Patronazhistët “pushtojnë” bashkinë e Elbasanit, më shumë shoferë se specialistë në zyrat e shtetit! KLSH raporton shkeljet e rënda

Patronazhistët “pushtojnë” bashkinë e Elbasanit, më shumë shoferë se specialistë në zyrat e shtetit! KLSH raporton shkeljet e rënda

Elbasan/Ndotja e ajrit në nivele alarmante, përse heshtin institucionet…
Elbasan/ Do rikthehet pastrimi qytetit por nuk dimë nëse do kthehen punonjësit që e kryenin pastrimin
Elbasan/ Pastrueset e qytetit japin modelin e tyre të qytetarisë

Një numër i lartë shkeljesh të rënda janë konstatuar në Bashkinë e Elbasanit e cila i ka shndërruar zyrat e saj të punësimit në terren të privilegjeve për patronazhistët. Në vend që të ofrojë mundësi për të punësuar specialistë me përvojë dhe aftësi, kryetari i bashkisë, Gledjan Llatja, duket se ka vendosur të shpërblejë patronazhistët prej të cilëve arriti të fitojë në zgjedhjet e 14 majit.

Sipas KLSH-së, numri i punonjësve në Bashkinë e Elbasanit është tepër i lartë në krahasim me popullësinë, duke sjellë një situatë absurde ku ka më shumë shoferë sesa specialistë në dispozicion të qytetarëve. Auditimi i KLSH-së bën të ditur se mungesa e trajnimeve dhe kualifikimeve profesionale në administratën lokale të Elbasanit po sjell pasoja të rënda. Punonjësit në strukturat e Bashkisë Elbasan nuk plotësojnë kriteret e nevojshme për detyrat që kryejnë, duke çuar në efikasitet të ulët dhe shfrytëzim të parave publike.

Po ta analizojmë më në detaje raportin për Bashkinë e Elbasanit, qartazi do vërejmë një disproporcion të theksuar në strukturën e personelit. Në sektorët kyç si juridik, mirëmbajtje rrugësh, ndriçim dhe sinjalistikë, si dhe agronomi dhe ujitje kullim, numri i shofërëve është dukshëm më i lartë krahasuar me numrin e specialistëve të cilët janë shtylla e funksionimit të këtyre sektorëve.

Më konkretisht, në sektorin juridik, me një personel prej 13 punonjësish, 8 prej tyre janë shoferë. Situata bëhet edhe më shqetësuese kur vërehet se në sektorin e mirëmbajtjes së rrugëve qytetare, prej 23 punonjësve, 6 prej tyre janë shoferë. Në sektorin e ndriçimit dhe sinjalistikës, numri i shoferëve është i barabartë me numrin e stafit drejtues dhe specialistëve, duke bërë të vështirë të përceptohet se si një numër i madh i shoferëve kontribuon në efikasitetin e këtij sektori.

Ky skenar krijon dyshime të mëdha rreth praktikave të punësimit dhe menaxhimit të resurseve njerëzore në Bashkinë e Elbasanit. Duket se kjo ka kthyer bashkinë në një zyrë punësimi për patronazhistët, me shumicën e punonjësve të cilët duket se marrin paga “qyl”.

Problemet në Bashkinë e Elbasanit nuk qëndrojnë vetëm me patronazhistët aprofesionalë apo me keqmenaxhimin e parave publike. Në fakt, abuzimet janë të shumta edhe me favorizimet me tenderë, dhënien e kullotave dhe pyjeve, duke e bërë situatën edhe më alarmante për qytetarët dhe institucionet përgjegjëse.

Auditimi i fundit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka hedhur dritë mbi një realitet shqetësues në Bashkinë e Elbasanit: praktikat e anormale në prokurimet publike. Zbulimet e bëra tregojnë një skenar të errët të proceseve të prokurimit, ku operatorët ekonomikë janë kualifikuar dhe shpallur fitues, megjithëse nuk plotësojnë kriteret e vendosura në dokumentet e tenderit.

Në tre raste të ndryshme të prokurimeve publike, shfaqet një skenar i njëjtë i mosrespektimit të ligjeve dhe rregullave të prokurimit publik. Shoqëritë që nuk përputhen me kriteret e veçanta të dokumentacionit të tenderit janë pranuar si fituese, duke çuar në shkallën më të lartë të papajtueshmërisë me ligjin.

Për shembull, në procedurën e prokurimit për rikonstruksionin e shkollës mesme “Kostandin Kristoforidhi”, një shoqëri është shpallur fituese edhe pse nuk plotëson të gjitha kriteret e veçanta të dokumentacionit teknik. Situata e ngjashme gjendet edhe në prokurimet për sistemimin e rrugëve dhe rikonstruksionin e shkollës artistike “Onufri”.

Raporti i KLSH-së nuk duhet të jetë thjesht një material për të ndezur debate apo për të hedhur dritë mbi realitetin e mjerueshëm. Ai është një këmbanë alarmi që na jep një pamje të thellësisë së problemit në brendësi të zyrave të shtetit tonë. Numri i paradoksalisht i lartë i shoferëve në Bashkinë e Elbasanit është vetëm një ndër shenjat që tregon se si “beu i fshatit” ka arritur të ndërtojë një vend ku privilegjet personale janë mbi detyrat publike.

Gledian Llatja, në këtë rast, është një përfaqësues i qartë i këtij aprofesionalizmi në punën e tij në bashki. Punësime të pakontrolluara dhe të paligjshme tregojnë për një nivel të lartë të injorancës dhe mungesës së drejtësisë në vendin tonë. Kjo nuk është thjesht një fjalë e keqe për administratën lokale, por një shenjë që ne si qytetarë duhet ta marrim seriozisht dhe të kërkojmë llogari nga ata që janë përgjegjës për të përfaqësuar dhe t’i shërbyer interesave tona.

COMMENTS

WORDPRESS: 0