Premtimi i përsëritur… dhe uji që nuk erdhi kurrë

Premtimi i përsëritur… dhe uji që nuk erdhi kurrë

SHESHI dhe PËRSHESHI
Dyfishimi i papritur i patentës: efekti domino i autonomisë së institucioneve publike
Editorial/Teatri vdiq, Rroftë Teatri!

Editorial, Adela Radovani

Që uji në qytetin e Tiranës nuk është i pishëm e as 24 orë, nuk mendoj se ka më nevojë për prova. Fatkeqësisht, kandidati i PS për kryetar bashkie dhe personi përgjegjës për drejtimin e qytetit prej dy mandatesh, thotë se kjo nuk është e vërtetë. Në fakt, një herë thotë se është e pastaj jo, e më pas nxjerr disa përqindje të dyshimta, 10% në të shkuarën dhe tani 70% të ditës me ujë rrjeti. Nuk është e qartë në i referohet orëve të ditës apo sasisë së ardhur në rubinet. Në intervistë për Erla Mëhillin ai deklaron se sidoqoftë, edhe në qoftë ujë depozite, është ai që jua mbush e jo zana e malit, nuk është detyra e tij që “të shtyp galixhantin në shtëpinë tuaj”. Sidoqoftë thotë ai, uji pihet. (Ose jo, në varësi të momentit kur pyetet. Është e vështirë ta gjesh Erion Veliajn të gënjejë. Ai flet gjithnjë në të ardhmen, për pesëvjeçarin e radhës ose kapet me çështjet personale të personit që pyet. Për disa minuta ai qëndroi në temën e pallatit ku banon gazetarja Mëhilli, dhe përse kishte ai pallat specifik probleme me ujin.)
Por nëse marrim të mirëqene se uji pihet, përse ka një tender të vitit 2022 me titull, Blerje Uji të Pishëm për punonjësit e bashkisë? Ironikisht edhe tenderi duket abuziv pasi ndër vite, vetëm një kompani fiton tenderat.

tender uji
Lajme të tilla përsëriten vit pas viti, e në arkivat e mediave dhe portaleve gjen po të njëjtën histori, Veliaj që shprehet se uji pihet, tenderat që jepen dhe për çudi, për të njëjtën firmë dhe pa konkurrencë, ose ekspertë që thonë se “uji pihet, të bën dëm por nuk vdes”. Përveç faktit që jemi në vitin 2023 tashmë dhe uji ende mbetet në kushte shumë të këqija pastërtie duke u bërë burim sëmundjesh për qytetarët, kemi edhe gënjeshtrën e vit pas viti, që nuk duket se dënohet nga vota popullore. Është pothuaj sikur rezultatet e zgjedhjeve nuk ndikohen nga gënjeshtrat politike.

Në një studim të publikuar në vitin 2021 në SHBA, aftësia e votuesve për të nuhatur vetë gënjeshtrat nga politikanët është e ulët. Ata gjetën tendenca për të besuar më lehtë gratë se burrat, pavarësisht kampit politik të secilës palë. (1) Ndërkohë në Australi, në një studim u has dukuria se edhe kur informohen se kanditati i tyre i preferuar ka gënjyer, votuesi paçka se pëson një pakënaqësi, nuk e ndryshon votën e tij. (2)
Problemi i ujit të pishëm është tashmë i pranuar nga qytetarët e Tiranës, ata kanë gjetur zgjidhje si blerje filtrash, blerje të ujit me aparate të mëdha, dhe për nevoja të tjera, është më se normale që secili të ketë në apartament një lidhje me depozitën personale ose atë të pallatit. Për një kohë, rreziku nga depozitat për shkak të peshës dhe vendosjes së tyre në pallatet e vjetra, pastaj dhe pastërtia, u bënë objekt debati publik.
Mundet që me kalimin e kohës, të mos pasurit ujë me kushte minimale përdorimi të jetë një e keqe e pranueshme, dhe të jetë diçka me të cilën ti mundesh të jetosh. Për sa kohë nuk ke jetuar asgjë ndryshe e për sa kohë që ndihesh i pafuqishëm për të ndryshuar realitetin, një pranim i gjendjes është më se normale. Është e qartë se ndryshime të tilla kërkojnë vullnet politik por dhe investime të fuqishme, të cilat janë keqpërdorur me gjasë në 30 vjet për të arritur në gjendjen ku jemi sot.

(1) https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pmc/articles/PMC8378529/
(2) https://royalsocietypublishing.org/doi/10.1098/rsos.180593

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0