Policia refuzon kërkesën e PD për protestën

Policia refuzon kërkesën e PD për protestën

Sigurimet vullnetare, në pakicë dhe në rënie të mëtejshme
Banorët e Bërxullës nuk i ndal shiu, protestojnë kundër Ministrisë dhe “Gener 2”
Krujë, spitali pa mjekë/ Askush nuk aplikon për të punuar në spitalin shtetëror, të sëmurët ikin në Tiranë

Policia nuk i ka dhënë leje Partisë Demokratike për protestën e paralajmëruar më 6 Dhjetor, datë kur do të zhvillohet samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë. Në një letër dërguar Partisë Demokratike nga Drejtori i Policisë së Tiranës, Lorenc Panganika, thuhet se zhvillimi i tubimit brenda perimetrit të sigurisë pengon zhvillimin normal të samitit dhe përbën rrezik real për sigurinë kombëtare dhe sigurinë publike.

Prandaj për këtë arsye, Panganika thotë se ka vendosur “të ndalojë zhvillimin e tubimit të kërkuar në datën 06.12.2022 ora 12:00 deri në orën 16:00 në vendin e përcaktuar në kërkesë”.

Ndër të tjera, Panganika thotë se Policia e Tiranës mbetet e angazhuar për të garantuar të drejtën e çdo qytetari për të marrë pjesë në tubime paqësore dhe mirëpret çdo njoftim të PD “për zhvillimin e tubimit në një vend alternativ, jashtë perimetrit të sigurisë”.

Pas kësaj ka reaguar Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka.
Protesta është e drejtë demokratike e fituar që në Dhjetor të ’90. Askush nuk mund të ndalë të drejtën për të protestuar. Askujt në Shqipëri ne nuk i marrim leje për të protestuar. Në bazë të ligjit njoftojmë, kaq është detyrimi ligjor”, është shprehur ai për Klan News.

Ndërkohë në letrën drejtuar PD-së, Drejtori i Policisë së Tiranës, sqaron edhe perimetrin e sigurisë, që sipas tij është vendosur në konsultim me strukturat e sigurisë së delegacioneve pjesëmarrëse në këtë samit.

Perimetri është si më poshtë:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” deri në Bulevardin “Bajram Curri” përfshi sheshin “Nënë Tereza”.

Rruga “Gjergj Filipi” nga kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova” deri tek kryqëzimi me rrugën “Papa Gjon Pali II”.

Rruga “Lek Dukagjini” në gjithë gjatësinë e saj.

Rruga “Dervish Hima”, rruga “Sheh Ahmet Pazar”, rruga “Faik Konica”, rruga “Skerdilajd Llagami”.

“Rruga “Papa Gjon Pali II” në të gjithë gjatësinë e saj, rruga “Asim Zeneli”, rruga “Themistokli Germenji”, rruga “Mustafa Matohiti”, rruga “Jul Variboba”, rruga “Fatmir Haxhiu”.

Rruga “Ismail Qemali”, nga rruga e “Elbasanit” deri në kryqëzimin me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Më 6 Dhjetor në Tiranë do të zhvillohet samiti BE-Ballkani Perëndimor. Në kryeqytetin e Shqipërisë pritet që të mbërrijnë të gjithë liderët e vendeve të Bashkimit Europian.

Ndërkohë, kreu i PD, Sali Berisha është shprehur se në protestën e 6 Dhjetorit do të zhvillohet një protestë civile që “do ju tregojë liderëve të BE-së, sa proeuropianë janë opozitarët shqiptarë”./tvklan.al

COMMENTS

WORDPRESS: 0