Në një rast denoncuar në emisionin Fiks Fare të datës 4 tetor 2022, disa banorë të qytetit të Rrogozhinës kanë probleme me banesat e reja, ku janë futur pa u dorëzuar nga bashkia. Shtëpitë e tyre të shkatërruara prej tërmetit të 26 nëntorit 2019 ende gjenden në ndërtim e sipër, specifikisht pa dyer të brendshme dhe dritare. Veç kësaj, banorët që kanë hyrë në shtëpi, shprehen se në fakt banesat e reja kanë probleme me muret dhe tubacionet, gjë e cila nuk është çështje që i takon dorëzimit, por kolaudimit.
Rrogozhina është një prej qyteteve të goditura rëndë nga tërmeti; një qytet i varfër ku shumë banorë marrim trajtim ekonomik. Veç shtëpive, edhe disa shkolla janë ende në proces ndërtimi. Banorët që janë ankuar në emision gjenden në situatën e rëndë midis dy zjarresh, ku prej qershorit nuk ju është lëvruar bonusi i qirasë dhe në banesat e reja nuk jetojnë dot për shkak të mosmbarimit të punimeve. Kryetari i Bashkisë Rrogozhinë, Edison Memolla, shprehet se fondi do lëvrohej ato ditë dhe se banorët nuk duhet të kishin hyrë në shtëpiat e reja pa u dorëzuar nga firma e ndërtimit. Nga ana tjetër, ai nuk garanton dot as kohën e mbarimit të tyre. ‘Shpresojmë për dhjetor’, thotë ai, pa ofruar asnjë siguri për këtë.
Në intervistë telefonike me inxhinierin e zbatimit të firmës ‘Gjikuria’, fituese e tenderit, del se edhe firma nuk ka marrë më fonde për mbarimin e punimeve. 102 banesat e reja të kësaj faze nuk janë ende gati për banim dhe inxhinieri shprehet se çelësat nuk janë dorëzuar prej tyre por prej firmës që ka sjellë dyert e jashtme. Më pas ai justifikohet se në fakt, dorëzimi i çelësave është bërë për efekt ruajtje të tyre, sepse banesat janë të veçuara. ‘Ne s’kemi 102 roje. Ua kemi lënë t’i ruajnë nga vjedhjet, por jo të banojnë,’ tha më pas ai. Inxhinieri mohoi akuzën se ndërtimi ka qenë me cilësi të dobët dhe se shtëpiat kanë probleme, pavarësisht faktit të vëzhguar me kamerat e emisionit.
Programi i rindërtimit ka nisur nga marsi i vitit 2020, me tendera të njëpasnjëshëm për të gjitha zonat e prekura, me një fond prej 50 milion eurosh. Për pak javë, hyjmë në vitin e tretë pas tërmetit dhe ende vazhdon procesi, një zvarritje kjo e pajustifikueshme.
Në 25 janar 2022, Marinela Dushi raporton për PortaVendore se,
‘Rindërtimi i banesave të reja për banorët e goditur nga tërmeti në Rrogozhinë duket se po ecën me ritme të ngadalta dhe selektiv. Ndërtimi i shtëpive të reja private, të cilat kanë qenë prioritare për qeverinë, për dy vjet nuk ka përfunduar. Duhet thënë që Rrogozhina nuk ishte në top listën e bashkive të prekura shumë nga tërmeti, dhe ndaj në të do të kishte vetëm rindërtim në banesa të reja 1-katëshe në vendin e atyre ekzistuese dhe rikonstruksione. Por edhe pse kanë kaluar 2 vjet nga tragjedia e 26 nëntorit, në qytetin e Rrogozhinës, rindërtimi i shtëpive private vijon, duke lënë në pritje banorët.’
Në takimin me banorë, gazetarja ka ndeshur qytetarë të cilët e kanë marrë shtëpinë në dorëzim vetëm një vit pas tërmetit dhe të tjerë ende rrinin jashtë, pa bonus qiraje dhe pa asnjë shpresë për kohën e mbarimit të tyre. Disa banorë të prekur nga tërmeti janë në varfëri ekstreme dhe shumica në varfëri të tillë që nuk kanë mundësi t’i mobilojnë shtëpiat e reja. Dukshëm ka një aludim për ndërtim selektiv dhe diskriminim në nivel partiak. Të gjitha gishtat drejtohen nga qeveria dhe askush nuk duket se merr përgjegjësi për situatën.
COMMENTS