Pastrimi i shtëpive, e vetmja mundësi punësimi për gratë Rome e Egjiptiane

Pastrimi i shtëpive, e vetmja mundësi punësimi për gratë Rome e Egjiptiane

Policia bashkiake e Tiranës sekuestron karrocën e gruas rome.
Shfaqen zambakët e ujit në liqenin e Belshit
Rritet numri i viktimave dhe të plagosurve në Stamboll, Erdogan: Sulm i pabesë, shpërthimi po hetohet

Nga: Adriana Sejrani

R. A sapo ka përfunduar ditën e saj të gjatë të punës. Mezi pret të shkojë në shtëpi te vajzat e saj. Është e lodhur, por ka një pamje të qetë në fytyrë. “Nuk është e lehtë të pastrosh shtëpi, klinika apo biznese shtatë ditë të javës. Por më duhet të punoj, vajzat janë në shkollë dhe më duhet t’u siguroj ushqimin, shtëpinë, kurset e ndryshme”, rrëfen me një zë të paqtë, ndërsa bëhet gati të blejë ushqimet e ditës para se të shkojë te vajzat e saj.
Ajo është vetëm një nga shumë gratë e komunitetit rom e egjiptian në Elbasan që i kanë të gjitha shpresat të punësimit si pastruese shtëpie apo biznesesh për të siguruar të ardhura të mjaftueshme për të kaluar muajin. Nuk ka fitim të madh në një punë si kjo, por për shumë prej tyre është e vetmja zgjidhje për të mbijetuar.
Në mesin e të dyzetave, ajo ka përfunduar shkollën e mesme të përgjithshme por nuk ka gjetur kurrë një punë tjetër më të përshtatshme. Punon në disa biznese gjatë javës dhe në ditë të caktuara shkon të pastrojë shtëpi që i ofrohen nga njerëz të njohur. “Është një punë sakrifikuese, e lodhshme. Unë punoj për të gjithë familjen. Duhet të mendoj për ushqimin dhe për shkollimin e vajzave, kështu që nuk ia lejoj vetes refuzimin e punës edhe nëpër shtëpi përveç palestrës dhe klinikës dentare të cilat i pastroj rregullisht. Paga që marr është e ulët, prandaj detyrohem të punojnë 2- 3 vende”, tregon ajo.
Statistikat e INSTAT tregojnë se ka një pjesëmarrje të ulët të grave Rome dhe Egjiptiane në tregun e punës dhe ka shumë prej tyre që nuk kanë punuar kurrë. Shkak për këtë është mungesa e arsimit por edhe diskriminimi që ato hasin në tregun e punës.
Edhe pse kohët e fundit vihet re një rritje e numrit të të arsimuarve sërish mbetet vështirësi e madhe hyrja në tregun e punës që rrallë pranon përfaqësues të këtij komuniteti.
Të dhënat e INSTAT sugjerojnë se të qënit grua ndikon ndjeshëm negativisht në mundësinë e punësimit, pavarësisht se ato kanë të njëjtin nivel arsimimi, moshë dhe gjuhë si burrat. Disavantazh tjetër është mospërfundimi i shkollës së mesme si dhe mosha 30 vjeçare duket se është pika e kthesës përpara së cilës mundësitë e punësimit janë më të larta.
“Të qënit grua dhe njëkohësisht t’i përkasësh një komuniteti që historikisht është parë me sy diskriminues i bën gjërat shumë më të vështira”, rrëfen një tjetër përfaqësuese e këtij komuniteti, S.M, nënë e tre fëmijëve. “Nuk është e lehtë të gjesh një punë të përshtatshme dhe me një pagesë që vlerëson punën e kryer, por situata e vështirë ekonomike të bën të mos refuzosh asnjë mundësi”, tregon ajo.
Ajo ka 20 vjet që pastron shtëpitë ndryshme. ”Nga kushtet e vështira u detyrova të punojnë për shtëpitë ndryshme, sepse jetoj me qera dhe jeta është e vështirë. Nuk munda ta përfundoj shkollën e mesme për shkak të kushteve të vështira të jetesës. Kam punuar që e vogël. Dua të rrisë dhe të shkollojë fëmijët prandaj përpiqem me sa kam mundësi”, rrëfen ajo me zërin që i dridhet dhe një hije trishtimi në sy.
Për R.A. dhe S.M. të cilat punojnë si punëtore në familje dhe biznese private, do të ishte shumë mire të punonin me një kontratë pune dhe jo në mënyre informale.
“Kur ka një kontratë pune, ata s’mund të të hedhin në rrugë”, thonë ato. Megjithatë, në realitet gjërat janë ndryshe. S. M tregon se ka shkuar tek zyra e punës për të kërkuar punë, por nuk i është ofruar asnjë mundësi.
“Ndihem e mërzitur kur mendoj për të ardhmen. Ku do të shkojmë e si do jetojmë kur të plakemi pa një pension?” – pyet ajo.
Mes vështirësish dhe paragjykimesh, ato nuk janë të vetme në rrugën e tyre; një numër i konsiderueshëm i grave të këtij komuniteti punojnë nëpër shtëpi e biznese si punëtore shërbimi. Edhe pse kalojnë dita-ditës midis shumë paragjykimeve të shprehura apo të nënkuptuara nga gjeste të maxhorancës.
Të jesh i ndryshëm në një shoqëri si e jona nuk është e lehtë. ‘Ka pasur kolegë që janë paguar më shumë se unë në lokalin ku punoja më parë, edhe pse bënin një punë më të lehtë. Madje kanë qenë të siguruar, ndryshe nga unë që punoja në të zezë. Kjo vetëm sepse unë isha ndryshe nga ato, isha egjiptiane” – shprehet R.A. “Ka pasur raste kur dëgjoja pronarët tek thonin fjalë diskriminuese për klientët egjiptianë, ndjehesha keq por s’mund të thoja asgjë sepse kasha frikë se më hiqnin nga puna. Kurse tani në punën e re ndihem më mirë. Jam e kënaqur, sepse më vlerësojnë”- shton ajo. Edhe S.M. tregon se puna në shtëpi të e të tjerëve qenë mjaft e vështirë.”Jam ndier keq, jam paragjykuar, por kam bërë sikur nuk e kam dëgjuar dhe kam vazhduar punën time se kam vërtet nevojë”, tregon ajo. Në fund të ditës, i duhet të kthehet në shtëpitë tre fëmijët e saj dhe të nisë sërish punët e ditës dhe gatimin për ta.

COMMENTS

WORDPRESS: 0