D.S., gjashtëdhjetë vjeç, punon si punonjëse pastrimi pranë një prej kompanive të kontraktuara nga Bashkia e Tiranës. Punon dy turne pa asnjë ditë pushimi, për shkak të vështirësive ekonomike. Bashkëshorti i saj është i paaftë për punë dhe ata nuk kanë një banesë të tyren për të jetuar. D. jeton me qira dhe asnjë prej familjarëve të saj të ngushtë nuk ka në pronësi një shtëpi. Për të përfituar nga programi i banesave sociale ajo ka nevojë për një kontratë noteriale me të zotin e shtëpisë, por ai nuk pranon për shkak të frikës se mos i kërkohet pagesa e 15% të tatimit mbi të ardhurat e qirasë.*
Me dhjetëra raste të ngjashme, anëtarë të komuniteteve rome dhe egjiptiane, na përshkruhen nga organizata që adresojnë të drejtat e këtyre minoriteteve, të cilët në mungesë të një kontrate të noterizuar, përjashtohen nga e drejta për të përfituar një bonus qiraje. Me ndryshimet ligjore të datës 22 qershor 2023, tashmë do bëhet e mundur që bonusi i qirasë për familjet pa të ardhura ose me të ardhura shumë të ulta të merret edhe pa një kontratë noteriale, por me një marrëveshje me bashkinë përkatëse, në një rubrikë të veçantë te e-albania.
Nga Drejtoria e Strehimit pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, juristja Dardana Grabovaj thotë se për ligjin, kanë kaluar nëpër një proces të gjatë konsultimi publik.
“Kërkuesit kryesor që të vendosej ky rregull i ri ishin pikërisht bashkitë të cilat vazhdimisht na kanë referuar se kanë probleme me kontratën e noterizuar të qirasë. Sidomos Bashkia Tiranë ka qenë një prej më këmbëngulëset, pasi në terren, vazhdimisht ata kanë hasur në këtë ngërç.”
Për të sqaruar opinionin publik në lidhje me procedurat, zj. Grabovaj tregon për mënyrën si do procedohet.
“Një punonjës i caktuar nga strukturat vendore pranë bashkive, do jetë i angazhuar në detyrë për lidhjen e këtyre kontratave. Para tij do paraqiten palët, familja në nevojë dhe personi që jep shtëpinë me qira. Regjistrimi do jetë vetëm në e-albania dhe nuk kanë pse të stepen më, dokumenti nuk do jetë noterial. Këtë hap e kemi marrë pikërisht për të ulur burokracitë dhe për të ndihmuar sa më tepër familje që kanë nevojë për strehim social.”
Të pyetur nga informim.al, pranë Njësisë nr. 4 në Tiranë, tregojnë se ende nuk kanë informacion mbi procedurat e reja dhe po presin që me hyrjen në fuqi të ligjit, të informohen mbi procedurat. Edhe specialistë të tjerë të struktura vendore të bashkisë Tiranë, shprehen se nuk kanë informacion, ndërkohë që drejtoritë e strehimit kanë qenë pjesë e konsultimeve publike në lidhje me ligjin. Me kalimin e datë 25 korrik, datë ku ligji hyn në fuqi, organizatat janë në gatishmëri për të drejtuar të gjithë ato raste që më para, nuk përfitonin dot nga bonusi i qirasë.
“Në momentin që ligji do zbatohet, ne kemi disa familje që kërkojnë bonus dhe deri tani, nuk e kanë përfituar, përveç rasteve të reja që do identifikojmë në terren.” shprehet Isida Rrapi, paraligjore në Drejtësi Sociale, organizatë që ofron ndihmë ligjore falas. “Ne kemi pasur një numër të madh të këtyre familjeve që na kërkonin ndihmë për aplikimin por nuk kishim si të ndihmonim për sa kohë i zoti i shtëpisë nuk donte të bënte një kontratë.”
Por ndërsa priten ndryshimet, në bashkinë Kavajë, problemi i banorëve që jetojnë në baraka vazhdon prej shumë vitesh, e fatkeqësisht, aty problemi është akoma më i mprehtë. Edmond Sula, banor i zonës pranë spitalit të Kavajës, tregon se veç kontratës, ata kanë vështirësi në gjetjen e një shtëpie.
“Nëse unë gjej një shtëpi me qira, jo vetëm që nuk vjen njeri të bëjë kontratë, por dhe nuk ma japin. Sa e kuptojnë që jam i komunitetit, ata nuk pranojnë të më takojnë.”
Ai shpreson që bashkia do mundësojë dhe gjetjen e një shtëpie, dhe thotë se një pjesë e banorëve janë të gatshëm të paguajnë një qira të përballueshme prej tyre, për sa kohë që në baraket ku aktualisht banojnë, paguajnë faturat e ujit dhe dritave.
“Unë dua që bashkia të më sistemojë në një nga banesat sociale që janë ndërtuar pas tërmetit, aty ka shumë apartamente bosh. Jemi të gatshëm të paguajmë, përndryshe nuk gjejmë dot shtëpi vetë pasi për shkak të diskriminimit, nuk na e japin shtëpinë .”
Një pjesë e madhe e familjeve të komunitetit rom dhe egjiptian janë de facto duke paguar qira në shtëpi me kushte jo të përshtatshme, por detyrohen të jetojnë aty pasi nuk gjejnë dot tjetër. Pronarët ndodh që edhe banojnë jashtë shtetit, dhe ky është një faktor tjetër që i ka penalizuar ata nga përfitimi i ndihmës së bonusit.
M. është një tjetër punëtore e pastrimit në Tiranë, e cila tregon se jeton e vetme me të motrën me probleme të shëndetit mendor. I zoti i shtëpisë jeton në Greqi dhe paratë i dorëzon te një afërm, i cili thotë se nuk ka si i bën kontratë qiraje asaj dhe të motrës. Lëshimi i një prokure do ishte zgjidhje, por nuk ka asnjë mënyrë për ta detyruar këtë pronar shtëpie që të vendosë një kontratë ligjore me M. . Me ligjin e ri, M. do e ketë të thjeshtë që me një përfaqësues të të zotit të shtëpisë dhe pranë përfaqësuesit të bashkisë, të deklarojë se po paguan aty ku banon dhe për shkak të të ardhurave të ulta, mund të përfitojë nga programi i strehimit.*
- Rastet në këtë artikull janë të referuara nga Isida Rrapi, paraligjore e Drejtësi Sociale
COMMENTS