Policia e Korçës ka reaguar pas publikimit të videos së rëndë, ku një person është dhunuar nga një oficer policie në shkallët e një pallati. Ngjarja mendohet se ka ndodhur në 22 janar të vitit 2023, dhe shkak është bërë tentativa e djegies së klinikës së bashkëshortes së oficerit. Oficeri i policisë i identifikuar si Gjergji Riza, i cili ka dhunuar Ervin Norolla, është pezulluar menjëherë nga detyra dhe është kërkuar hetim disiplinor. Ngjarja është e rrethuar nga misteri, pasi lajme kontradiktore vijnë nga burime të ndryshme. Ajo që është e sigurt, është se oficeri Gjergji Riza ka goditur të riun.
Sipas informacioneve nga disa media kombëtare, bëhet me dije se drejtoria e përgjithshme e ka pezulluar fillimisht oficerin i cili punonte më parë në Pogradec, ndërsa tashmë është në drejtorinë vendore të policisë të Korçës. Oficeri i policisë, i cili shfaqet në pamje, sipas të dhënave, prej disa kohësh ka shfaqur probleme me kujtesën. Për shkak të gjendjes shëndetësore, ai është transferuar nga komisariati i Pogradecit në drejtorinë e Korçës. Por sot, Drejtoria Vendore e Policisë në Korçë ka dhënë një tjetër informacion mbi rastin, sipas të cilit, personi i dhunuar, ishte dënuar për trafikim droge. Pa e raportuar këtë incident, policia e ka vënë në pranga Norollën, për një tjetër episod. Më 8 shkurt, 37-vjeçari u arrestua në Pogradec me 52.7 gramë heroinë në makinë dhe u akuzua për shpërndarje të drogërave të forta me doza të vogla. Gjatë kontrollit të policisë në banesë, ka tentuar të djegë celularin e tij, me qëllim që të zhduk provat për veprimtarinë kriminale. Norolla ndodhet në qelitë e paraburgimit ku pritet që ndaj tij të hapet edhe një tjetër proces për vënien e flakës në klinikën e policit, në të njëjtin pallat efektivi kishte edhe shtëpinë.
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë
Në lidhje me një video të publikuar në media, në të cilën shfaqet një shtetas që ushtron dhunë fizike ndaj një shtetasi tjetër, në korridorin e një pallati, dhe pas verifikimeve rezultoi se shtetasi që ka ushtruar dhunë është punonjës policie në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, ju sqarojmë se:
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë ka pezulluar menjëherë nga detyra, punonjësin e Policisë, nënkomisar Gj. R., me detyrë specialist në Sektorin e Analizës Strategjike, Planifikimit, Monitorimit dhe Vlerësimit, në DVP Korçë.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për nisjen e menjëhershme të hetimit disiplinor, për këtë punonjës policie, për shkelje të rëndë.
Nga verifikimet paraprake rezulton se ngjarja ka ndodhur në korridorin e një pallati, në Pogradec, gjatë muajit janar të këtij viti, për shkak se shtetasi i dhunuar K. N. dyshohej se më datë 22.01.2023, gjatë natës, kishte tentuar të digjte klinikën e bashkëshortes së punonjësit të Policisë Gj. R.
Po nga verifikimet rezulton se shtetasi K. N., 35 vjeç, banues në Pogradec, është arrestuar më datë 07.02.2023, në kuadër të operacionit policor antidrogë të koduar “Pasagjeri”, për veprimtarinë kriminale të shitjes së drogave të forta.
Policia e Shtetit fton mediat dhe qytetarët, që të denoncojnë raste të abuzimit me detyrën, nga punonjësit e Policisë, duke i garantuar se nuk do të tolerojë asnjë punonjës policie që abuzon me atributet që iu jep detyra, në kohën e shërbimit apo dhe jashtë shërbimit.
Mungesa e raportimit të dhunës së oficerit dhe kapja e menjëhershme e këtij të riu me drogë, lënë vend për dyshime mbi rrjedhjen e ngjarjeve, dhe ngre pikëpyetje për sistemin e drejtësisë. Priten më tej hetimet, për të sqaruar dinamikën e kësaj ngjarjeje.
COMMENTS