Për të gjithë ata që nuk e kuptojnë ose nuk duan ta kuptojnë varfërinë, vecanërisht romët dhe egjyptianët e varfër!

Për të gjithë ata që nuk e kuptojnë ose nuk duan ta kuptojnë varfërinë, vecanërisht romët dhe egjyptianët e varfër!

Pse cigaret elektronike mund të dëmtojnë rëndë dhëmbët?
Institucioni i Avokatit të Popullit prej dy vjetësh kërkon që të përgjysmohen ose të hiqen tarifat e studimit për kategoritë e studentëve
Vrasja në Elbasan/ Prokuroria ngre dyshime se vrasja ka ndodhur …

Madje jo vetëm nuk e kuptojnë por ndjejnë neveri për njerëzit që në kushte të jashtëzakonshme lypin ndihmë për të jetuar. Sipas tyre ky grup njerëzish nuk duan të punojnë se nuk ka mundësi sot të ngelesh pa bukë. E kanë mendjen te qejfi, me përfitu qyl, me lyp, me pi raki, me kërcy e me këndu, nuk shkollohen etj.

E Vërteta: Jo vetëm punojnë por bëjnë punët më të pista e më të vështira, ato lloj punësh që të tjerët nuk preferojnë ti bëjnë. Se mos të keqkuptohemi, jo nga ato të pistat me shumë para përmes të cilave fiton piedestalin e shoqërisë se bëhesh deputet, kryetar bashkie, e më e pakta më i respektuari i qytetit, katunit apo lagjes.

Këta të tjerët që na mbarojnë ca punë të tjera të pista, për shumë prej nesh janë të padukshëm. Sa herë përshembull mund të na ketë ndodhur që në mëngjes, ashtu për gjumësh, gjithë përtesë, kur po hedhim plehrat të shohim një burrë rom por jo vetëm (shpehsh herë edhe nga mazhoranca, nëpërpjekje për tu fshehur mirë ), në ca raste madje një familje e tërë, që është apo janë aty duke gërmuar te plehrat. Në fakt, shpesherë as nuk i shohim se gati janë mitizuar me hapësirën rreth koshit të mbetjeve, janë bërë pjesë e peisazhit rutinor që shohim çdo ditë.

E po kur ti shihni herë tjetër ndaluni pak dhe kujtoni se ata janë aty duke punuar!

Po po duke punuar! Mbledhin mbetjet e riciklueshme dhe i shesin në pikat e grumbullimit. Madje prej kohësh i duhet të ruhen nga policia bashkiake që është urdhëruar nga kompania private e pastrimit të qytetit që të mos e lejojë ushtrimin e këtij aktiviteti sepse nuk do që të ndaj as qindarkat me askënd. Fitimi i tyre ditor është sa për të plotësuar nevojat bazë në ushqime dhe veshëmbathje. Domethënë nuk kanë mundësi të ruajnë para. Kur nuk kanë mundësi të punojnë si në ditët e izolimit prej covid 19 nuk kanë se me çfarë të ushqehen, literalisht nuk kanë bukë për të ngrënë!

Në shtresën e mesme të grupit që siguron jetesën përmes plehrave, (plehra për ne por thesar për ata) janë ata që na prishin qetësinë, sidomos gjatë verës kur jemi të shtrirë në divan gjatë zhegut dhe për pak po na merrte gjumi. Janë këta që të bezdisin me thirrjen “Lavatrice, frigorifera të vjetër, hekurishte”. Të padukshëm si të parët edhe sepse janë bërë pjesë e rutinës së zërave e tingujve, njëjtë me thirjen e imamit apo këmbanën e kishës për një jo praktikant të fesë. Por ndryshe nga tingujt e tjerë të urbanes këto klasifikohen në mënyrë të pavetëdijshme si të padenja për tu perceptuar nga shqisat tona. Kur ti dëgjoni herë tjetër kujtohuni që kjo është thirrja e bukës! Ata po punojnë, dhe në qoftë se keni dicka që ju ka zënë vend në balkon apo në depo jepjani se po i siguroni një familjeje një ditë më shumë ushqim! Edhe këtë punë duhet ta bëjë dikush, ne nuk preferojmë ta bëjmë. Edhe fëmijët e këtyre burrave po qajnë për bukë ditët e covid 19, jo sepse prindërit e tyre janë dembelë parazitë por sepse nuk kanë mundësi të punojnë.

Më të privilegjuarit e këtij grupi, të paktë në numër, janë ata që kanë arritur të sigurojnë një punë të qëndrueshme në pastrimin e qytetit. Sërish ata/ato janë qytetarët që na kryejnë punët e pista kundrejt sigurimit të bukës së gojës. Po aq të padukshëm sa dy të parët. Kujtohemi që ekzistojnë kur na ndodh ti kalojmë pranë e të bezdisemi prej pluhurit që ngrihet nga fshesat primitive me të cilat i ka pajisur bashkia. Rroga e tyre shumë e ulët (megjithëse punë me tre turne) duhet të  kombinohet me një nga punët informale të lartpërmendura të një anëtari të familjes në mënyrë që familja të arrij të ushqehet. Ky grup mund të mbijetojë pak më shumë ditë por jo aq sa po zgjat izolimi prej covid-it. Në qoftë se po kërkojnë ndihmë e bëjnë sepse vërtetë nuk kanë të ushqehen jo sepse kështu janë mësuar apo sepse janë hileqar.

Punojnë në tregtimin e rrobave të përdorura. Sërish pisllëk! Një tjetër pisllëk që sështë cudi që shumica e blerësve, të cilët jetojnë në perimetrin e privilegjuar të qyteteve, të mendojnë se atyre i takon prej natyre ta bëjnë këtë punë!

Mes tyre ka edhe nga ata që lypin megjithëse perceptimi është që lypin të gjithë! I keni pyetur ndonjëherë përse e bëjnë? Jo sepse fitojnë shumë as sepse është punë e lehtë por sepse nuk kanë asnjë mundësi tjetër. Ata e konsiderojnë punë si cdo punë tjetër se kanë fëmijë për të ushqyer. Për këta është e vetëkuptueshme që këto ditë janë pa bukë dhe nuk është e tepërt ti ndihmojmë të ushqehen.

Ka dhe nga ata që bëjnë cadrat e plazheve, që punojnë hamall, në ndërtim etj. Të gjithë në punë informale, të paqëndrueshme me të ardhura ditore përmes të cilave mund të sigurohet ushqimi i ditës dhe në rastin më të mirë i javës.

Për të gjithë ata/ato që mendojnë se fajin e kanë vetë se nuk shkollohen dhe nuk shkollojnë fëmijët, kjo ndodh jo se nuk duan apo se nuk ja kuptojnë rëndësinë por sepse të kushtëzuar të sigurojnë mbijetesën mësohen me kohën ta shohin arsimin si një objektiv të largët, si një luks të tepërt që nuk i ndihmon në të tashmen për të siguruar mbijetesën. Kushtëzimet nga jashtë, me kohën pranohen dhe shihen si normalitet si pozicioni shoqëror që i përket.

Mes tyre si në cdo grup tjetër shoqëror ka edhe individë abuziv, mashtrues, hileqar, pijanecë e me vese nga më të ndryshmet. Por kjo nuk është as kulturë e as mendësi! Kjo është e ngjashme me cdo grup tjetër shoqëror. Janë po aq plural e heterogjen sa çdo grup tjetër shoqëror, pjesë e një bote që na gëzon pikërisht prej diversitetit se në uniformitet do të ishte e zymtë dhe cnjerëzore! Të mendosh të kundërtën është po aq BUDALLALLËK sa të thuash se të gjithë shqiptarët janë kriminelë, hajdutë, mashtrues, të korruptuar e shumë të tjera çka themi shpesh për veten kur gjërat nuk na ecin mirë. Nuk është mendësia që i pengon të bëjnë përpara sic aludohet përgjithësisht por VARFËRIA! Jo se nuk duan të jenë të pasur por nuk munden e nuk dinë se si të dalin prej varfërie. Nuk është se nuk duan punë më të mira, të ardhura të sigurta e të qëndrueshme por nuk kanë kushëri, të afërm apo mik deputet, kriminel, biznesmen, karrierist partie etj që ti japë një dorë. Janë të gjithë aty në periferi të botës të zhytur brenda rrethit vicioz të varfërisë, brenda së cilës rrotullohen si në një centrifugë që nuk ndalet kurrë për gjenerata me radhë. Të destinuar të lindin e të vdesin po aty!

Është koha që të jemi më të kthjellët, të mos përkëdhelim veten me hierarki të paarsyeshme e të pamoralshme të krijuar mbi ndarjen ne dhe ata. Nuk ka ne dhe ata por ka njerëz sa të ngjashëm po aq të ndryshëm që përpiqen tja dalin e ta bëjnë me sa munden të përballueshme e të gëzueshme jetën e tyre.

 

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0