Mungesa e pajisjeve elektronike dhe e internetit, por edhe e kushteve të përshtatshme për ndjekjen e mësimit online, i ka përjashtuar nxënësit romë dhe egjiptianë nga qasja në arsim gjatë pandemisë së COVID-19, duke rrezikuar të ardhmen e tyre.
Marina Malsori, nxënëse e vitit të tretë në gjimnazin “Faik Konica” të Korçës përplasej shpesh me të vëllanë se cili nga të dy do ta ndiqte mësimin online. Oraret ishin të njëjta dhe ata ndanin vetëm një telefon celular, ndaj periudha e karantinës nga pandemia e COVID-19 u krijoi të dyve boshllëqe.
“Unë e dua shkollën dhe dua të shkoj në universitet, por përveç vështirësive që kemi pasur gjithmonë si komunitete, na janë shtuar edhe ato të muajve të fundit,” tha Marina, anëtare e komunitetit Rom në Korçë.
“Oraret ishin të njëjta dhe detyroheshim që njëherë t’i ndiqja unë mësimet, njëherë vëllai im,”shtoi ajo, e shqetësuar se kjo do t’i krijonte probleme në vazhdimësi.
Marina është vetëm një prej nxënësve të komunitetit Rom dhe egjiptian në Shqipëri që u përball me vështirësi të shtuara në ndjekjen e mësimit gjatë periudhës së izolimit nga pandemia e COVID-19.
Të dhënat e siguruara përmes një pyetësori nga Informim.al tregojnë se një numër i konsiderueshëm i fëmijëve romë dhe egjiptianë u përjashtuan nga qasja në arsim gjatë periudhës së pandemisë –duke e thelluar hendekun e këtij komuniteti me edukimin.
Ndër shkaqet kryesore të raportuara janë mungesa e pajisjeve elektronike në familjet rome dhe egjiptiane, mungesa e internetit si dhe hapësirat e pamjaftueshme të strehimit për t’u mundësuar nxënësve nga e njëjta familje që të ndjekin rregullisht mësimin.
Përveç të dhënave të siguruara përmes pyetësorëve, Informim.al intervistoi një duzinë nxënësish dhe prindërit nga komuniteti Rom dhe egjiptian, të cilët thanë se pavarësisht përpjekjeve, nuk arritën t’i ndiqnin rregullisht mësimet gjatë periudhës së pandemisë.
Ndërkohë, mësues të këtyre nxënësve shprehën shqetësimin se boshllëqet e krijuara përgjatë një viti mund të kenë pasoja afatgjata dhe mund t’i penalizojnë ata në të ardhmen.
Në qytetin e Beratit, Floriana Gjyryku, nxënëse e vitit të tretë të shkollës profesionale “Kristo Isak” tha se për shkak të mungesës së internetit, ndjekja e shkollës ka qenë një mision i pamundur për të.
“Në pamundësi të parave detyrohem të marr ëifi nga shoqja ime, për të ndjekur mësimin online. Por edhe kjo zgjidhje, jo gjithmonë është e mundur,” tha Floriana.
Mungesa e internetit ishte problemi kryesor, por jo i vetmi.
“Ne banesën ku jetojmë kemi vetëm dy dhoma në dispozicion për të gjithë familjen. Një dhomë ku hamë, një tjetër për të fjetur, ndërkohë që jemi 4 fëmijë. Në këto kushte, kur jemi 3 persona që na duhet të ndjekim mësimin online, e kemi gati të pamundur që ta bëjmë në të njëjtën kohë” shtoi ajo.
“Një dëm i madh”
Sipas Ministrisë së Arsimit, fëmijët e komuniteteve rome dhe egjiptiane në Shqipëri kanë një qasje të ulët ndaj arsimit dhe janë ndër kategoritë më të rrezikuara për braktisjen e hershme të shkollës. Raportet tregojnë se braktisja nga nxënësit romë është më e lartë sesa nga nxënësit egjiptianë.
Sipas aktivistëve të shoqërisë civile, mësimi në distance gjatë periudhës së pandemisë ka shkaktuar probleme për të gjithë nxënësit, por ata nga familjet rome dhe egjiptiane po rrezikojnë më shumë se të tjerët.

Fatmira Dajlani, kryetarja e Portës Rome për Integrim
“Pandemia i gjeti familjet rome dhe egjiptiane të papërgatitura si në aspektin ekonomik, ashtu dhe në mundësinë e marrjes pjesë në shkollimin online,” tha Fatmira Dajlani, kryetarja e Portës Rome për Integrim.
“Dëmi që kanë pësuar fëmijët, por edhe studentët është i madh,” shtoi ajo.
Aktivista e organizatës “Drejtësi Sociale” në qytetin e Korçës, Erjola Struga është e shqetësuar për numrin e lartë të nxënësve nga komunitetet rome dhe egjiptiane që u përjashtuan nga arsimi gjatë periudhës së pandemisë.
Struga vlerëson se vetëm 30% e nxënësve nga këto dy komunitete kanë mundur të ndjekin aktivisht mësimin online përgjatë një viti.
“Fëmijët e komunitetit Rom dhe egjiptian, ndryshe nga fëmijët e tjerë të cilët falë kushteve më të mira kanë mundur që të ndjekin mësimin online dhe të alternuar, nuk po e ndjekin ne masën e duhur mësimin online,” tha Struga. “Nëse nxënësit e tjerë janë diku 90% aktivë në mësimin online, fëmijët e komuniteteve kapin shifrën 30% ose edhe më pak,” shtoi ajo.
Shqetësimin për vështirësitë e nxënësve nga komunitetet rome dhe egjiptiane e ndajnë edhe mësuesit, të cilët janë përballur me probleme edhe nga ana e tyre. Ata përmendin mungesën e pajisjeve kompjuterike apo të internetit si arsye kryesore.
Ita Xhixha, mësuese në shkollën 9-vjeçare “Adem Xhelili” në Fushë Krujë thotë se në klasën e saj ka tre nxënës nga komunitetet rome dhe egjiptiane, por vetëm njëri prej tyre e ndjek rregullisht mësimin.
“Njëri prej tyre rrjedh nga një familje shumë e varfër dhe nuk ka mundësi që ta ndjekë mësimin online, kur është në shtëpi. Këtë e bën vetëm kur shkon te gjyshja, e cila ka një aparat celular,” tha Xhixha.
“Ndërkohë, një tjetër nxënës i komunitetit rom është shumë i rregullt dhe e ndjek mësimin si në klasë, ashtu edhe online,” shtoi ajo.
Për Merita Prengën, drejtuese e e shkollës 9-vjeçare “Vllazërimi” në Babrru të Tiranës, prindërit e fëmijëve romë dhe egjiptianë po sakrifikojnë shumë për edukimin e tyre, pavarësisht vështirësive ekonomike.

Merita Prenga, drejtuese e e shkollës 9-vjeçare “Vllazërimi” në Babrru të Tiranës
“Kur diskutoj me mamanë e nxënësit tim, Glori, ajo më thotë se bën dy punë që i biri të mund të vazhdojë shkollën. Edhe fëmija, duke parë që prindi po sakrifikon dhe mësuesi e drejtuesit bëjnë të pamundurën për ta, bën pastaj të vetën,” tha Prenga.
Nxitje për braktisje
Prindërit nga komunitetet rome dhe egjiptiane përballen pothuajse të vetëm me sfidën e arsimimit të fëmijëve të tyre. Vetëm pak prej tyre janë ndihmuar nga shkolla me ndonjë pajisje elektronike –gjithsesi e pamjaftueshme për të mbuluar nevojat për të gjithë fëmijët.
Elsa Rakipi, 27 vjeç nga Fushë Kruja është nënë e tre fëmijëve, dy prej të cilëve ndjekin shkollën 9-vjeçare “Adem Xhelili”. Gjatë periudhës së karantinës, ajo punoi në një fasoneri, por më pas mbeti pa punë.
Në këto kushte, Elsa u detyrua që t’i shkëpuste fëmijët nga shkolla dhe t’i dërgonte pranë organizatës “Porta Rome për Integrim”, ku kanë mundësi që të ndjekin mësimin.
“Në këto kushte e kam të pamundur t’u siguroj fëmijëve bukën e gojës. Për celularë dhe kompiuter as që bëhet fjalë,” tha Elsa Rakipi. “Ata janë shumë të zgjuar dhe e duan shkollën, por më vjen shumë keq që e kanë kaq të vështirë që të integrohen në shoqëri,” shtoi ajo.
Luan Xhafa, banor i lagjes “5 Maji” në rrugën Siri Kodra në Tiranë është baba i tre fëmijëve, por vajza e braktisi shkollën në moshën 15-vjeçare. Dy fëmijët e tjerë e ndjekin mësimin të alternuar në shkollën “Ardian Klosi”.
Xhafa tregon se në fillim të pandemisë marsin e vitit të kaluar, fëmijët kishin marrë nga shkolla një telefon celular, por ai nuk mjaftonte për të ndjekur të tre mësimin. Pandemia e la gjithashtu pa punë Xhafën, por ai po përpiqet që t’u sigurojë kushtet minimale fëmijëve të tij.
“Unë nga ana ime, edhe pse mbeta pa punë, jam përpjekur që ofertën [e internetit ] t’ua bëja çdo muaj,” tha ai.
Luan Xhafa jeton me shqetësimin se kushtet e vështira do t’i shtyjnë fëmijët të braktisin shkollën.
“…djali e ndiqte në fillim, por së fundmi jo më. Kam frikë se do ta lërë shkollën. Duke qenë se nuk i bën detyrat, ai nuk do që të shkojë më në klasë,“ përfundoi Luani.
COMMENTS