajo e stafit ndihmës deri te sanitarët. Minimumi jetik në Shqipëri është i llogaritur jo në formë të saktë, u shpreh ai, në nivelin që pagat nuk mjaftojnë për një jetë dinjitoze. Diskutimi i pagës minimale në Shqipëri prek çdo shtresë të shoqërisë, duke përfshirë dhe ato më të larta, pasi përfaqësuesi i Universitetit Bujqësor të Tiranës deklaroi se shumë pedagogë janë nën nivelin e mbijetesës. Aktualisht rrogat e pagat e pedagogëve në Shqipëri variojnë nga 70,000 deri në 90,000 lek, në varësi të vjetërsisë dhe titujve shkencorë, kurse ato të stafit ndihmës nuk e kalojnë 60,000 lek.

Ndërkohë që protesta vijonte në ambientet e jashtme të Universitetit Politeknik të Tiranës, ministrja e arsimit Evis Kushi dhe kryeministri Edi Rama zhvilluan një takim në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Aty Rama shprehu mundësinë e rritjes së pagave deri në masën 7%. Ky takim u konsiderua si antiprotestë nga pedagogët e mbledhur, si një veprim për të ulur rëndësinë e protestës së tyre dhe për t’i trembur ata. Ata shprehën vendosmërinë për t’i shkuar deri në grevë dhe ndalim të nisjes së vitit të ri akademik nëse qeveria nuk e rishikon buxhetin për arsimin e lartë.

COMMENTS

WORDPRESS: 0