Politika e agjërimit elektoral, a po i luajnë “fenë” politikanët “hallall” fe-së?

Politika e agjërimit elektoral, a po i luajnë “fenë” politikanët “hallall” fe-së?

‘Minimumi Jetik’ prej një viti “fle” në Kuvend, analizë kritike e retorikës shterpë politike! Shqipëria, me varfra në Rajon
‘Pako e Madhe’/800 milion lekë për fundvitin për 1 milion individë, të paqarta ende detajet
Naftëtaret/ Nëse do jetë takim elektoral kthehemi në grevë

Gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit nuk ka sesi të mungojnë edhe shtrimet e darkave të iftarit nga eksponentët politikë, të cilët “pushtojnë” çdo kopertinë gazete me “aktin e tyre sublim”. Në fakt, përdorimi i fe-së nga politikanët nuk është risi në Shqipëri, as ndonjë veçanti që ndan partitë politike. Thuajse çdo politikan i kahut demokrat e socialist, së paku njëherë ka shtruar darkë iftari për besimtarët myslimanë. Por duhet theksuar se kryeministri Rama mban rekord në organizim/ pjesëmarrjen e tij në iftare gjë të cilën e ka “trashëguar” edhe kryebashkiaku Veliaj por edhe ai i Elbasanit, Gledian Llatja.

Shumëkush me naivitet mund të shtrojë pyetjen: Ku është e keqja e nderimit të qytetarëve besimtarë shqiptarë? Pyetjes, mund t’i përgjigjemi sërish me një pyetje: Që kur fe-ja është kthyer në hapësirën e eksponentëve politikë për t’u veshur me vello morali?

Dhe për të theksuar sesa manipulohen besimtarët mysliman (fe-ja në tërësi) si elektorat potencial, mund ta ilustrojmë me disa momente pikante:

Një ndër iftarët që do të mbahet mend gjatë është ai i organizuar nga kryeministri Rama në verën e vitit 2019. Ajo që e bën të paharrueshëm këtë iftar natyrisht nuk ishte ushqimi i përzgjedhur por fjalimi i Ramës gati gati të shndërruar në teolog me citate nga Kurani që e shfrytëzoi për të ironizuar opozitën.

“Kurani nuk i përjashton kundërshtarët, i nënkupton si pjesë e jetës, por thotë luftoni kundërshtarët, por pa dalë nga shtegu i Zotit dhe mos u bëni faqezinj dhe bukëshkalë se Zoti nuk i do bukëshkalët. Lufto vetëm në shtegun e Zotit dhe përgjegjës je për vetën tënde dhe sjelljen tënde.”- tha Rama asokohe.

Por ironikisht Rama njihet për kontroversialitetin e tij, në vitin 2015 ai akuzonte Partinë Demokratike se përdorte fe-në për politikë.

“Unë e di, siç e dinë shumica dërrmuese e shqiptarëve, se Partia Demokratike është në vazhdën e një rrënimi dëshpërues dhe po ashtu, të gjithë e dimë se njerëzit e dëshpëruar bëjnë gjëra të dëshpëruara. Po që dëshpërimi në PD të arrinte deri në orvajtjen e dëshpëruar për të sulmuar qeverinë e Shqipërisë në emër të lirisë fetare, kjo është e pabesueshme.”- shkruan Rama më 26 Gusht 2015.

Po të kujtojmë një moment grotesk, mund të përmendim periudhën pas tërmetit famëkeq i 26 nëntorit të 2019. Asokohe, Rama krijoi rubrikën e tij të veçantë në Facebook, titulluar “Fjalë të shenjta” ku sillte hadithe për të justifikuar atë që vjen nga Zoti e jo nga robi, për t’u “shpëtuar” kritikëve. Fjalët e shenjta nuk ishin vetëm nga fe-ja islame, një mëngjes kryeministri përshëndeti popullin si tiran edhe me citate të terroristit të Al Kaedas Anëar al-Awlaki i cili u vra bashkë me të birin në një sulm me dron nga SHBA.

Screenshot 1 20

Edhe Gledian Llatja, kryebashkiaku i Elbasanit, shfaqet në skenën e politikës lokale si një tjetër shembull i politikanit që përdor fenë për të fituar përfitime politike. Duke organizuar darka të iftarit gjatë muajit të Ramazanit dhe duke shfrytëzuar prezencën e tij në manifestime fetare, Llatja demonstron një strategji të ngjashme me atë të socialistëve të tjerë.

Ajo çka e bën një show realisht të pështirë të gjithë përkujdesjen e PR-ve politikë për ta kthyer çdo momentum fetar në momentumin e tyre të protagonizmit është edhe marrëdhënia e çuditshme vëllazërore e myftive me politikanët. Më konkretisht nuk mund të “shkulet” nga memoria marrëdhënia e çuditshme e kryebashkiakut Veliaj me ish myftiun e Tiranës, Ylli Gurrën të cilët e quanin njëri-tjetrin “vëlla”.

Përdorimi më makiavelist i kryebashkiakut Veliaj ishte 25 qershori i vitit 2017 që përkonte me festën e Kurban Bajramit por edhe me ditën e zgjedhjeve. Pa pritur e pa kuptuar, kryebashkiaku Veliaj shfaqet me myftinë e Tiranës askohe, Ylli Gurrën. Veliaj dhe Gurra dolën përpara mediave vetëm për të njoftuar se falja për Bajram, do të organizohej në sheshin “Skënderbej”. Ky njoftim mund të ishte bërë fare mirë nëpërmjet mediave pa qenë e nevojshme që kryebashkiu i Tiranës ta përdorte për fushatë ditën e heshtjes zgjedhore.

Po nevoja për protagonizëm e Erion Veliajt nuk është më lajm, fare mirë mund të kujtojmë sesi kryebashkaiku i Tiranës i cili ishte i pranishëm në meshën e Katedralës së Shën Palit në Tiranë papritur merr mikrofonin dhe njofton një ndeshje futbolli. Ndoshta situata i doli nga duart, ndoshta ishte shumë entuziast, ndoshta ka qenë e natyrshme prej tij pasi rolin e pastorit e ka bërë shumë shpesh duke martuar çifte VIP. Arsyet mund të jetë të shumta por realiteti vetëm një, Veliaj e ka nevojë të marrë protagonizëm kudo.

Pra, është po aq e qartë, ironikisht sa buka që hamë se politikanët tanë nuk e lënë asnjë copë hapësire të pashfrytëzuar për të shfaqur përpara mediave se si janë të përkushtuar ndaj besimtarëve. Shfaqja e tyre e “devotshmërisë” në media e bën edhe më të habitshme faktin se ata janë të njëjtët njerëz që gjatë gjithë vitit nuk kujdesen fare për nevojat dhe problemet e qytetarëve.

Në këtë lojë politike hallall, Rama dhe Veliaj përpiqen të mbajnë rekordet e tyre në organizimin e iftarit, duke u përplasur mes tyre për titullin e “politikanit më besnik ndaj agjërimit elektoral”.

Dhe çuditërisht, ndërsa ata po përpiqen të impresionojnë besimtarët me “devotshmërinë” e tyre, ata po harrojnë një fakt të vogël: politika dhe feja janë si uji dhe vaji. Duke i përzier bashkë, ata mund të sjellin pasojat më të pakëndshme për shoqërinë. Por kushdo që kritikon këtë situatë rrezikon të cilësohet si person anti-fetar ose thjesht njeri me humor të zi.

Pra, ajo që duhet të kuptojmë këtu është se politikanët tanë janë shumë të përkushtuar ndaj agjërimit elektoral – po, e lexuat mirë, agjërimi po bëhet një mjet për të shkaktuar përfitime politike. Dhe në këtë lojë, njerëzit janë si pjesa më e dobët e shahut, duke u lëshuar lehtësisht nëpër strategjitë e tyre manipulative.

COMMENTS

WORDPRESS: 0